44 vjetori i ngritjes së Murit të Berlinit | Gjermania | DW | 13.08.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

44 vjetori i ngritjes së Murit të Berlinit

Para 44 vjetësh, më 13 gusht 1961 Republika Demokratike Gjermane rrethoi dhe bllokoi kufirin me sektorët perëndimorë të Berlinit. Ishte ky fillimi i ndërtimit të Murit të Berlinit. Por sa viktima ka pasur në përpjekje për të kaluar këtë Mur? Shifrat janë të ndryshme. Një komision do të përcaktojë tani numrin e saktë.

Viti 1961: Gjatë ndërtimit të Murit në rrugën Bernauer në Berlin

Viti 1961: Gjatë ndërtimit të Murit në rrugën Bernauer në Berlin

17 gusht 1962, një vit dhe katër ditë pas fillimit të ndërtimit të Murit të Berlinit. Në mes të qytetit të ndarë vdes një njeri. Njëra nga shumë tragjeditë që ndodhin deri në rënien e Murit. Vdekja e Peter Fechterit ishte veçanërisht spektakolare:

"Kufi sektorësh: Takimi i rrugëve Charlottenstr./Zimmerstr. Pikërisht një orë më parë pranë Murit pati edhe një viktimë. Dy njerëz nga Berlini lindor donin të arratiseshin nga ky vend i kufirit të sektorëve. Njëri ia doli të ikte, tjetri mbeti i plagosur rëndë prej plumbave të policisë kufitare komuniste dhe sipas të gjitha gjasave ka vdekur fare pranë Murit. Trupi i tij është transportuar nga policët e kufirit në një ndërtesë pranë kufirit të sektorëve. Këto janë faktet.

18 vjeçari Peter Fechter vdes nga gjakderdhja në territor asnjëanës duke u lutur më kot për ndihmë. As kufitarët gjermanolindorë, as policët gjermanoperëndimorë e as ushtarët amerikanë nuk guxojnë ta shpëtojnë të riun që po vdes. Historia e Peter Fechterit, të vrarit pranë Murit të Berlinit, njihet në mbarë botën, por për fatin e shumë viktimave të tjera dihet shumë pak, madje disa viktimave nuk u njihen as emrat. Kjo gjendje do të ndryshojë dy vitet e ardhshme. Për kaq kohë do të mbështetet me të holla projekti i Qendrës së Potsdamit për Kërkime Historike. Ideja bazë, spjegon drejtuesi i projektit Hans-Hermann Hertle, është që të vdekurit të nxirren nga anonimiteti:

"Ideja bazë është po ashtu që kërkimet të mos përfundojnë vetëm me përcaktimin e emrave, por këtyre emrave t'u jepet një fytyrë; të përgatiten portrete për të vrarët dhe të mbyturit në mënyrë që pas rasteve të mund të shihen njerëzit. Këta njerëz humbën jetën, shpesh kanë mbetur në harresë. Fjala është që t'i kujtojmë këta njerëz, në dinjitet; duke u kthyer kështu edhe atyre një pjesë të dinjitetit."

Për faktin që ky projekt realizohet vetëm 16 vjet pas rënies së Murit të Berlinit historiani Hertle ka një spjegim të thjeshtë. Vitin e kaluar u mbyll përpunimi ligjor i regjimit kufitar të Republikës Demokratike Gjermane; që atëherë kërkuesit mund të njihen me dokumente të shumta, të cilët përmbajnë të dhëna kyçe mbi krimet pranë Murit të Berlinit.

Në rastin më të mirë në fund të projektit do të jetë e qartë se sa njerëz janë vrarë në të vërtetë në Murin e Berlinit. Prokuroria flet për 86, ndërsa bashkësia e kërkuesve me emrin 13 gushti flet për 201.

Historianët nga Potsdami po hetojnë tani 244 raste vdekjesh dhe raste të paqarta. 138 prej tyre ata i dëshmojnë të jenë raste viktimash në Murin e Berlinit. Për të tjerat ende duhet të hetohen rrathanat.

  • Data 13.08.2005
  • Autor Marcel Fürstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar34
  • Data 13.08.2005
  • Autor Marcel Fürstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar34