1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

40 kryetarë shtetesh dhe qeverishë priten në ceremoninë përkujtimore me rastin e 60 vjetorit të çlirimit të Aushvicit

Nina Verkheuzer26 Janar 2005

40 kryetarë shtetesh dhe qeverishë dhe 10.000 të ftuar do të përkujtojnë të enjten (27.01.2005) 60 vjetorin e çlirimit të kampit të përqëndrimit Aushvic. Në ceremoninë, që organizohet në territorin e kampit në afërsi të Krakovit në Jug të Polonisë, krahas ish-të burgosurve do të marrin pjesë edhe ish-ushtarë të ushtrisë së kuqe sovjetike, të cilët e çliruan kampin më 27 janar 1945. Gjermania do të përfaqësohet nga presidenti, Horst Këler dhe ministri i jashtëm, Joshka Fisher. Për këtë ceremoni janë akredituar mbi 1.600 gazetarë nga e gjithë bota.

https://p.dw.com/p/ArQr
Pamja e jashtme e kampit të Aushvicit
Pamja e jashtme e kampit të AushvicitFotografi: dpa

Ceremonia do të hapet me sinjalin e një treni - nëpër vagonë të mbyllur dhe të mbushur plot e për plot me njerëz, të depoturait duruan udhëtimin torturues për në Aushvic. Të sapo ardhurit në kamp seleksionoheshin në të ashtuquajturën "platforma e vdekjes" - ku bëhej ndarja e atyre që ishin të aftë për punë dhe të tjerëve që dërgoheshin në dhomat e gazit. Rreth 1.5 milionë njerëz llogaritet të kenë vrarë në Aushvic dhe në kampin anësor Birkenau SS-ët (njësia luftarake e forcave paraushtarake të partisë naziste NSDAP). Shumica e të vrarëve ishin hebrej, pasonin polakët, sintit dhe romët, robërit e luftës nga Bahskimit Sovjetik dhe pjestarë të kombësive të tjera.

Tek mbërritën ushtarët e ushtrisë së kuqe në janar të vitit 1945 në kampin afër qytetit të vogël jugor të Polonisë, Osvijecim, kishte afërsisht 8.000 të burgosur, të gjithë të tjerët SS-ët i kishin deportuar nëpër kampe të tjera përqëndrimi, një pjesë i kishin vrarë ose i kishin nisur në marshimet e vdekjes drejt Gjermanisë. Ushtarët sovjetikë të shokuar njoftonin, se kishin gjetur në Aushvic të vdekur për së gjalli, njerëz të skeletosur, trupa të kërrusur, që nuk ishin në gjendje të perceptonin lirimin. Dhomat e gazit dhe krematorët SS-ët i patën hedhur në erë.

Dy ish-të burgosur do të referojnë në emër të të mbijetuarve të Aushvicit: politikania franceze me orgjinë hebreje Simone Veil, e cila u deportua si fëmijë në këtë kamp, ku gjeti vdekjen e ëma e saj. Përveç saj do të referojë edhe ish-ministri i jashtëm polak, Vladislav Bartoshevski - katoliku u arrestua në vitin 1940 nga SS-ët gjatë një kontrolli kundër inteletualëve polakë dhe u mbajt në kampin e Aushvicit për disa muaj. Romani Roze, kryetari i Këshillit Qendror të Sintive dhe Romëve në Gjermani, do të mbajë një fjalim në emër të mbi 20.000 sintive dhe romëve të vrarë në Aushvic. Nga 40 kryetarët e shteteve dhe të qeverive, që do të marrin pjesë në ceremoni, vetëm tre prej tyre do të mbajnë fjalim: presidenti polak Aleksandër Kvaznievski si mikpritës, presidenti rus Vladimir Putin si përfaqësues i forcave të atëhershme çlirimtare dhe presidenti i Izraelit Moshe Katsav në emër të shumicës hebreje të viktimave.

Presidenti Horst Këler dhe ministri i jashtëm Joshka Fisher do të jenë gjithashtu të pranishëm në ceremoninë përkujtimore. Presidenti Këler përpara ceremonisë do të vizitojë kampin dhe në qendrën e rinisë në Auzshvic ai do të bisedojë me të rinj polakë dhe hebrej. Fisher do të takohet me homologun e tij polak të sapoardhur në post, Rotfeld. Në radhët e vizitorëve shtetërorë është edhe presidenti i ri i Ukrainës Viktor Jushenko, babai i të cilit ka qenë i burgosur në Aushvic.

Në ceremoninë përkujtimore do të jenë të pranishëm edhe ushtarët e ushtrisë së kuqe, që çliruan kampin në vitin 1945, prej të cilëve jetojnë vetëm pak. Krahas një meshe ikumenike do të këndohet edhe kadishi, mesha e përmortshme hebreje. Në përfundim të ceremonisë përkujtimore të ftuarit do të ndezin qirinj për viktimat në monumentin përkujtimor.