11 janari - Dita e Republikës! | Politika | DW | 10.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

11 janari - Dita e Republikës!

Shqipëria është e pavarur që prej shpalljes së pavarësisë më 28 Nëntor 1912, por zyrtarisht vendi ynë u shpall Republikë vetëm përpara 60 vjetësh, mbi 45 prej të cilëve ishin vite diktature

default

4 dhjetëvjeçarët e parë, Republika Popullore e Shqipërisë u drejtua nga Enver Hoxha, i cili i ndërpreu studimet në Paris dhe u kthye në Shqipëri për të luftuar kundër okupatorëve italianë dhe gjermanë gjatë Luftës së dytë Botërore. Më 8 nëntor 1941 Enver Hoxha dhe shokët e tij krijuan partinë komuniste shqiptare, e cila mbështetej dhe këshillohej nga lëvizja jugosllave e partizanëve të Titos. Pas tërheqjes së trupave gjermane nga Ballkani, komunistët shqiptarë filluan një luftë të përgjakshme civile kundër organizatave të tjera çlirimtare në vend. Në tetor të vitit 1944, ata arritën të instalojnë një qeveri të përkohshme me Enver Hoxhën në krye. Më 11 janar të vitit 1946 Hoxha e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore.

Me këtë akt u hodh edhe hapi i parë për fatin e dhjetëvjeçarëve që do të vijonin, mendon Holm Sundhaussen, profesor pranë universitetit të Berlinit dhe drejtor i Qendrës për Historinë Evropiane: "Shqipëria ndoqi në fillim rrugën e Jugosllavisë. Jugosllavia u shpall republikë vetëm një muaj e gjysmë më parë se Shqipëria dhe madje edhe kushtetuta shqiptare e 14 marsit 1946, u përpilua dy muaj pas asaj jugosllave. Të dyja këto shtete morën si model kushtetutën e Bashkimit Sovjetik të vitit 1936. Kjo kushtetutë ishte si një program, i cili nuk kishte për qëllim izolimin e plotë por një shoqëri socialiste, që izolohej nga Perëndimi."

Pasojat e kësaj shoqërie ishin fatale. Regjimi i Enver Hoxhës filloi një spastrim masiv të të gjithë armiqëve potencialë dhe atyre realë. Mijëra shqiptarë u bënë viktimë e këtij aksioni. Pronat u konfiskuan, fabrikat dhe dyqanet u bënë pronë e shtetit dhe u vu në zbatim një reformë radikale agrare për të gjithë vendin.

Deri në vitin 1948 politika e jashtme e Shqipërisë u shoqërua nga konflikte të shpeshta me Greqinë dhe shtetet perëndimore si edhe nga një bashkëpunim i ngushtë me Jugosllavinë. Sipas planeve të Titos Shqipëria do të bëhej dikur republikë e Jugosllavisë. Madje edhe Bullgaria do të përfshihej dikur në këtë plan, i cili kishte si qëllim krijimin e një Federate të Ballkanit. Por kur në vitin 1948 Beogradi dhe Moska i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike mes vendeve të tyre, Enver Hoxha i ktheu krahët Titos dhe ju afrua Stalinit.

Por edhe kjo lidhje nuk do të zgjaste shumë kohë, tregon profesor Sundhaussen: "Erdhi një fazë e gjatë miqësore me Bashkimin Sovjetik të Stalinit, sepse Stalini konsiderohej si një hero i madh në Shqipëri. Madje edhe pas vdekjes së tij në vitin 1953, nuk ndryshoi asgjë. Ndërprerja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik ndodhi pas përpjekjeve të Nikita Hrushovit për të çrrënjosur gradualisht stalinizimin nga vendi i tij. Kritika e hapur që shprehu Hrushovi gjatë kongresit të 20 të partisë kundër politikës së Stalinit, pati si pasojë zbehjen e lidhjes mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik e pak kohë më pas ndërprerjen e plotë të saj."

Hoxha e ktheu vështrimin drejt Kinës, sepse edhe ky vend ndiqte të njëjtat parime dhe interesa: Ty dyja shtetet e e refuzonin tezën e Hrushovit për çrrënjosjen e stalinizmit në Bashkimin Sovjetik dhe për bashkëekzistencën paqësore mes shteteve socialiste dhe atyre kapitaliste. Por pas vdekjes së Maos në vitin 1976, Kina ju afrua sërish Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-s. Enver Hoxha i deklaroi të përfunduara marrëdhëniet me Kinën duke e izoluar kështu vendin krejtësisht.

Sipas profesorit Sundhahusen kjo strategji është tipike për një diktaturë: "Transformimi i Enver Hoxhës nga një internacionalist në një nacionalist, dhe kulti që u krijua mbi personin e tij, patën si pasojë një strategji të re. Kjo strategji kishte për qëllim izolimin nga çdo ndikim të jashtëm dhe mbylljen totale të vendit nga Perëndimi e deri në Lindje. Dhe kështu Enver Hoxha krijoi diktaturën e tij, fjalë tjetër nuk ekziston për këtë sistem."

Një diktaturë me pasoja të rënda për popullsinë: Shqipëria u varfërua dhe u izolua komplet. Edhe pas vdekjes së Enver Hoxhës më 11 prill 1985, nuk ndryshoi gjë. Ramiz Alia mori me postin e kryetarit të shtetit edhe vazhdimin e politikës së Enver Hoxhës mbi supe.

Por me rënien e të ashtuquajturës "perde e hekurt" në fund të viteteve 80 u rrëzua edhe sistemi komunist shqiptar. Dhjetëra mijëra shqiptarë morrën arratinë me anije apo nëpërmjet ambasadave të huaja, studentët filluan protesta masive dhe Ramiz Alia dha dorëheqjen. Vijuan zgjedhje të lira dhe në vitin 1992 Republika Popullore e Shqipërisë mori emrin Republika e Shqipërisë.

Por edhe gjatë viteve që pasuan nuk u kthye qetësia në vend. Ndryshimi i shpeshtë i qeverive dhe luftërat e pafundme për pushtet mes liderit demokratik Sali Berisha dhe atij socialist Fatos Nano, nuk ndikuan aspak në mënyrë të favorshme për zhvillimin e Shqipërisë. Shqipëria lufton edhe sot me problemet ekonomike, korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Por qëllimi i Shqipërisë është i qartë: Antarësim në BE. Profesori Holm Sundhaussen është optimist: "Mendoj se Shqipëria do të bëhet herët a vonë pjesë e BE-së. Kjo është vetëm një çështje kohe sepse në rast se procesi i zgjerimit të BE-së do të vazhdojë me ritme të tilla, atëherë Shqipëria do të jetë së shpejti e rrethuar nga shtete anëtare të BE-së. Prandaj integrimi i Shqipërisë në BE duhet të vijë sa më shpejt, por sidoqoftë ai do të jetë një proces i vështirë."

  • Data 10.01.2006
  • Autor Sonila Harasani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqrI
  • Data 10.01.2006
  • Autor Sonila Harasani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqrI