Çfarë drejtimi do të marrë Serbia? | Ballkani | DW | 08.05.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çfarë drejtimi do të marrë Serbia?

Në Beograd u mbajt seanca e parlamentit të Serbisë në një atmosferë shumë të nxehtë dhe shumë shpesh me fyerje. Radikali Tomisllav Nikoliq me votat e PDS të Koshtunicës zgjidhet kryetar i parlamentit të Serbisë.

Tomisllav Nikoliq

Tomisllav Nikoliq

Zgjedhjen e tij në këtë post e mundësuan votat e Partisë Demokratike Serbe, të kryeministrit Vojisllav Koshtunica. Kjo seancë ka shtuar mundësinë që Serbia në të ardhmen të ketë edhe një koalicion qeveritar të bllokut nacionalist.

Seanca e fundit e parlamentit, hoqi shumë maska në skenën politike të Serbisë. Me ndihmën e votave të Partisë Demokratike Serbe, të kryeministrit në detyrë, Vojisllav Koshtunica, për kryetar të institucionit më të lartë u zgjodh Tomisllav Nikoliqi, nënkryetar i Partisë radikale, të ultranacionalistit Vojisllav Sheshel, i cili në Hagë përgjigjet për krime lufte.

Shumë analistë e quajtën këtë hakmarrje të Koshtunicës ndaj presidentit të Serbisë, Boris Tadiq dhe Partisë Demokratike, për mospranimin e koalicionit qeveritar sipas diktatit të kryeministrit. Presidenti Tadiq deri dje shpresonte arritjen e kompromisit Koshtunicën. "Në këtë sekondë jam i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për koalicion, e cila parashikon kontrollin e përbashkët të strukturave të sigurisë. Ne kemi hequr dorë nga posti i kryeministrit dhe kemi pranuar shumë kërkesa të tjera të Koshtunicës. Kompromise mund të ketë, por jo edhe sa i përket strategjisë dhe drejtimit kryesor të Serbisë", tha Tadiq.

Ndërkohë që Koshtunica die përfaqësuesit e partisë së tij në parlament akuzuan Tadiqin dhe Partinë Demokratike për „tradhëti“ dhe se po punon „sipas diktatit të disa vendeve të huaja„.

Mosmarrëveshjet e fundit dhe dështimi i negociatave për krijimin e koalicionit qeveritar, kanë bërë që Koshtunica definitivisht të heqë dorë nga krijimi i një koalcioni qeveritar, të të ashtuquajturit bllok demokratik. Debati në parlament kaloi në një atfmosferë shumë të nxehtë. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Dushan Petroviq tha se vendimi i Partisë Demokratike Serbe, ka zbuluar fytyrën e vërtetë të Koshtunicës. Ndërsa lideri i liberalëve, Çedomir Jovanoviq i bëri thirrje Tadiqit, që të shkarkojë parelamentin dhe të shpallë zgjedhjet e reja.

„Koshtunica nuk mund të jetë kryeministër i Serbisë, sepse në këtë post mund të ketë një rol vendimtar në politikën e vendit. Ndërsa politika e tij është në kundërshtim të drejtëpërdrejtë me interesat e Serbisë", tha Jovanoviq. Ndërsa lideri Lidhjes socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak i bëri thirrje partisë së Koshtunicës që të rimendojë veprimet e saja.

"Me mbështetjen e zotit Nikoliq për postin e kryetarit të parlamenit, Serbia i humbë të gjitha shanset për krijimin e një qeverie të bllokut demokratik. Partia Demokratike Serbe ka dëshmuar se nuk është parti e bllokut demokratik", theksoi Çanak, i cili akuzoi radikalët për politikë lufte dhe politikë antievropiane.

Reagimi i sekretarit të përgjithëshëm të radikalëve, Aleksandar Vuçiq ishte edhe më i ashpër. Ai kundërshtoi politikën e autoriteteve të Bashkimit Evropian, Solanës dhe Oli Renit, duke shtuar: "Ju mund të pranoni rolin e gomarëve. Ne nuk do të pranojmë, sepse kemi vendin dhe popullin tonë, për të cilin duhet të kujdesemi. Ju me siguri që miqëve tuaj do të thoni: Kosova është pak i dashur (Andreas) Cobel (ambasadori gjerman në Beograd), mund ta merrni edhe Vojvodinën, Sanxhakun dhe pjesë të tjera tu Serbisë. Ne nuk do të pranojmë këtë."

Në parlament u dëgjuan edhe shumë akuza dhe kundërakuza se kush është fajtor për humbjen e Kosovës. Ndërkohë që kishte përpjekje që zgjedhjet e kandidatëve për kryetar parlamenti, Milena Millosheviq e Partisë Demokratike dhe Tomisllav Nikoliq, të shpjegohet me fatin e ardhshëm tu Kosovës. Për të mobilizuar deputetët e vet, disa herë u përmendën edhe Hashim Thaçi die Agim Çeku. Ndërkohë që kryetari i Partisë Socialiste, Ivica Daçiq disa herë replikoi me deputetin e vetëm shqiptar, Riza Halimi të cilit i tha se në të ardhmen në Serbi nuk mund të përdoret emri Lugina e Preshevës.

Në fund, pas një debati që zgjati deri pas mesnate, me vortat e radikalëve, Partisë së Koshtunicës dhe socialistëve, Tomisllav Nikoliq u zgjodh për kryetar parlamenti.

Analistët thonë se ky mund të jetë edhe koalicion i mundshëm qeveritar. Qeveria e Serbisë duhet të krijohet deri me 15 maj. Në të kundërtën shkarkohet parlamenti dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 60 ditësh.

  • Data 08.05.2007
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArVx
  • Data 08.05.2007
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArVx
Reklamë