70 vjet Deklaratë Universale për të drejtat e njeriut, por miliona njerëz në botë nuk janë të lirë dhe të barabartë | Bota | DW | 10.12.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

70 vjet Deklaratë Universale për të drejtat e njeriut, por miliona njerëz në botë nuk janë të lirë dhe të barabartë

70 vjet Deklarata universale për të Drejtat e Njeriut. Në celebrimin e përvjetorit, Michelle Bachelet, Komisarja e Lartë e OKB për të Drejtat e Njeriut reflekton për arritjet e Deklaratës por dhe sfidat aktuale.

"Të gjithë njerëzit janë të lirë dhe lindin me dinjitet dhe vlera të barabarta " – kjo fjali e thjeshtë duhej të ndryshonte botën. Më 10 dhjetor 1948 u shpall në Paris rezoluta 217 e OKB-së, përmes së cilës bashkësia ndërkombëtare për herë të parë ra dakord për të drejtat themelore që vlejnë për të gjithë njerëzit. Deklarata e përgjithshme e të Drejtave të Njeriut nuk është një marrëveshje e detyrueshme.

"Unë jam shumë e bindur, se Deklarata është sot po aq relevante sa ka qenë 70 vjet më parë", tha Michelle Bachelet, Komisarja e Lartë e OKB për të Drejtat e Njeriut në konferencën e shtypit mbajtur javën e kaluar (05.12). Në kohën kur u përpilua Deklarata, bota sapo kishte dalë nga lufta dhe në të ekzistonte skllavëria, aparteidi, kolonializmi.

Në bazë të Deklaratës çdo njeri ka të drejtën të ketë liritë e listuara në Deklaratën Universale "pa asnjë dallim, race, ngjyre, gjinie, gjuhe, feje, opinioni politik ose opinion tjetër, origjine kombëtare ose origjine sociale, pasuri, status lindjeje ose ndonjë status tjetër". Me status tjetër kuptohen jo vetëm personat LGBTI, por edhe personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, popujt indigjenë, minoritetet e të gjitha llojeve, të gjithë ata që kanë nevojë për mbrojtje të veçantë. "E kthyer nga traktat aspirues në standard për çdo fushë të së drejtës ndërkombëtare, Deklarata ka përballuar sfidat e viteve të shkuara, që nga teknologjitë e reja e deri tek zhvillimet shoqërore, politike dhe ekonomike dhe mund të zbatohet për çdo dilemë të re”, tha Bachelet duke përmendur inteligjencën artificiale, ndryshimin e klimës, të drejtat e LGBTI.

Prej Deklaratës Universale kanë përfituar miliona njerëz në botë. Kushtetutat e 90 vendeve të botës dhe shumë ligje kombëtare dhe ndërkombëtare bazohen tek ajo. "Në 30 nenet e saj Deklarata Universale na tregon cilat janë masat që duhet të marrim për t'i dhënë fund varfërisë ekstreme, dhe të sigurojmë ushqim, strehim, shëndetësi, arsim, vende pune dhe oportunitete për të gjithë", tha Komisarja e Lartë e OKB, për të drejtat e njeriut, e cila e morri këtë detyrë në shtatorin e këtij viti.

Progresi sot në rrezik

"Ne kemi lindur të lirë dhe të barabartë, por miliona njerëz në botë nuk janë të lirë dhe të barabartë", nënvizon Bachelet. "Në shumë vende të drejtat bazë janë në rrezik" dhe "rrjeti i pakteve ndërkomëtare, rajonale dhe kombëtare, që i dhanë jetë Deklaratës Universale është duke u reduktuar nga qeveri dhe politikanë që përqëndrohen në interesa kombëtare".  Ne të gjithë duhet të mbrojmë me më shumë energji të drejtat që duhet të ketë secili. "Ne kemi bërë një rrugë të gjatë që nga 1948-ta, por kemi ende shumë rrugë për të bërë dhe shumë prej liderve tanë i kanë harruar fjalët e Deklaratës", thotë Komisarja e lartë e OKB-së, ish- presidente e Kilit.

Përvjetori i Deklaratës Universale është një mundësi për të parë si është gjendja e të drejtave të njeriut.

Amnesty International për Shqipërinë

Në Shqipëri, shkruan Amnesty International në raportin e vendeve për vitin 2017/18, vazhdon mosndëshkimi i vrasjeve të kryera më parë dhe i zhdukjes së personave. Masat për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje nuk janë zbatuar në mënyrë adekuate. Gratë dhe fëmijët trafikohen për prostitucion dhe punë të detyruar. Rruga e Shqipërisë drejt BE, pengohet nga progresi i ngadaltë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti përmend dhunën fizike ndaj gazetarëve të kryer nga kriminelë të organizuar ose pronarë kompanishë private. Për të drejtat e LGBTI, raporti përmend çështjen e hapur në Gjykatën Europiane për të drejtat e njeriut, për të ndryshuar një amendament të Kodit të Familjes, që ndalon të drejtën e bashkëjetesës për çiftet e së njëjtës gjini si dhe një studim që tregon për diskriminimin e madh në jetën publike dhe private. Për të drejtat e migrantëve, raporti thotë se një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar ka parë se qindra njerëz lezbike dhe gay, viktima trafikimi dhe viktima të dhunës në familje mund të jenë kthyer pa të drejtë në Shqipëri, që prej 2011, sepse gjykatat në Mbretërinë e Bashkuar kanë qenë bazuar në udhëzime të pasakta. Minorenë të pashoqëruar dhe familje me fëmijë janë mbajtur në qendrën e Karreçit, një qendër e ngritur e krijuar për migrantët e parregullt që deportohen. Për të drejtat ekonomike dhe sociale, Amnesty International përmend protestën e shoqatave për mbrojtjen e fëmijëve kundër shkurtimeve të asistencës sociale. Për romët dhe egjiptianët u ndërtuan 300 shtëpi dhe u bënë përmirësime të kushteve sanitare, thotë raporti, por pjesa më e madhe e romëve jetojnë me mungesë uji dhe të rrezikuar nga dëbimi me forcë. Numri i raportimeve për dhunën në familje është rritur. Që nga 1 gushti janë lëshuar 420 urdhëra mbrojtjeje. Raporti përmend vrasjen e gjykatëses Fildeze Hafizi, nga ish-bashkëshorti, i burgosur për dhunën e shkaktuar ndaj saj dhe liruar sërish nga amnestia e përgjithshme.