1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

[No title]

5 Mars 2005

Tema të kësaj pasqyre shtypi janë: komentimi i marrëveshjes së arritur për shpëtimin e tri fabrikave të Opelit në Gjermani dhe vorbulla publike e shkaktuar prej kryetarit të lidhjes rinore të Partisë Liberale në Gjermani.

https://p.dw.com/p/ArwS

Në lidhje me temën e parë. Me lëshime të theksuara të punësuarit e Opel-it garantuan mosmbylljen e asnjërës prej tri qendrave të sipërmarrjes amerikane në Gjermani. Për rimëkëmbjen e firmës ata u detyruan të pranojnë shkurtimin e 9.000 vendeve pune, orare pune më fleksible dhe ulje të pagës.

Lidhur me zhvillimet tek prodhuesi i automjeteve gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan:

Koncerni General Motors ka planifikuar përsëri një plan shëndoshjeje, i cili synon t'i nxjerrë nga humnera e humbjeve milionëshe firmat Opel, Saab dhe Vauxhall. Sipërmarrjet duhet të nxjerrin përsëri fitime, përndryshe do të zhduken nga harta e prodhuesve të automjeteve dhe bashkë me to edhe vendet e mbetura të punës. Drama duhet të jetë e qartë për secilin: garanci mbijetese për Opelin nuk ka, dhe për markën edhe më të dobët Saab jo e jo. Por koncerni nuk i është futur problemit strukturor: ai zotëron tepër fabrika, në të cilat mund të prodhojë më shumë automjete sesa është në gjëndje të shesë. Shifrat e xhiros janë të këqija, ndërsa mjedisi koniunkturor i turbullt. Të besosh se qendrat e prodhimit do të punojnë së shpejti me kapacitet maksimal dhe se punëtorët mund t'i kalojnë pa shqetësime portat e sipërmarrjes është optimizëm puro.

Po për të njëjtën temë në gazetën më të shitur, Bild, lexojmë:

Po fryn erë e ftohtë dhe kjo jo vetëm për shkak të stinës. Megjithatë është erë freskuese. Raunde pa rritje page, pagë e trembëdhjetë më e ulët, kohë pune nga 30 deri në 40 orë në javë, 35 orë që paguhen mesatarisht. Askush nuk e ka të lehtë të pranojë lëshime të tilla; por me anë të tyre është siguruar të paktën deri në vitin 2010 ekzistenca e Opelit në Rüsselsheim, Bochum dhe Kaiserslautern. Në kohë të mira punëtorët e Opelit kanë fituar 20 për qind mbi tarifën (ky është niveli i pagës që përcaktohet në marrëveshjen midis punëdhënësve dhe punëmarrësve). Që tani nuk u duhet t'i mbyllin fabrikat këtë ia detyrojnë aftësisë së tyre, arsyes së tyre dhe zotësisë së këshillit të tyre punonjës. Krenar për punën e vet, duke prodhuar tani automjeve vërtet të mira nga modeli Astra deri tek ai Vectra, Opeli po bën realitet thënien e reklamës së vet: Mendim i ri për automjete më të mira. Kompromisi midis General Motors-it dhe Opelit është sinjal për Gjermaninë. Semaforët po kalojnë përsëri në të gjelbër.

***

Kalojmë tek tema e dytë, tek e ashtuquajtura aferë e lugës. Për arsye të vërejtjeve përçmuese për të moshuarit kryetari i organizatës rinore të Partisë Liberale, Jan Dittrich, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij. Dittrich tha se kishte bërë gabim dhe se po nxirrte konsekuencat. Me anë të një deklarate të titulluar "Të moshuar, dorëzoni lugën!" ai ishte ankuar për ndarjen gjoja të padrejtë të barrës midis brezave. Kuptimi i idiomës është: të vdesësh.

Mbi këtë temë gazeta Dresdner Neueste Nachrichten shkruan:

Mendimet janë të lira, por për këtë arsye ato nuk duhen shprehur menjëherë në publik. Aq më tepër kur ato janë të papjekura dhe fyese, si ato të kryetarit të organizatës rinore të Partisë Liberale. I riu liberal mendoi se kishte ardhur koha që të moshuarit të dorëzonin lugën. Për këtë ai kërkoi falje dhe në mënyrë konsekuente dha e dorëzoi vetë lugën. Këtë duhet t'ia quajmë plus. Por ajo që mbetet është pyetja për kulturën politike në vend. Sepse jo vetëm politikanit të ri Dittrich i prodhoi truri mendime të dyshimta. Edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Kristiansociale, Markus Söder, po kritikohet aktualisht për fajësimin që i bën kancelarit Schröder në lidhje me krimet seksuale ndaj fëmijëve. Radha e daljeve nga binarët është e gjatë.