10-vjet pas ngjarjes së tmerrshme të Srebrenicës! Dënohet gjenocidi | FOKUS | DW | 11.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

10-vjet pas ngjarjes së tmerrshme të Srebrenicës! Dënohet gjenocidi

Institucionet e Kosovës, masakrën e Srebrenicës, e cilësojnë ngjarjen më të dhimbshme që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ndërsa, rikujtojnë se edhe populli i Kosovës është përballur me shfarosjen dhe gjenocidin pikërisht nga projektuesit e masakrave të tilla si ajo e Srebrenicës. Sot, në shënimin e dhjetë vjetorit te masakrës së Srebrenicës, institucionet e Kosovës, konsiderojnë se parakusht për rivendosjen e marrëdhënieve të mira dhe të besimit në mes popujve të rajonit është kapja dhe gjykimi i të gjithë atyre që janë përgjegjës për masakrën e Srebrenicës

Myslimanë boshnjakë pranë një varri masiv në Srebrenicë

Myslimanë boshnjakë pranë një varri masiv në Srebrenicë

Institucionet qëndrore të Kosovës, i janë bashkuar qëndrimit ndërkombëtar, i cili dënon dhunën e gjenocidin, të ushtruar 10 vjet më parë, në Srebrenicë dhe gjithandej në Bosnjë-Hercegovinë. Me këtë rast dënohet masakra e forcave serbe ndaj civilëve boshnjakë të Srebrenicës, ndërkaq, kërkohet nga institucionet në Serbi, që të distancohen nga njerëzit që kanë bërë këtë masakër. Qeveria e Kosovës, masakrën e Srebrenicës, e cilëson ngjarjen më të dhimbshme që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Ajo rikujton se edhe populli i Kosovës është përballur me shfarosjen dhe gjenocidin pikërisht nga projektuesit dhe ekzekutuesit e masakrave të tilla si ajo e Srebrenicës, andaj në mënyrë të veçantë bashkëndjen dhembjen me viktimat e kësaj masakre, e cila nuk guxon të përsëritet më kurë. Nxjerrja para gjyqit e të gjithë përgjegjësve të masakrës së Srebrenicës thuhet në deklaratën e qeverisë, do të thotë fitore për drejtësinë dhe një lloj lehtësimi për viktimat e kësaj masakre. Kuvendi i Kosovës, ndërkaq, në një seancë plenare miratoi një Rezolutë me të cilën dënohet masakra e forcave serbe ndaj civilëve boshnjak të Srebrenicës, dhjetë vjet më parë. Ligjvënësit kosovar angazhohen për funksionim energjik dhe efikas të drejtësisë ndërkombëtare duke kërkuar dënime meritore kundër autorëve dhe urdhërdhënësve të krimeve të gjenocidit. Kuvendi i Kosovës kërkon nga parlamentarët dhe nga të gjitha forcat demokratike e paqedashëse në Serbi, distancim të qartë nga politika e gjenocidit dhe bashkëngjitje të vendosur e konstruktive përpjekjeve të përbashkëta për zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme e demokratike të çështjeve të pazgjidhura. Eliminimin e shkaqeve të konfliktit, pamundësimin e politikave që prodhojnë tragjedi si masakra e Srebrenicës dhe krijimin e perspektivës së paqes, stabilitetit, progresit, bashkëpunimit e fqinjësisë së mirë për të gjithë popujt e rajonit. Kjo rezolutë në Kosovë ndërkaq, është hartuar nga Komisioni Legjislativ i Kuvendit të Kosovës, me arsyetimin se edhe populli i Kosovës ka qenë objekt i së njëjtës ideologji gjenocidale, si pasojë e së cilës është suspenduar rendi ligjor dhe është instaluar regjimi i aparteidit, që ka rezultuar me terror dhe gjenocid. Sot në shënimin e dhjetë vjetorit te masakrës së Srebrenicës, institucionet e Kosovës, konsiderojnë se parakusht për rivendosjen e marrëdhënieve të mira dhe të besimit në mes popujve të rajonit, është kapja dhe gjykimi i të gjithë atyre që janë përgjegjës për masakrën e Srebrenicës. Dënimi i kriminelëve të luftës sipas ekzekutivit kosovar përbën edhe një zhvillim pozitiv, si dhe një mundësi për të mësuar të vërtetën për luftën dhe tragjeditë që ka ndodhur në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar.

  • Data 11.07.2005
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqjw
  • Data 11.07.2005
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqjw