Çfarë pret Gjermania nga presidenca e radhës e Britanisë së Madhe në BE? | Evropa | DW | 30.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Çfarë pret Gjermania nga presidenca e radhës e Britanisë së Madhe në BE?

Të mësosh nga Tony Blair - me siguri kjo dëshirë ekzistonte në fillim të zgjedhjes së Gerhard Schröder-it kancelar. Vetëm pak kohë më vonë ai u morr vesh për një bashkëpunim të ngushtë me britanikun, çka u konkretizua në verën e 1999-ës me të ashtuquajturin Dokument Schröder-Blair. Në këtë manifest dy politikanët bëjnë reklamë për konceptin e tyre të përbashkët të një shteti dhe socialdemokracie moderne. Ndërkohë ky dokument është zhdukur në sirtar dhe programet e Schröder-it dhe Blair-it kanë kohë që nuk janë më të njëjta. Veçanërisht skeptik është Berlini tani në fillim të presidencës britanike të radhës në BE.

Tony Blair ka në gjashtë muajt e ardhshëm kryesinë e radhës në BE

Tony Blair ka në gjashtë muajt e ardhshëm kryesinë e radhës në BE

"Jam i trishtuar", u ankua Gerhard Schröder-i pas dështimit të takimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, por jo vetëm kaq: Kancelari nuk la pikë dyshimi për atë se kë konsideronte fajtor për gjëndjen e mjerë - kryeministrin britanik Tony Blair. Kush kërkon ta shkatërrojë Bashkimin Evropian për kryeneçësi kombëtare apo motive populiste bën mëkat ndaj brezave të ardhshëm, shkroi Schröder në mënyrë therëse në gazetën Bild. Në fakt kancelari nuk e përmendi emrin e Blair-it, por ishte e qartë se kujt i drejtohej mesazhi. Që para dështimit të takimit të Brukselit Schröder-i kishte shfryrë në parlament kundër rabatit britanik, pra kundër atyre favoreve që i bëhen Britanisë së Madhe në pagimin e kontributeve Bashkimit Evropian:

"Përballë faktit që Britania e Madhe për nga të ardhurat për frymë është e gjashta, por për nga pagesat është ndër të fundit nuk ka më justifikim të vërtetë për këtë rabat."

E Schröder-i nuk spekuloi me tërë mend se britanikët do të hiqnin dorë nga rabati pikërisht gjatë presidencës së tyre të radhës. Megjithatë, herët a vonë duhet arritur pajtim mbi buxhetin e Bashkimit Evropian për vitet 2007 deri 2013, përfshirë këtu edhe çështjen e vëllimit të subvencioneve bujqësore.

"Në rast se arrihet një kompromis gjatë presidencës britanike, ky do të jetë shumë pranë asaj që propozoi kryeministri luksemburgas Jean-Claude Juncker në natën e fundit të negociatave. Por do të shohim."

Kancelari gjerman nuk është vetëm në këtë pikë pak optimist, edhe modelin e vet për Evropën e konsideron rrënjësisht të ndryshëm nga ai i Tony Blair-it. Për Gerhard Schröder-in Bashkimi Evropian nuk është vetëm një treg i përbashkët, por një model i suksesshëm shoqëror e social, i lindur mbi gërmadhat e Luftës II Botërore. Por në fjalimin e tij para Parlamentit Evropian kryeministri britanik e hodhi poshtë pretendimin se ka ndër mend ta reduktojë Bashkimin Evropian në një hapësirë të përbashkët ekonomike. "Unë besoj tek Evropa si projekt politik", deklaroi Tony Blair, dhe kancelari Schröder komentoi:

"Më duhet të regjistroj se Blair-i bëri të qartë që është për një bashkim politik. Pritjet që duhen lidhur me këtë janë natyrisht që presidenca të punojë edhe në këtë aspekt - kjo do të jetë vendimtare."

Dhe edhe një pritje tjetër ka qeveria gjermane ndaj presidencës britanike të radhës në BE: Që megjithë jo-në në referendumet në Francë dhe Holandë kushtetuta të mos futet në ngrirje. Shprehjen "pauzë mendimi" ministri i jashtëm Joschka Fischer e kupton kështu:

"Për mua refleksion nuk do të thotë të rehatohesh, nuk është një shprehje tjetër për: të mos bësh asgjë. Në këtë pikë nuk mund t'i lejojmë vetes kurrfarë pushimi, as nga jashtë e as nga brenda; duhet të mendojmë jo vetëm seriozisht, por edhe ta mbajmë gjallë këtë proces."

  • Data 30.06.2005
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDw
  • Data 30.06.2005
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDw