32 vjet të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara | Bota | DW | 24.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

32 vjet të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara

Gjermania ka hyrë vonë në Kombet e Bashkuara, megjithatë është kontribuese e rëndësishme financiare e organizatës. Gjermania pretendon sot të marrë vendin e përhershëm në Këshillin e Sigurimit

Mihajl Gorbaçov në Shtëpia historisë, Bon

Mihajl Gorbaçov në "Shtëpia historisë", Bon

Gjermania hyri në Kombet e Bashkuara më 18 shtator 1973, gati 18 vjet pas krijimit të organizatës botërore. Sot qeveria gjermane pretendon të marrë vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

Gjermania hyn vonë në OKB

Të dyja shtetet gjermanë u pranuan vonë në organizatën botërore- në vitin 1973. Në vitet e pas Luftës së Dytë botërore, Gjermania ishte "shtet armik" për OKB-në, organizatën e ngritur më 1945 si reaksion i shkatërrimeve të luftës. Pranimin e Gjermanisë më e ka pas penguar ndarja në dy shtete e vendit.

Politika e Kancelarit gjerman Willy Brand, hapi dyert e Kombeve të Bashkuara për të dy shtetet gjermane. Në të ashtuquajturën kërkesë themelore të vitit 1972, të dy gjermanitë, Republika Federale Gjermane dhe Republika Demokratike Gjermane, shprehnin mirëkuptimin, që secili shtet ta përfaqësonte vetë veten në nivel ndërkombëtar. Në këtë mënyrë u hoq njëra nga barierrat më të vështira. Përpara arritjes së kësaj marrëveshjeje, Republika Federale kish këmbëngulur që të ishte i vetmi shtet legjitim gjerman dhe të kish i vetëm përfaqësimin ndërkombëtar. Aleatët, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca ishin kundër pranimit të të dy shteteve në Kombet e Bashkuara. Ndërsa Bashkimi Sovjetik pranonte vetëm anëtarësimin e Republikës Demokratike Gjermane.

Për këtë problematikë foli edhe Ministri i jashtëm gjerman Walter Scheel, në fjalimin e tij të parë të mbajtur para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara:

"E kuptoni pse druheshim të hidhnim hapin e parë në drejtim të Kombeve të Bashkuara? Eshtë e dhimbshme të shohësh në sy realitetin politik të ndarjes së vendit tënd. Ne kishim frikë, se një hap i tillë mund të krijonte përshtypjen se heqim dorë. Se heqim dorë nga shpresa e bashkimit. Ne shqetësoheshim se nëpërmjet anëtarësimit, do të shtoheshin hendeqet midis njerëzve në Gjermani".

Më 1973 hyjnë në OKB të dy gjermanitë

Brenda për brenda organizatës botërore, të dy shtetet gjermane qëndronin të distancuar nga njëri tjetri, por ndryshimet në pikëpamje ata nuk i transmetonin edhe në Nju Jork. Në fjalimin e tij të parë, para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara Kancelari Willy Brand, shprehte më 1973 shqetësimin e tij:

"Ne nuk kemi ardhur këtu për të fajësuar Kombet e Bashkuara për problemet gjermane. Nuk kemi ardhur as të bëjmë kërkesa që nuk mund të përmbushen".

Në Kombet e Bashkuara, Republika Federale përpiqej më shumë për nxitjen e të drejtave të njeriut, luftimin e varfërisë dhe sigurimin e paqes. Ministri i jashtëm Walter Scheel, thoshte më 1973, vitin e pranimit në Kombet e Bashkuara:

"Ne do na gjeni kudo ku bëhet fjalë për bashkëpunimin ndërkombëtar, për ruajtjen e paqes dhe për të drejtat e njeriut. Ajo që ne kemi mësuar nga përvoja jonë e hidhur është, se njeriu është masa e çdo gjëje".

Pas 1990 Gjermania merr pjesë në misione paqeje

Për politikën e jashtme të Republikës Federale Gjermane, Kombet e Bashkuara u kthyen, po ashtu si NATO dhe Komuniteti Europian, në shtyllë dhe forum për bashkëpunimin me aleatët perëndimorë. Kaluan 17 vjet anëtarësimi të të dy shteteve në Kombet e Bashkuara, deri sa me ribashkimin e gjermanive, më 1990, anëtarësimi i Republikës Demokratike u prish.


Gjermania e bashkuar vazhdoi politikën e Republikës Federale në Kombet e Bashkuara, të kompletuar me komponentë të rritjes së pushtetit. Së bashku me gatishmërinë për të marrë përsipër gjithnjë e më shumë detyra ndërkombëtare, rezultoi edhe kërkesa për të patur më shumë të drejtë fjale në marrjen e vendimeve. Kështu Gjermania nuk u kthye vetëm në vendin e tretë financues të Kombeve të Bashkuara, por dërgoi edhe ushtarë në misionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, më 1993 në Somali. Pas largimit të pengesave të fundit ligjore, me vendimet e marra më 1994 nga Gjykata Kushtetuese, Gjermania morri një rol të rëndësishëm në ndërhyrjet paqësore të mandatuara nga Kombet e Bashkuara, si për shembull në Afganistan.

Gjermania përqipet për vendi të përhershëm në Këshillin e Sigurimit

Në shtator 2003, Kancelari Gerhard Schröder, deklaroi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara:" Duke u nisur nga vetëdija e historisë sonë, ne marrim përsipër përgjegjësinë tonë për një politikë paqësore bashkëpunimi. Ne e bëjmë këtë me mjete ekonomike, politike dhe humanitare. Por ne marrim përsipër, krah më krah me parterët tanë në Nato dhe EU, edhe përgjegjësi ushtarake atje ku sigurimi i paqes dhe mbrojtja e njerëzve nuk është e mundur. Më shumë se 9 000 pjesëtarë të forcave të armatosura dhe të policisë gjermane marrin pjesë sot në misionet ndërkombëtare të paqes".

Me angazhimin e tyre në misionet e paqes dhe me shumat e larta të kontributeve që paguan, qeveria federale argumenton sot pretendimin e saj, për të marrë vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kur Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan kërkoi reformimin e thellë të Kombeve të Bashkuara, qeveria gjermane filloi të shihte shanse për të marrë vendin e përhershëm gjerman dhe u bashkua me vendet e tjera, që presin po ashtu të marrin një vend të tillë, në "grupin lobiist", Japoninë, Brazilin dhe Indinë. Interesat kombëtare dhe llogaritja e forcave, ishin arsyeja që 191 anëtarët e Kombeve të Bashkuara të anashkalonin shanset për reformimin e Këshillit të Sigurimit, në vjeshtën e 2005. Në takimin e nivelit të lartë të shtatorit u shtynë për më vonë disa reforma, por riformimi i Këshillit të Sigurimit u ngri. Këtë rezultat Ministri i jashtëm gjerman Joshka Fischer e komenton kështu:

"Kjo reformë është e domosdoshme, dhe në të bën pjesë edhe reformimi i Këshillit të Sigurimit. Një vend i përhershëm i një vendi europian nuk është arritur ende, ndaj ne do vazhdojmë të bëjmë përpjekjet tona. Do të zgjasë disa kohë, më shumë se sa shpresonin disa prej nesh, por nuk do të zgjasë aq shumë sa tremben disa të tjerë".

  • Data 24.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNb
  • Data 24.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNb
Reklamë