1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

20 vjet ERASMUS

Antje Allroggen24 Janar 2007

Program shkëmbimi për studentët europianë

https://p.dw.com/p/Ar92
Erasmus von Rotterdam
Erasmus von RotterdamFotografi: dpa

Disa muaj studimi jashtë vendit janë sot pjesë e çdo programi studimi. Shpesh një gjë e tillë bëhet e mundur në kuadër të programit ERASMUS të BE-së, i cili këtë vit shënon 20 vjet aktivitet. Emrin ERASMUS programi e ka marrë prej filozofit, teologut dhe humanistit Erasmus von Rotterdam, një luftëtar i palodhur kundër dogmatizmit në të gjitha fushat e jetës, i cili ka jetuar në fillim të shekullit të 16-të. Sot emri ERASMUS nënkupton shkëmbimin akadamik ndërkombëtar.

Që prej vitit 1987 Komisioni Europian mbështet programin ERASMUS, programi i parë i mobilitetit për studentët europianë. Arsyeja e lindjes së programit ishte atëherë shtimi i shkëmbimit të studentëve brenda Europës. Në vitin 1987 Komisioni Europian vuri në dispozicion fonde për më shumë se 3000 studentë dhe inicoi programin e parë ERASMUS.


Lothar Gasse ishte 20 vjet më parë një nga studentët e parë që me programin ERASMUS studjoi në universitetin e një vendi tjetër europian. Ai atëherë zgjodhi Anglinë. Eksperincë nga e cila përfiton ende sot: "Natyrisht nga nga arsyet që më shtynë të merrja pjesë në program ishin shanset më të mira për punë. Dhe mendoj se studimi im jashtë ka luajtur një rol në vendimin e punëdhënësit tim për të më punësuar, pasi kështu aplikimi im i tërhoqi vëmendjen. Nga dosja ime e aplikimit bëhej e qartë se unë kisha qenë jashtë. Kjo do të thotë që zotëroja njohuri në një gjuhë të huaj dhe nga ana tjetër edhe aftësi sociale, pasi një student jashtë duhet të përballet me eksperienca në një vend të huaj."

Por që prej vitit 1987 shumë gjëra kanë ndryshuar: programi ERASMUS është zgjeruar. Ndërkohë janë shtuar edhe programe të tjera të cilat bëjnë të mundur që diplomat e marra jashtë të njihen edhe nga universitetet në vendet e origjinës së studentëve. Edhe numri i pjesëmarrësve është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Sot në programin ERASMUS marrin pjesë më shumë se 30 vende dhe numri studentëve pjesëmarrës nga 3000 në vitin 1987 është tani një milion.

Në verën e vitit 2002 Komisioni Europian prezantoi programin ERASMUS-Mundus i cili zgjeroi edhe më tej spektrin e ERASMUS-it. Siegbert Wuttig, drejtues i zyrës për BE-në në Shërbimin Gjerman për Shkëmbimin Akademik DAAD, thotë: "Ideja ishte që të tërhiqnim edhe studentë nga vendet e treta, pra jashtë Europës. Pra që jo të gjithë studentët nga Azia apo Amerika Latine të shkonin gjithmonë në SHBA apo Japoni e Australi por të vinin edhe në Europë. Ne donim të ofronim një produkt tërheqës dhe të tilla janë vërtet programet e masterit, të cilat zhvillohen në të paktën dy vende europiane. Në fund studentët marrin një diplomë të dyfishtë."

Deri në fund të vitit 2008 do të ketë reth 100 kurse të tilla masteri me të cilat rreth 5000 studentë nga vendet e treta do të kenë mundësi të kryejnë një pjesë të studimit në një universitet europian. Shumë universitete e shfrytëzojnë programin për të vendosur apo zgjeruar bashkëpunimin në plan ndërkombëtar shpjegon Rainer Dombois, docent në universitetin e Bremenit: "Ne kemi një pozicion ideal për këtë. Kemi universitete në Angli, Francë, Belgjikë, Spanjë etj., pra ofrojmë studime në shumë gjuhë. Kështu mund të organizojmë shumë mirë tërheqjen e studentëve nga Amerika Latine, Afrika apo Azia fillimisht në gjuhën që zotërojnë për t'i kaluar më pas në universitete partnere përshembull me kurse në gjuhën angleze."

20 vjet pas lindjes së tij programi ERASMUS i ka vënë vetes qëllim të shtrihet përtej kufijve të Europës. Për studentët përvojat e bëra me programin ERASMUS jashtë vendit zgjasin shpesh një jetë të tërë. Lothar Gasse përshembull gjatë studimeve në Britaninë e Madhe 20 vjet më parë njohu bashkëshorten e tij. Fëmijët e tyre rriten tani dy gjuhësh. Disa muaj studim jashtë vendit me ERASMUS ia vlejnë në çdo rast.