1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

030310 Frauenkonferenz Peking

6 Mars 2010

Qysh nga 1 marsi për dymbëdhjetë ditë me radhë në OKB në Nju Jork vëmendja është përqëndruar tek çështja e gruas. Në takimin vjetor të Komisionit të OKB-së mbi gjendjen e gruas synohet të nxirret një bilanc.

https://p.dw.com/p/MLt3
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon dhe zv/sekretarja e federatës mbarëkineze të grave Meng Xiaosi. 3.3.2010.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon dhe zv/sekretarja e federatës mbarëkineze të grave Meng Xiaosi. 3.3.2010.Fotografi: dpa

Në përgatitjet për jubileun e Platformës së Aksionit të Pekinit në Nju Jork, Komisioni i OKB-së për Ekonominë dhe çështjet Sociale organizoi nëntorin e kaluar një takim në Gjenevë. Në të u diskutua edhe teksti i rezolutës, që tani pritet të miratohet në Asamblenë e Përgjithshme në Nju Jork. Një tekst ky që, Fanny Benedetti, eksperte në Ministrinë e Jashtme franceze, e konsideron të mangët: „Drejtuesit e veprimtarisë në takimin Pekini plus 15, Senegali dhe Japonia, kanë rinxjerrë thjeshtë deklaratën e takimit para pesë vjetësh. Një tekst teknik dhe në formë skice, të cilit nuk i kanë shtuar asgjë. Pas kësaj fshihet frika, se diskutimet mund të dalin jashtë temës duke mos pasur asnjë rezultat. Kjo ka të bëjë pra me frikën, se në Nju Jork nuk mund të arrihet konsensus për një deklaratë të përbashkët.“

Pa garantimin e të drejtave për gratë nuk ka plotësim të objektivave të mijëvjeçarit

Ky tekst i përgatitur në Gjenevë në fakt përfshin pesë artikuj të shkurtër. Në to theksohet deklarata e samitit të gruas në Pekin dhe Platforma e Aksionit e vendosur atje. Platforma e Aksionit synon që të verë në lëvizje qeveritë në mbarë botën, që ndër të tjera të marrin masa efikase kundër varfërisë në rritje të gruas, për vendosjen e barazisë në arsimimin e gruas, garantimin e një kujdesi të përshtatshëm shëndetësor dhe në radhë të parë synohet, që qeveritë t' i kundërvihen me efektivitet në të gjitha nivelet dhunës ndaj gruas.

Pllakatë kundër abuzimit të grave. Monrovia, Liberi.
Pllakatë kundër abuzimit të grave. Monrovia, Liberi.Fotografi: UNMIL

Ndërkohë përshëndeten disa suksese duke nënvizuar njëkohësisht se zbatimit të këtij plani i dalin përpara disa sfida dhe pengesa. Në radhë të parë rezoluta thekson, që objektivat e Deklaratës së Mileniumit të OKB-së mund të realizohen vetëm për zbatimit të plotë të Platformës së Aksionit të Pekinit.

Zelli ndërkombëtar është zbehur

Në këtë sfond diplomatja franceze Fanny Benedetti pret fjalë të qarta në rezolutën, që do të miratohet në Nju Jork. Ajo druhet, se tashmë është zbehur zelli mbarëbotëror që u shpreh në samitin e OKB-së për gruan para 15 vjetësh në Pekin. Debati në OKB për çështjet e të drejtave të njeriut ka mbetur në vendnumëro: "Në politikë ne prej kohësh po përjetojmë një prapaktheu në relativizimin kulturor. Kjo është pengesa kryesore në përpjekjet për të avancuar me të drejtat e gruas. Në bisedimet e sotme në OKB, si në Gjenevë edhe në Nju Jork, çdo ditë bëhet fjalë për sulme ndaj fesë, për larminë kulturore e kështu me radhë. Të gjitha këto janë shkas për të vënë në pikëpyetje të drejtat universale të njeriut."

Kritika: vendet e Organizatës Islamike kundër çdo përpjekjeje për konsolidimin e të drejtave të grave

Më kot ekspertja e qeverisë franceze është përpjekur të tërheqë BE-në për një deklaratë të qartë kundër këtyre përpjekjeve në takimin e Nju Jorkut. Përfaqësuesja e organizatës joqeveritare Bernice Dubois, e cila përfaqëson në Nju Jork seksionin francez të lobit evropian të gruas, dyshon, se do të haset në konfrontim dhe rezistencë kundër asaj çfarë është arritur: "Para së gjithash qysh pa filluar takimi i OKB-së në Nju Jork thuhej se nuk do të arrihet ne një marrëveshje të përbashkët. Çfarë fshihet pas kësaj? Janë 57 vendet e Organizatës Islamike. Këto 57 vende në çdo rast do të votojnë kundër gjithçkaje që synon të çojë përpara të drejtat e gruas. "

Përparime konstatohen edhe në disa vende islamike

Sidoqoftë në takimin në Nju Jork marrin pjesë edhe një sërë organizatash joqeveritare nga vendet islamike. Këto organiazata konstatojnë përparime edhe në vendet me popullsi kryesisht myslimane. Organizata joqeveritare "Equality now" përmend shembuj për shfuqizimin e ligjeve diskriminuese: në Marok dhe në Jordani nuk ka më falje për ata që përdhunojnë, Kuvajti e shfuqizoi ligjin, që ndalonte votën e gruas në zgjedhje. Edhe në Turqi kanë ndryshuar ligjet për familjen, sipas të cilave burri përcaktohej si kryefamiljar. Në të kundërt në Afganistan vazhdon të jetë në fuqi ligji që i jep burrit të drejtën e kryefamiljarit, kritikon organizata "Equality now".

Iniciativa: deklaratë e përbashkët e 54 vendeve për luftën kundër dhunës ndaj grave

Objektivat e mijëvjeçarit nuk mund të arrihen pa garantim të të drejtave të grave.
Objektivat e mijëvjeçarit nuk mund të arrihen pa garantim të të drejtave të grave.Fotografi: DW-TV

Organizata ndërkombëtare e gruas për vendet frankofone ka rënë dakord me përfaqësues të qeverive nga 54 vende të frankofonisë, ndër to edhe vende arabe, afrikane dhe aziatike, që të nxjerrin një deklaratë të përbashkët me qëllim luftimin në mbarë botën të dhunës ndaj gruas. Shprehimisht në këtë deklaratë nënvizohen masat kundër martesave të detyrueshme, kundër gjymtimit të gjenitaleve të grave dhe të të ashtuquajturave vrasje për nder. Kanadaja do ta paraqesë këtë deklaratë në Asamblenë e OKB-së për gruan.

BE-ja do ta vendosë theksin në një tjetër aspekt duke insistuar tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, që sa më shpejt të jetë e mundur të zbatohet reforma e diskutuar prej vitesh. Me këtë synohet që të krijohet një instancë e re për çështjet e gruas, e ashtuquajtura Njësia - Gjinore. Nën drejtimin e një Sekretareje të Përgjithshme në këtë instancë duhet të bashkohen të gjitha organizatat ekzistuese të OKB-së për gruan.

Autor: Suzanne Krause / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani