108 familje rome zhvendosen nga kampet në ″Lagjen e Romëve″ në veri të Mitrovicës | Shoqëria & Kultura | DW | 05.05.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

108 familje rome zhvendosen nga kampet në "Lagjen e Romëve" në veri të Mitrovicës

Prej vitesh ato jetojnë në "Osterode" dhe "Qesmin Lug". Zgjidhja është bërë me donacionet e Komisionit Evropian dhe të USAID-it amerikan në vlerë prej 7 milionë eurosh, shtëpitë do të ndërtohen në pronat e komunës.

Mitrovica

Mitrovica

Në "Lagjen e Romëve" në veri të Mitrovicës po ndërtohen 140 shtëpi për 108 familje, që prej vitesh jetojnë në qendrat kolektive "Osterode" dhe "Qesmin Lug". Zgjidhja është bërë me donacionet e Komisionit Evropian dhe të USAID-it amerikan në vlerë prej 7 milionë eurosh, shtëpitë do të ndërtohen në pronat e komunës.

Radhë barakash, gra e burra, që shetisin nëpër oborr dhe fëmijë, që ngarendin pas çdo vizitori, është imazhi i parë në kampin „Osterode“, në jug te Mitrovices, ku qindra familje te komuniteteve rom ,ashkalinj dhe egjiptas jetojnë në kushte të rënda sociale. Habib Hajdini, 41 vjec, banor i “Lagjes së Romëve”në veri të qytetit, është përfaqësues i romëve në këtë kamp, në jug të tij.

Flüchtlingslager namens Osterode

Kampi Osterode

„Për momentin janë afro 108 familje, një pjesë e tyre janë të “Lagjes se Romeve”, disa janë nga komunat e tjera dhe disa të tjerë të Tunelit të Parë dhe Stari Tërgut. Këtu, siç po e sheh, jeta është katastrofale. Që 11-të vjet jemi nëpër kampe të tilla…“.

Mira Hajrizi, me baba serb, nënë maqedone dhe e martuar për rom, është banore e këtij kampi.

„Jetë e varfer. S´ka kushte. Kurrfarë shteti. Jemi 16 anetarë familjeje dhe jetojmë nga grumbullimi i hekurit, aluminit e bakrit, të cilat i mbledhin bijte e mi nga kontejnerët, si dhe nga ndihma sociale prej 75 eurosh.„

Edhe në mjerim jeta vazhdon

Një rrugë e rrëpirët rrethuar me mbeturina i paraprin kampit „Cesmin Lug“, në të cilin në kushte të tilla jetojnë edhe 43 familje të tjera të komuniteteve RAE. Por imazhet, që ndërrohen parasysh gjatë ecjes mes barakave të ndara nga njëra-tjetra me nga një metër vend, tregojnë se edhe në kushte të tilla jeta ecën tutje.

Bilder vom Auffanglager für Roma in Mitrovica, Kosovo

Kampi Cesmin Lug në veri të Mitrovicës

Dhe kur nga barakat në krye të kampit dëgjohet një melodi rome, nën tingujt e së cilës vallezojnë një grup banorësh, kjo dëshmon se si këto komunitete edhe mes mjerimit e varfërisë dinë të gjejnë të bukurën e jetës. Jetë, e cila nuk ishte e lehtë për ta pothuaj asnjëherë!

“Një numër i vogel punojnë në punë të shtetit e të tjerët jetojnë nga sociali, apo punojnë gjithqysh, prej ngarkim-shkarkimit, hapjes së kanaleve, etj. Kjo s´është jetë…Ndërsa, për ne është plus i madh largimi prej këtu se jeta e kampeve dhe jeta në shpine tënde, ndryshojnë qind per qind”-thote Latif Masurica, 44 vjeç, baba pesë fëmijëve, përfaqësues i kampit “Qesmin Lug”.

Hixhrije Qazimi, 34 vjeçare, tash e 11-te vjet jeton në njërën prej këtyre barakave.

“Tash, inshallah do Zoti e shkojmë se valla kemi qejf edhe na me e pas ndonjë shpi tonën...”.

„Shpia është më ndryshe nga barakat, se këtu një shi,, kur po bjen, krejt po pik brënda. Veç te unë me ardhë qysh asht krejt lagështi, mirë që i kam fëmijët gjallë!”-shton Eminja, 21 vjeçare, e cila banon në një dhomë me bashkëshortin, vjehrrën dhe të kater fëmijët.

Duke e parë këtë gjëndje të vështirë, Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka vendosur të bëjë zgjidhje duke bërë rregullimin urban të “Lagjes së Romëve” dhe ndarjen e parcelave për familjet, të cilat kane banuar në këtë lagje deri në vitin 1999.

Stadt Mitrovica im Kosovo

Mitrovica

“Në kampin „Osterode“ janë 108 familje, ndërsa në kampin „Qesmin Lug“ janë 43 famlije. Kushtet janë jashtezakonisht të rënda, siç e shihni edhe vetë", shpjegon për Dojce Velen Mehdi Bala, drejtor i drejtorise per planifikim, urbanizëm kadastër dhe pronë në KK të Mitrovicës. Por tashmë së bashku me donatorët kemi bërë zgjidhje dhe pas gjashtë objekteve të banimit kolektiv për komunitetin RAE, me ndihmën e donatorëve po implementohet projekti për ndërtimin e 140 shtëpive të tjera. Pjesa e parë janë 50 shtëpi me donator USAID-in amerikan, ndërsa pjesa e dytë është 90 shtëpi, me donator Komisionin Evropian. Implementimin e projektit e bën Mercy Corps. Shtëpitë po ndërtohen në pronën dhjetëhektarëshe të komunës, ndërsa kostoja e përgjithshme e projektit është 7 milionë e 500 mijë euro”.

Shpërbërja e kampeve të kontaminuara me plumb

Sipas drejtorit Bala me përfundimin e projektit për ndërtimin e 140 shtëpive dhe vendosjen e këtyre banorëve atje do te bëhet edhe shpërbërja e këtyre kampeve të kontaminuara me plumb. Ndërsa pjesë e këtij programi është edhe përkudesja shëndetësore, fusha e arsimit, si dhe hapja e vendpunimeve të reja. Mirëpo, Besim Bajrami, 37 vjeçar, baba i një vajze s´është shumë optimist për të ardhmen e tij.

„Ata që në “Lagjen e Romëve” kanë me i hangër blloka e tulla. Pa punë mos t´kthehen hiç, se s´iu vyen. Unë qe dy vjet jam kthy e kurrfarë ndihme s´kam. Tre muaj e kam prit socialin e menxi ma kanë ndreq. Unë po e kallxoj t´vërtetën e Zotit!“

Flüchtlingslager namens Osterode

Një grua rome tregon kushtet e jetesës në kampin Osterode

Komisioneri për të drejtat e njeriut Tomas Hammarberg, në vizitën e para pak kohe në Kosovë këto kampe i quajti “skandal për Evropën e shekullit 21”. Me këtë u intensifikuan edhe përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi. Kështu krahas ndërtimit të gjashtë objekteve të banimit kolektiv me 72 apartamente për komunitetin rom, në “Lagjen e Romëve” në veri të Mitrovices, të mundësuara nga Këshilli Danez për Refugjate(DRC), tashmë me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe të USAID-it amerikan është mundësuar ndërtimi i 140 shtëpive të tjera për romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit e Mitrovicës, të cilët jetojnë në kampet, “Qesmin Llug” dhe “Osterode”.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 05.05.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/NFAU
  • Data 05.05.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/NFAU