100 shoqëri të pasigurta ajrore në listën e zezë | Evropa | DW | 23.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

100 shoqëri të pasigurta ajrore në listën e zezë

Lufta për mbizotërimin e hapësirës ajrore evropiane po ashpërsohet gjithnjë e më shumë. Linjat ajrore që ofrojnë fluturime të lira po shtohen si kërpudhat pas shiut, por ato nuk përmbushin të gjitha standardet e vlefshme në BE.

Aeroporti i Frankfurtit mbi Main

Aeroporti i Frankfurtit mbi Main

Për shkak të mangësive dhe kontrolleve të pamjaftueshme të sigurisë në vendet përkatëse, BE-ja ka vendosur në të ashtuquajturën "lista e zezë" gati 100 shoqëri ajrore. Edhe në Zvicër dhe në Norvegji do të jetë në fuqi ndalimi i fluturimit për këto shoqëri.

Përpara se t´u drejtohesh agjencive turistike ia vlen t´u hedhësh një vështrim ofertave në internet - jo vetëm për të krahasuar çmimet, por edhe për arësye sigurie. Kjo pasi BE-ja publikon në një faqe të re interneti "listën e zezë" të shoqërive të pasigurta ajrore, të cilat sot e tutje nuk do të lejohen, ose do të kenë kufizime për fluturimet në vendet e BE-së.

92 shoqëri ajrore jo nga vendet e BE-së janë përfshirë në listën e vendeve antare mbi bazën e kritereve unike. Shumica e këtyre shoqërive janë nga Kongo, Sierra Leone, Guinea dhe Liberia. Të prekura janë edhe shtetet aziatike si Korea e Veriut, Tajlanda dhe Kazakistani. Në Afrikë, sipas komisionerit të BE-së për komunikacionin, Zhak Barro, ekipi mbikqyrës dhe pajisjet teknike të këtyre shoqërive janë me mangësi: "Eshtë e vërtetë që veçanërisht në Afrikë ka një sërë avionësh, që janë prodhuar në ish-Bashkimin Sovjetik. Këta avionë herë pas here riparohen si të thuash me mbadhoma dhe mirëmbajtja e tyre lë mjaft për të dëshiruar."

Disa shoqërive u është ndaluar aktiviteti si përshembull shoqërisë Ariana nga Afganistani. Kjo shoqëri këtej e tutje do të lejohet të funksionojë vetëm me një avion të tipit Airbus. Të gjithë avionët e tjerë të saj janë ndaluar për qarkullim. Me këtë listë synohet të pengohet që avionët e shoqërive të ndaluara të merren me qira nga shoqëritë charter për fluturimet në sezone pushimesh, tha komisioneri Zhak Barro: "Avantazhi i "listës së zezë" është, që ne pengojmë që udhëtarët evropianë brenda një afati të shkurtër të prenotojnë linja të pasigurta ajrore nëpërmjet shoqërive të pasigurta charter."

Lista duhet të aktualizohet çdo tre muaj. Nëse një shoqëri ajrore, pasi janë bërë prenotimet në të klasifikohet si e pasigurtë, të gjithë udhëtarët kanë të drejtë të kërkojnë zhdëmtim të plotë."

Në internet qarkullojnë një sërë listash kombëtare si: në Zvicër, në Britaninë e Madhe, në Francë dhe në Belgjikë. Këto do të mbulohen këtej e tutje nga lista e BE-së që vlen për të gjitha vendet antare. Përgjegjëse për verifikimin e sigurisë së avionëve të shoqërive ajrore është Agjencia Evropiane e Sigurisë së Fluturimeve me seli në Këln. Edhe Shoqata Ndërkombëtare e Linjave Ajrore, IATA, publikon statistika për aksidentete, rëzimet dhe mangësitë në siguri. Këto të dhëna megjithatë duhet të paguhen.

Ministrat e komunikacionit të BE-së kanë rënë dakord për hartimin e një liste negative, pasi vitin e kaluar janë rëzuar disa avionë charter dhe si pasojë kanë gjetur vdekjen qindra qytetarë të BE-së. Së fundi më 14 gusht një avion qipriot u copëtua duke rënë pa pilot në malet e Athinës. Si rjedhojë linjat e falimentuara janë regjistruar në "listën e zezë" të BE-së.

Sipas mendimit të zyrës gjermane të mbikqyrjes, zyra kombëtare e fluturimeve ajrore, kjo listë është e rëndësishme për rritjen e transparencës. Shoqata ndërkombëtare e pilotëve, Ifalpa, e sheh këtë me sy kritik. Kryetari i kryesisë së saj Georg Fongern tha së fundi, se "lista e zezë" nuk presupozon patjetër siguri të plotë. Sepse në të kryesisht bëhet fjalë për shoqëritë ajrore që kërkojnë të drejta fluturimi në vendet e BE-së. Por jo çdo shoqëri ajrore që nuk përfshihet në këtë listë, është vërtetë e sigurtë, thotë kryetari i kryesisë së shoqatës ndërkombëtare të pilotëve.

  • Data 23.03.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBe
  • Data 23.03.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBe