1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

2008:sfida të mëdha për NATO-n

Christopher Plass4 Janar 2008

Aleanca duhet të vendosë për çështjen e zgjerimit. Në Afganistan ajo ndodhet para provës për të treguar veten, shkallëzimi i gjendjes në Pakistan mund të ishte me pasoja. Dhe ajo dëshiron të mbajë qetësi edhe në Kosovë

https://p.dw.com/p/CkIY
Flamuj para rezidencës kryesore të NATO-s në Bruksel
Flamuj para rezidencës kryesore të NATO-s në BrukselFotografi: AP
Për presidentin e SHBA, Xhorxh Bush do të jetë një takim lamtumire. Në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në fillim të prillit në Bukuresht, Bushi do të jetë ende në postin e presidentit, por kjo do të jetë hera e fundit që ai merr pjesë me këtë funksion në një takim të tillë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Skefer thotë:
"Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të 26 shteteve i presin vendime të rëndësishme. Ata do të diskutojnë për shembull për një raund të ri zgjerimi"

Bukureshti qe parashikuar njëherë si takim zgjerimi i nivelit të lartë: me siguri që tani kjo nuk mund të thuhet më. Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia janë të gatshëm si kandidatë. Por Aleanca ende nuk u ka dëshmuar se ata janë edhe të aftë për një anëtarësim. Në javët e ardhshme, rezidenca kryesore e NATO-s do të jetë në qendër të diplomacisë publicitare. SHBA bëjnë presion, në mënyrë që të tria vendet t'i plotësojnë kushtet. Me afër kushteve të kërkuara duket Kroacia. Kundër Shqipërisë flasin disa elementë: edhe që Moska mund ta vështronte këtë si provokim tjetër të NATO-s, në kuadër të tensioneve për Kosovën.

Xhorxh Bushi do të preferonte që të paktën në plan afatmesëm t'u jepte edhe Gjeorgjisë dhe Ukrainës një perspektivë më konkrete për anëtarësimin në NATO: por në këtë drejtim rezervat në Aleancë duket se janë shtuar. Edhe kjo ka të bëjë me afërsinë ndaj Moskës: raportet e NATO-s me Rusinë janë edhe pa këtë të rënduara, për shembull pas suspendimit të Marrëveshjes për Carmatimin Konvencional para pak kohësh prej rusëve.

Por vetëm madhësia nuk të bën më të fortë. NATO-ja drejton në Afganistan një trupë ndërkombëtare mbrojtëse me rreth 41 mijë vetë, kryesisht nga shtete të NATO-s. Megjithatë Afganistani mbetet i pasigurtë, një komandant sapo paralajmëroi për shtim të atentateve me atentatorë vetëvrasës. Kjo është për Aleancën nga njëra anë një sfidë ushtarake. Edhe një sfidë mediale, sepse kudo ndihet shqetësimi se kjo luftë mund të harrohet dhe se mbështetja në atdhe për të mund të pakësohet. Prandaj NATO-ja dokumenton në faqen e saj të internetit midis të tjerave me filma, punën që ajo bën në Afganistan.

Ushtarë hollandezë të NATO-s në Afganistan
Ushtarë hollandezë të NATO-s në AfganistanFotografi: AP

Misioni i Afganistanit mbetet në vitin 2008 edhe një sprovë politikë force. SHBA nuk lodhen së kërkuari më shumë angazhim prej të tjerëve, më shumë trupa,edhe drejt Gjermanisë drejtohet gishti, megjithëse Bundesveri ka atje rreth 3 mijë vetë. Por çfarë ndikimi do të kishte në Afganistan një keqësim i situatës në Pakistan? Përmes Pakistanit kalon për shembull një pjesë e furnizimit të NATO-s.

Më shumë trupa në Hindukush, këtë partnerët e refuzojnë me argumentin se ata janë të angazhuar në fronte të tjera. Në vitin 2008 kjo vlen veçanërisht për Kosovën:

"Gjithsej 2.800 ushtarë të Bundesverit ndodhen në Kosovë."
Këtë e thotë ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer. Trupa e KFOR-it, e stacionuar që prej vitit 1999, synon që me 16500 trupat e saj të pengojë një shkallëzim të situatës. Gjithnjë e më tepër NATO po merr detyrat e një policie botërore. Megjithatë ajo ka nevojë për suksese, për të përcjellë bindje. Para së gjithash në datëlindjen e saj të 60-të- në vitin 2009.