275 refugjatë në një barkë 20 metra të gjatë - Debate për emigrantët ilegalë në Itali | Evropa | DW | 24.08.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

275 refugjatë në një barkë 20 metra të gjatë - Debate për emigrantët ilegalë në Itali

Vala e refugjatëve që zbarkojnë në brigjet italiane nuk ka të ndalur: Ditën e martë (24.08.04) sërish një anije e mbushur me refugjatë mbërriti në ishullin mesdhetar Lampeduza. Kjo e ka ndezur edhe më tej debatin në qeverinë e Romës për politikën ndaj refugjatëve.

Anije me refugjatë ilegalë në Lampeduza

Anije me refugjatë ilegalë në Lampeduza

275 persona në një barkë të vetme, një lundër e vjetër rreth 2 metra e gjatë, ky është një rekord për ishullin italiano-jugor Lampeduza, i cili kohët e fundit është një destinacion i preferuar i atyre që gjejnë rrugën përmes detit Mesdhe për t´u larguar prej vuajtjes dhe mjerimit. Ndër refugjatët e ardhur të martën në orën 4:30 ka edhe shumë minorenë. Sipas të dhënave të radios shtetërore RAI refugjatët kanë deklaruar se janë palestinezë; në njoftime të tjera të shtypit thuhet, se prejardhja e tyre është nga Bangladeshi.

Për të strehuar 275 të sapombërriturit në kampin pritës të refugjatëve në Lampeduza u desh që 100 refugjatët e mëparshëm të strehuar këtu të transferoheshin në Sicili. Fakti që natën e kaluar mbërritën njëherësh kaq shumë njerëz në brigjet jugore të Italisë është vetëm një detaj. Autoritet kanë regjistruar që nga qershori gjithsej 1248 tentativa ilegale për hyrje në Itali. Për muajin korrik ende nuk ka të dhëna përmbledhëse. Përpara 16 gushtit në Itali mbërritën gati 200 njerëz pothuajse njëkohësisht por me dy anije të ndryshme.

Kjo temë e verës ka shkaktuar dallgë të mëdha në koalicionin qeverisës të Romës. Gjykata kushtetuese e shpalli si antikushtetues në dy pika ligjin e emigracionit të ashpërsuar nga qeveria e Berluskonit. Ministri i punëve të brendëshme, Xhuzepe Pizanu, mendon, se është i domosdoshëm rinovimi i këtij ligji. Por partia populiste e djathtë "Lega Nord", ku bën pjesë ndër të tjerë edhe ministri i drejtësisë Roberto Calderoli, kërkon me insistim që fillimisht të zbatohen me të gjithë forcën rregullat ekzistuese përpara se ato të modifikohen.

Italia kërkon një bashkëpunim evropian më efikas dhe mbështet propozimin e ministrit të brendshëm gjerman, Oto Shili, për krijimin e kampeve për pritjen e azilkërkuesve në Veri të Afrikës. Të mërkurën Berluskoni udhëton për në Tripoli, për të biseduar me presidentin Muamar Gadafi. Pjesa më e madhe e të paftuarve që vijnë aktualisht në brigjet e Italisë, e nisin lundrimin në det nga Libia.

  • Data 24.08.2004
  • Autor Filip Kreizelmeier
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGZ
  • Data 24.08.2004
  • Autor Filip Kreizelmeier
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGZ