1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

115 kardinalët fillojnë konklavën për zgjedhjen e Papës

Jörg Seisselberg18 Prill 2005

Rreth dy javë pas vdekjes së Papës Gjon Pali i II në Vatikan janë mbledhur 115 kardinalët katolikë nga e gjithë bota për të zgjedhur kryebariun e ri shpirtëror të kishës katolike.

https://p.dw.com/p/ArPh
Pamje nga kapela sikstine
Pamje nga kapela sikstineFotografi: dpa

Edhe gjatë zgjedhjes së Papës së ri, i cili sipas fesë katolike është përfaqësuesi i Krishtit në tokë, bëhet fjalë për aleanca, apo mënyra të tjera favorizimi të njërit apo tjetrit kandidat. Sipas fjalëve të gazetës "La Stampa" edhe shpirti i shenjtë përdor mjete njerëzore, e madje ndonjëherë edhe më njerëzore se sa duhet. Dhe ndërkohë që kardinalët votojnë, në të gjithë botën njerëzit vrasin mendjen se cili mund të jetë Papa i ri.

Askush në Romë nuk duket se ka ndonjë informacion se cili do të jetë Papa i ri, madje as njohësit më të mirë të Vatikanit. Një ndër ta, Marco Tosatti, autor i një libri për Vatikanin, thotë se edhe gazeta e Vatikanit "Osservatore Romano" nuk ka asnjë të dhënë se kush do të jetë pasuesi në fron i polakut Karol Vojtila.

"Gazeta "Osservatore Romano" ka përgatitur për ditën e shpalljes së vendimit 60 kryeartikuj të ndryshëm në të cilët flitet për kardinalët e mundshëm për t'u zgjedhur si Papë. Kjo dëshmon se kësaj here pasiguria është vërtet tepër e madhe." - thotë Marco Tosatti.

Gjatë ditëve të kaluara kardinalët u takuan 12 herë për të përgatitur zgjedhjen e Papës. E vetmja gjë që është e qartë pas këtyre takimeve është fillimi i konklavës më datën 18. prill por pa ndonjë favorit të qartë. Kjo të kujton gjendjen para 26 vjetësh, kur në fund të konklavës si Papë u zgjodh krejt papritur polaku, Karol Vojtila.

"Kemi një lloj ngjashmërie këtu, sepse edhe atëhere kardinalët nuk kishin arritur të binin dakord për ndonjërin. Fillimisht kishte dy kandidatë që bllokonin njëri-tjetrin. Edhe kësaj radhe ndoshta do të kemi një duel dhe për këtë shkak fitues do të dalë një kandidat i tretë." - mendon Tosatti.

Një ndër kandidatët që do të jetë në qendër të vëmendjes në votimet e para do të jetë gjermani Joseph Ratzinger. Rreth 40 deri 50 kardinalë kanë sinjalizuar se janë të gatshëm të votojnë për të si papë. Po të jetë kështu Ratzinger mund të llogarisë me numrin më të madh të votave në konklavë, por nga ana tjetër për t'u zgjedhur papë atij i nevojiten 77 vota. Kundër Ratzingerit, që bën pjesë në kampin konservator, janë kardinalët e moderuar që do të dëshironin që në këtë post të zgjidheshin Carlo Maria Martini, apo Donigi Tattamanzi. Edhe Martini është 78 vjeç, sikurse Ratzinger dhe është tepër i njohur si një teolog intelektual. Tettamanzini gëzon si simpatitë e konservatorëve edhe të kardinalëve të moderuar.

Pra të tre kandidatët do të bllokojnë njëri-tjerin dhe për këtë asnjëri prej tyre nuk do të arrijë dy të tretat e votave. Për këtë është ende e paqartë se kush do të zgjidhet Papë me kompromis, si në rastin e Vojtilës në vitin 1978. Gjithsesi edhe këtu dihen disa emra, si p.sh. kardinali latino-amerikan Jorge Bergoglio apo kiliani Francisco Javier Erràzuriz Osa, apo protugezët Jozé da Cruz Policarpo dhe Joze Saraiva Martines si dhe kanadezi Marc Oullet apo austriaku Christoph Schënborn.

Megjithë këto pasiguri në lidhje me përfundimin e konklavës një gjë është e qartë, ajo nuk do të zgjasë tepër gjatë. Nga Vatikani thuhet se kardinalët nuk mund t'i lejojnë vetes që të duken si të përçarë dhe për këtë mendohet se deri të mërkurën apo të enjten me datën 21.04. nga oxhaku i kapelës sikstine do të dalë tymi i bardhë, i cili sinjalizon "habemus papam" - se papa u zgjodh.