175 vjetori i Festës së Hambachut, djepi i demokracisë gjermane | Gjermania | DW | 27.05.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

175 vjetori i Festës së Hambachut, djepi i demokracisë gjermane

Më 27 Maj 1832 u mblodhën në rrënojat e kështjellës së Hambah-ut 30 mijë njerëz në një demostratë për unitetin kombëtar të Gjermanisë si shtet kushtetues, për lirinë e brendshme dhe të jashtme të qytetarëve dhe popujve, për barazi sociale dhe vëllazëri evropiane. Festa e Hambahut konsiderohet jo vetëm si njëra nga grumbullimet masive politike në Gjermani, por edhe dita e lindjes së demokracisë gjermane dhe kështjella e Hambahut si djepi i saj. Ideja kombëtare u shkri këtu me idetë liberale dhe sociale.

Festa e Hambach-ut 1835

Festa e Hambach-ut 1835

Disa gurë të vjetër muresh ruajnë kujtimet a asaj dite kur në vitin 1832 në Festën e Hambahut "liberalizmi mbajti predikimin më të zjarrtë" shkruan dëshmitari i kohës Heinrich Heine.

Ky ishte një kapitull i tërë i historisë evropiane që bëri që pikërisht "Kestenberg" në Pfalz të kthehet në "vullkan" të ideve të lirisë, të cilat asokohe po lulëzonin në të gjithë Gjermaninë. Pikërisht në Pfalz, që qysh nga viti 1815 i përkiste Bavarisë, njerëzit gëzuan të drejta qytetare pas pushtimit nga Napoleoni. Qytetarët e shumë principatave të tjera gjermane do të ëndërronin për të drejta të ngjashme. "Kodi Napoleon" parashikonte ndër të tjera sigurimin e së drejtës dhe barazi para ligjit si edhe një liri relative të shtypit dhe të librit. Lirija e shtypit ishte kufizuar në mënyrë të veçantë nga parija bavareze në prag të Festës së Hambahut. Nuk ishte pra rastësi që një rol të rëndësishëm në organizimin dhe mbarëvajtjen e Festës së Hambahut kishin dy gazetarët e mirënjhur Filip Jacob Siebenpfeifer dhe Georg August Wirth.

Edhe pse iniciatorët e Festës së Hambahut, Siebenpfeifer dhe Wirth, u përndoqën më vonë nga dredhitë e zyrtarëve dhe u larguan me forcë nga skena politike, ata propaganduan me forcë idetë e Gjermanisë demokratike duke parapërgatitur kështu rrugën drejt revolucionit të vitit 1848.

Në Hambah lindi mendimi kombëtar, lindi dëshira e thellë për bashkimin e 35 shteteve të veçantë dhe të katër republikave qytete të ndërthurura me idetë liberale dhe sociale që vinin nga Franca fqinje. Edhe ëndrra e një Evrope vëllazërore të bashkuar qarkullonte në Festën e Hambahut. "Që në vitin 1832 u tregua në festën e Hambahut se francezët ishin prezentë dhe polakët ishin të përfaqësuar nga ata që ishin arratisur pas pushtimit të Polonisë prej Rusisë."

Mbi 30 mijë njerëz morën pjesë në Festën e Hambahut. Ata vinin nga rrethinat e afërta por dhe nga larg, në këmbë ose me pajtonë: fshatarë, studentë, tregtarë, intelektualë. U mbajtën fjalime të shumta për lirinë. Idetë e lëshuara ishin shpesh iluzionare dhe të turbullta dhe kuptimi i vërtetë i tyre nuk kuptohej as nga ana akustike nga shumë prej pjesëmarrësve, kështu raportonte një agjent bavarez. Megjithatë çdo orator brohoritej me zë të lartë me thirrje "rroftë, rroftë!." Entuziazmi i lirisë po përhapej gjithnjë e më shumë, në tavolinat e gjata trokiteshin gotat dhe këndohej. "Për Hambahun!", kështu e përshkruante Heinrich Heine, "i brohoriste koha moderne këngët e lindjes së diellit"

Kështjella e Hambahut është shkatërruar disa herë përgjatë historisë, është rindërtuar dhe restauruar disa herë, së fundmi në vitet 1960-të. Në vitin 1982 u festua me pompozitet 150 vjetori i Festës. Sot në kështjellën e Hambahut gjendet një muzeum që tregon si historinë e Festës së Hambahut ashtu edhe të lëvizjes evropiane për liri. "Këtë moment ne ndodhemi në atë kullë ku më 27 Maj 1832 u ngrit për herë të parë flamuri gjerman me tri ngjyrat kombëtare zi-kuq-e verdhë",

na tregon menaxherja e kështjellës Susane Walter. Tri ngjyrat e flamurit që nga koha e luftës për liri kundër Napoleonit, u shpallën për herë të parë në Festën e Hambah-ut si tringjyrësh. Flamuri me shënimin "Rilindja e Gjermanisë" ruhet sot me shumë kujdes në ekspozitën e kështjellës që është organizuar me shumë fantazi dhe përkujdesje. "Ky është flamuri legjendar. Ai është transmetuar si pasuri private nga njëri brez në tjetrin në një kuti të vogël."

Ngjyrave iu ka dalë boja. Por kjo nuk ka ndodhur me idetë e Hambah-ut, për të cilat mund të binden çdo vit rreth 100 mijë vizitorët e kështjellës dhe ekspozitës. Edhe politikanët e sotëm marrin vendime nën frymën dhe aspiratat e Hambahut, gjë që vërtetohet nga nënshkrimet në librin e kujtimeve të vizitorëve, si p.sh. nga Jacque Chirac, Gerhard Schröder dhe nga kryeministri polak Alexander Kvasnievski me rastin e një vizite të përbashkët në kështjellë. Nga Polonia vijnë rregullisht vizitorë në Hambah, dhe për këtë u shpreh njëri nga anëtarët e një delegacioni polak: "Këtu në Pfalz ne pritemi me kaq përzemërsi, ndërsa në vende të tjera të Gjermanisë me ne njerëzit janë më të rezervuar."


  • Data 27.05.2007
  • Autor Anastassia Boutsko dhe Dietrich Schlegel:
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqwZ
  • Data 27.05.2007
  • Autor Anastassia Boutsko dhe Dietrich Schlegel:
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqwZ