10-vjetori i hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Maastrichtit | Politika | DW | 29.10.2003
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

10-vjetori i hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Maastrichtit

Dokumenti që miratuan krerët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian në mes të dhjetorit 1991 në Maastricht dhe që hyri në fuqi në 1 nëntor 1993 ishte një etapë e rëndësishme. E gjithë baza ligjore e Bashkimit Evropian u ristruktura, pasi në dekadat e fundit ishte krijuar një xhungël e padepërtueshme marrëveshjesh. Për bashkimin e shteteve në takimin e nivelit të lartë të Maastrichtit u përcaktuan tri shtylla: E para, politika ekonomiko-monetare evropiane; e dyta, politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë; dhe së fundi, bashkëpunimi në fushën e politikës së rendit dhe të drejtësisë.

Por mbi të gjitha Maastrichti ishte fillimi i bashkimit ekonomik e monetar në Evropë. Atje u përcaktua orari deri në futjen në qarkullim të monedhës euro në fillim të vitit 2002, u formuluan kriteret e vlefshme për çdo vend për futjen e monedhës së njësuar. Vetëm ato vende që e kishin nën kontroll defiçitin buxhetor vjetor dhe borxhet e jashtme kishin të drejtë të hynin në zonën e euros. Për këtë qëllim u përcaktuan kufij të sipërm me qëllim detyrimin e shteteve për të bërë ekonomi.

Së dyti në Maastricht u fol për të parën herë për politikë të përbashkët të jashtme dhe sigurie. Edhe më parë shtetet anëtare kishin synuar një bashkërendim më të mirë, në marrëveshjen e vitit 1986, por vetëm me Marrëveshjen e Maastrichtit Bashkimi Evropian merrte përsipër marrjen e qendrimeve të njësuara në çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Në marrëveshje thuhej, se në planin afatgjatë pjesë e kësaj do të ishte edhe politika e përbashkët e mbrojtjes.

Së treti në marrëveshje u sanksionua bashkëpunimi mbarevropian në fushat e drejtësisë dhe të rendit. Projekt prove për këtë u bë Marrëveshja e Shengenit e vitit 1985, si pasojë e së cilës fillimisht shtatë shtete i hoqën gradualisht kontrollet e kufijve. Kjo kushtëzoi njëkohësisht një politikë të përbashkët azili dhe imigrimi. Në Maastricht u vendos gjithashtu që lufta kundër kriminalitetit të bashkërendohej më mirë. Për këtë qëllim udhëheqësit vendosën të krijohej organi policor EUROPOL.

Por Maastrichti ndryshoi edhe strikturën e institucioneve evropiane. Parlamenti Evropian fitoi më shumë të drejtë fjale. Me komitetin për rajonet u krijua për të parën herë një përfaqësi interesash në nivel evropian për qeveritë dhe parlamentet rajonale.

Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Maastrichtit deri në hyrjen përfundimisht në fuqi kaluan gati dy vjet. Në tre vende pati referendume lidhur me të. Në njërin prej tyre, në Danimarkë, ajo nuk u miratua. Danezët thanë po vetëm pasi iu lejuan përjashtime. Lëshime të ngjashme pati edhe për Britaninë e Madhe, ku parlamenti bllokoi për kohë të gjatë, kështu që Marrëveshja e Maastrichtit fitoi vetëm në 1 nëntor 1993 futi ligjore.


  • Data 29.10.2003
  • Autor Klaus Dahmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqwE
  • Data 29.10.2003
  • Autor Klaus Dahmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqwE