200 milion të rinj jetojnë në varfëri absolute | Bota | DW | 06.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

200 milion të rinj jetojnë në varfëri absolute

Prezantohet Raporti i OKB-së mbi rininë

Informim dhe shkollim për të rinjtë afrikanë

Informim dhe shkollim për të rinjtë afrikanë

Të martën u paraqit në Njujork raporti për rininë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në të OKB-ja bën bilancin e standartit të edukimit profesional, të papunësisë, të shërbimit shëndetësor dhe të ndikimeve të tjera të ndryshme ndaj të rinjve deri në moshën 24 vjeçare. Raporti i sivjetshëm përmban edhe lajme të mira, por mbizotërojnë ato negative.

Tek lajmet e mira bëjnë pjesë vënia në jetë që në vitin 1995 e plan-veprimit për rininë botërore, si dhe rritja e frekuentimit të shkollës. Në mbarë botën, ka rreth 100 milion studentë, më shumë se asnjëherë më parë. Të rinjtë shfaqin një gatishmëri parimore për ta kuptuar globalizimin si mundësi për më shumë fleksibilitet në profesion, dhe si pasurim për kohën e lirë dhe për konsumin.

Por ende mbizotërojnë dukuritë negative: 113 milion të rinj nuk e ndjekin shkollën, 88 milion e 15 deri 24 vjeçarëve janë të papunë ose pa profesion. 209 milion, thuajse 20 për qind e kësaj grupmoshe, kanë më pak se një dollar në ditë për të shpenzuar. Rreth 515 milion ose 45 për qind kanë vetëm 2 dollarë në dispozicion në ditë. Në këto rrethana thirrja e drejtorit përgjegjës për të dhëna të tilla në Kombet e Bashkuara, Johann Scholvinck, duket e pashpresë:

"Investimi tek të rinjtë është i rëndësishëm; ata janë e ardhmja jonë. Pa kualifikimin përkatës ekonomia nuk mund të rritët e të përparojë."

Megjithë përmirësimin e furnizimit shëndetësor dhe të higjienës shifrat që publikohen çdo dy vjet duken si mos më keq e veçanërisht tragjike: Dhjetë milion të rinj, kryesisht në Afrikë dhe në Azinë juglindore, kanë SIDA. Si arsye vdekjeje kjo sëmundje renditet tek 15 deri 24 vjeçarët shumë përpara ushtrimit të dhunës dhe aksidenteve.

Të rrezikshme për jetën e të rinjve janë drejtpërdrejt ose tërthorazi edhe krizat e konfliktet në botë. Përkundër deklaratave publikë, të rinjtë vazhdojnë të angazhohen edhe si ushtarë minorenë në përplasjet luftarake. Johann Scholvinck thotë se:"Të rinjtë dhe të rejat shtyhen të marrin përsipër funksionin e kreut të familjes, shfrytëzohen seksualisht; edhe vetë vajzat detyrohen të marrin pjesë në luftime. Problemet janë shtuar."

Në jetën civile barazia e gruas me burrin ka shënuar përparim të dukshëm. Ajo jo vetëm parashikohet me ligj, por është dalluar edhe kuptimi i saj.

Megjithatë ekspertët e OKB-së konstatojnë edhe sjellje të pakuptimta tek të rinjtë. Falë kufizimeve në vendet e industrializuara vihet re një rënie e pirjes së duhanit; në vendet në zhvilim vihet re një rritje e dukshme. Edhe në marrjen e drogave sintetike. Arsyeja për këtë mbetet e pasqaruar.

Raporti për rininë botërore solli edhe një përfundim tjetër, thotë Scholvinck:"Më shumë se asnjëherë të rinjtë ndikohen prej medias: pra prej fuqive jashtë familjes dhe bashkësisë. Nga ana tjetër kjo nxit edhe njohuritë teknologjike, të cilat prej të rinjve përcillen edhe tek brezat e vjetër."

Metodat dhe mundësitë për eliminimin e deficiteve ekzistuese në shfrytëzimin e internetit në disa vende, janë tema të raportit për rininë botërore. Këto po trajtohen në qindra të rinj e të reja nga mbarë bota, në selinë qendrore të Kombeve të Bashkuara.

  • Data 06.10.2005
  • Autor Thomas Nehls
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNs
  • Data 06.10.2005
  • Autor Thomas Nehls
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNs
Reklamë