1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

310 policë serbë kthehen në Policinë e Kosovës

6 Korrik 2009

Kthimi i tyre është vlerësuar pozitivisht nga autoritetet e Prishtinës, mirëpo ka ndarë në qëndrime përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

https://p.dw.com/p/Ii1c
Police kosovare ne stervitje
Qeveria e Kosovës: Policëve serbë nuk u janë vënë kurrfarë kushtesh që të kthehen në detyrëFotografi: AP

310 policë serbë u kthyen në Policinë e Kosovës pas gati një vit e gjysmë largimi nga puna që nga shpallja e pavarësisë. Ata u kthyen në punë në mënyrë të organizuar dhe ky veprim u përshendet nga qeveria e Kosovës, e cila ishte e vendosur që t'ua ndërpriste kontratat e punës nëse ata nuk ktheheshin në detyrë. Mirëpo kthimi në detyrë i policëve serbë ka ndarë në qëndrime vetë përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Ndërsa përfaqësues politikë serbë të Kosovës qëndrore mendojnë se ishte një veprim i mençur, politikanë serbë të veriut kërkojnë nga policët serbë që të distancohen nga institucionet e Kosovës.

Rangjel Nojkiq, politikan serb nga Graçanica, jo larg Prishtinës, e përshëndeti kthimin në punë të policëve serbë. Ai thotë se "padyshim ky është një lajm i mirë dhe besoj se në këtë mënyrë do të përmirësohet gabimi i bërë më herët. Vetëm kështu mund të relaksohen raportet."

Marko Jakshiq, nënkryetar i organit paralel të quajtur Kuvendi i komunave dhe vendbanimeve serbe të Kosovës, ka frikë se mos serbët e kthyer janë kushtëzuar dhe kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. "Do të ishte një lajm i keq nëse policët serbë të kthyer në vendet e punës e kanë pranuar pavarësinë. Ata duhet ta ndihmojnë popullin serb të Kosovës gjë që është një gjë e mirë. Nëse kthimi është kushtëzuar me pranimin e pavarësisë, atëherë shtrohet pyetja se çfarë ndihme është në të vërtetë kjo, sepse për serbët nuk ekziston pavarësia e Kosovës,” - thotë Marko Jakshiq.

Zyrtarë nga qeveria e Kosovës thonë se policëve serbë nuk u janë vënë kurrfarë kushtesh që të kthehen në vendet e tyre të punës, pos që janë paralajmëruar se nëse nuk kthehen në detyrë do t'u ndërpriten kontratat e punës, sepse kështu e parasheh ligji. Mirëpo menjëherë pas kthimit të policëve serbë në detyrë, qeveria e Serbisë tha se ky kthim paraqet kthim në gjendjen para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Këto pohime mohohen nga zyrtarë të misionit evropian EULEX-it. Zëdhënësja e këtij misioni, Karin Limdal, thotë se me Beogradin nuk është negociuar kthimi i policëve serbë: "Nuk ka pasur kurrfarë negociatash. Shefi i misionit EULEX, Yves de Kermabon, është shprehur disa herë që është shumë e rëndësishme që policët të kthehen në punë. Kjo për faktin që Policia e Kosovës të jetë forcë shumëetnike dhe të punojë në interes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Por nuk ka pasur negociata për kthimin e tyre dhe në fund të fundit misioni EULEX, nuk ka mandat që të negociojë."

Sidoqoftë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës thonë, se Policia e Kosovës duhet të jetë një polici unike. Do të ketë vetëm një komandë qëndrore sepse kështu e parasheh Kushtetuta e Kosovës.

Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Pandeli Pani