Ç′synon Kremlini me festimet për 9 Majin? | Evropa | DW | 18.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ç'synon Kremlini me festimet për 9 Majin?

Në kohën e Bashkimit Sovjetik dita e fitores mbi nazizmin dhe e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, 9 Maji, festohej çdo vit me madhështi: parada ushtarake, parakalime veteranësh, vendosje kurorash, ceremoni përkujtimore anë e mbanë vendit. Nevoja për ta festuar këtë festë edhe pas shpërbërjes së perandorisë sovjetike është e kuptueshme nisur nga viktimat e mëdha të Rusisë dhe popujve të tjerë të ish Bashkimit Sovjetik në këtë luftë. Ajo që të çudit nuk është pra fakti që po zhvillohen festa, por forma dhe përmbajtja e tyre.

Ushtari sovjetik, Militon Kantarija, nga Gjeorgjia duke ngritur më 2 maj 1945 flamurin sovjetik mbi Rajshtag.

Ushtari sovjetik, Militon Kantarija, nga Gjeorgjia duke ngritur më 2 maj 1945 flamurin sovjetik mbi Rajshtag.

A është me vend që kancelari gjerman Gerhard Shrëder të shkojë më 9 maj në Moskë për të marrë pjesë në festimet e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore? - pyesin politikanët e opozitës gjermane. Po, kjo është me vend. Tek e fundit diktatura naziste në Gjermani nuk do të mund të përmbysej pa kontributin e Ushtrisë së kuqe. Ishin ushtarët me yllin e kuq në kokoret e tyre të cilët çliruan kampet e përqëndrimit në Asushvic dhe Saksenhausen. Gjatë Luftës së Dytë Botërore humbën jetën rreth 20 milionë qytetarë të Bashkimit Sovjetik, disa thonë madje 30 milionë. Dhe pikërisht më 9 Maj do të nderohen këto viktima. Dhe për këtë është gjithashtu e drejtë që kancelari gjerman e pranoi ftesën e presidentit Vladimir Putin për të shkuan në Moskë.

A është me vend që kryetarët e tri shteteve baltike të shkojnë gjithashtu në kryeqytetin rus për të marrë pjesë në ceremonitë festive? Në Talin, në Rigë dhe në Vilnë kanë shpërthyer mosmarrëveshje për këtë çështje. Vendet baltike nuk ishin vetëm viktima gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas Paktit mes Hitlerit dhe Stalinit të tri këto vende ranë në vitin 1940 pre e Bashkimit Sovjetik. Për këtë një vit më vonë trupat gjermane u mirëpritën dhe u përshëndetën miqësisht. Bashkëpunimi me nazistët dhe pjesëmarrja në Holokaust që çoi në vrasjen e 300 mijë çifutëve të këtyre vendeve janë më tepër rregull se sa përjashtim. Ky kapitull i trishtueshëm i historisë së vendeve baltike nuk është përpunuar ende. Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk jepte shkas për të festuar për shumë estonezë, letuanezë dhe lituanezë. Kjo sepse vërtet prej vendit u dëbuan nazistët dhe kolaboratorët e tyre por fitorja e Moskës i vuri vulën përfundimisht okupimit të vendeve baltike prej Ushtrisë së kuqe. Si pasojë edhe këto vende u përfshinë nga diktatura komuniste e shoqëruar edhe me humbjen e përkohshme të pavarësisë së vendeve baltike. Ushtria e kuqe shkaktoi edhe vuajtje për banorët e kësaj zone. Ndër dëshmitë më të qarta është deportimi i rreth 800 mijë banorëve të vendeve baltike për në Siberi. Qeveria ruse e mohon këtë të vërtetë historike dhe për këtë presidentët e Lituanisë dhe Estonisë nuk do të shkojnë në Moskë për të marrë pjesë në ceremonitë festive. Edhe ky reagim është i kuptueshëm dhe me vend. Vetëm se udhëheqja e Moskës nuk ka mirëkuptim për qëndrimin e lituanezëve dhe estonezëve dhe reagon madje deri në një farë mase me agresivitet. Ajo vazhdon t`i mbajë në mënyrë artificiale në jetë mitet e harruara sovjetike. Ndër këto mite bëjnë pjesë për shembull pathyeshmëria e ushtrisë së kuqe, bashkimi gjoja vullnetar i vendeve baltike me pjesën tjetër të republikave të Bashkimit Sovjetik, apo i ashtuquajturi gjenialitet i Stalinit në drejtimin e ushtrisë sovjetike gjatë luftës i cili çoi drejt vdekjes mijra ushtarë sovjetikë edhe pse operacionet, parë edhe nga ana ushtarake, ishin marrëzi. Në rast se dikush dëshiron që të rehabilitojë qoftë edhe fare pak një ndër xhelatët e shekullit të kaluar, dhe ndër ta bën pjesë edhe Stalini, nuk mund të presë që viktimat dhe pasuesit e tyre ta simpatizojnë. Në prag të festimeve për ditën e 9 Majit në Moskë në radhët e polakëve, banorëve të vendeve baltike si dhe vendeve të tjera po rritet sërish mosbesimi kundrejt rusëve. Për këtë nuk ka pse çuditet njeri në Kremlin.
E vërteta historike e 9 Majit ka dy fytyra. Fitoren mbi nazizmin nga njëra anë por edhe përhapjen e diktaturës komuniste përtej kufijve të Bashkimit Sovjetik.
Gjatë muajve të kaluar Kremlini ka filluar një fushatë gjigande propagandistike sa që të detyron të shtrosh pyetjen nëse udhëheqja ruse dëshiron që me 9 Majin të nderojë miliona viktimat e Luftës së Dytë Botërore, apo që të kënaqë ambicjet e politikanëve të caktuar të cilët dëshirojnë t'i shpërdorojnë festimet për qëllime të tyre?

  • Data 18.03.2005
  • Autor Miodrag Soric
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArEy
  • Data 18.03.2005
  • Autor Miodrag Soric
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArEy