Çfarë mesazhi la Papa në Gjermani | Politika | DW | 15.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Çfarë mesazhi la Papa në Gjermani

Papa Benedikti i 16-të përfundoi të enjten vizitën e tij gjashtë ditore në Gjermani. A la pas një mesazh? A vendosi kreu i një miliardë katolikëve në botë akcente të reja në udhëtimin e tij?

default

Ai që e njeh teologun Jozef Racinger, ai e di se në pontifikatin e tij nuk mund të priten shpërthime reformatore. Me të nuk do të ketë afrim tek protestantizmi, siç shpresohet nga protestantët. Darka e përbashkët është ende shumë larg. Edhe përsa i përket Celibatit ose rolit të gruas në kishë, ky Papë nuk do të shmanget asnjë milimetër nga doktrina tradicionale. Kjo do të thotë: problemet e kishës katolike do të mbeten edhe më tej të pazgjidhura.

Problemet e kishës katolike mbeten të pazgjidhura

Ajo që di të bëjë mirë gjermani në karrigen e Pjetrit janë analizat e mprehta të epokës. Këtë ai e konfirmoi edhe njëherë më shumë në këtë udhëtim të tij. Në predikime dhe në një referat në një shkollë, ai u pozicionua në mënyrë të qartë për problemet e postmodernizmit.

Tema e përgjithshme, së cilës ai i referohet herë pas here ishte raporti midis besimit dhe arsyes. Të përdorësh arsyen dhe të besosh tek Zoti, për Benediktin nuk janë kontradikta të papajtueshme. Besimi për të është thellësisht i arsyeshëm. Shpjegime që kanë të bëjnë thjesht me shkencat natyrore, sipas të cilave njeriu është vetëm një produkt rastësor i evolucionit, për të nuk qëndrojnë.

Papa kritikon perëndimin

Meqenëse arsyeja dhe feja për Papën nuk ndahen nga njëra-tjetra, ai sulmoi edhe perëndimin. Shoqëritë e sekularizuara, është kritika e tij, sillen përballë kulturave me profil fetar në mënyrë arrogante dhe pa treguar ndjeshmëri. Kjo i bën ato të paafta për një dialog. Në analiza të tilla Benedikti ka parasysh "luftën e kulturave" dhe konfrontimin e perëndimit me botën islame.

Papa bën thirrje për dialog

Për fenë islame ai megjithatë u shpreh edhe në mënyrë konkrete. Në bisedë me presidentin federal, Horst Köhler ai kërkoi intensifikimin e dialogut me myslimanët në Gjermani dhe integrimin më të mirë të tyre. Njëkohësisht, ai i bëri thirrje fesë islame dhe feve të tjera për një dialog të arsyes. Ai dënoi dhunën si mjet të përhapjes së besimit dhe veç kësaj shpalli refuzimin e çdo dhune të ndërrmarrë në emër të Zotit. Lufta e shenjtë, Xhihadi, sipas mendimit të Papës nuk mund të ekzistojë, pikërisht sepse besimi duhet të jetë përgjegjës para arsyes, pra të jetë edhe i hapur për një dialog me persona të besimeve të tjera ose me botën e sekularizuar.

Përfytyrimet e ndryshme për Zotin të Krishtërimit dhe fesë islame janë për Benediktin pengesa kryesore në dialogun ndërfetar. Një mesazh i ditëve tona, në këtë kuadër mund të ishte: në dialogun me fenë islame do të vendosen akcente të reja. Në qendër të vëmendjes duhet të avancojë një debat për përfytyrimet për Zotin të të dyja feve, për të cilat secila pretendon se ka kapitalin e së vërtetës.

Papa vizitoi atdheun e tij

Veç kësaj, udhëtimi i Papës në atdheun e tij ishte një lojë në territorin e vet. Bavaria është landi gjerman me formimin më të fortë katolik. Nëse gazeta Bild, një vit e gjysmë më parë e lajmëronte zgjedhjen e Jozef Racingerit si Papë me fjalët "ne jemi Papë", ndjenja "ne" vlen edhe njëherë më shumë për popullsinë bavareze. Në fund të fundit, Benedikti thuhet se ka thënë se në postin e tij, ai i përket të gjithë botës, por zemra e tij megjithatë mbetet bavareze.

Benedikti i 16-të arrin të depërtojë tek njerëzit. Ai shfaqet me modesti. Dhe në dallim nga paraardhësi i tij ai heq dorë nga moralizimet. Këtë e regjistrojnë të çliruar jo vetëm katolikët.

  • Data 15.09.2006
  • Autor Carola Hoßfeld
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqoZ
  • Data 15.09.2006
  • Autor Carola Hoßfeld
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqoZ