Ç´drejtim po merr Turqia? - Në prag të zgjedhjeve dhe të referendumit | Politika | DW | 28.05.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Ç´drejtim po merr Turqia? - Në prag të zgjedhjeve dhe të referendumit

Qeveria e kryeministrit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, pak javë përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të arrijë ndryshimin kushtetues për zgjedhjen direkte të presidetit nga populli. Por presidenti Ahmet Neçdet Shezer, të cilit i përfundon mandati, të premten (25.05) vendosi veton kundër kësaj.

Parlamenti në Ankara

Parlamenti në Ankara

- Paketa e ligjeve pa ndryshime do t´i paraqitet sërish presidentit për miratim. Nëse ajo do të refuzohet përsëri, atëherë Shezer duhet t´ia lërë popullit që të vendosë për këtë. Referendumi mund të zhvillohet më 22 korrik bashkë me zgjedhjet parlamentare. Por kjo nuk ofron rrugëdalje nga kriza shtetërore e Turqisë. Përkundrazi kjo vetëm sa mund t´i shtojë tensionet në politikën e brendëshme dhe mund të krijojë vështirësi të reja në rrugën drejt BE-së -

Vëzhguesit brenda dhe jashtë vendit reagojnë duke shkundur kokën nga habia, tek i kërkon mendim mbi zhvillimet në politikën e brendëshme të Turqisë. Edhe qeveria fetare-konservatore e Rexhep Taip Erdoganit, që qeveris prej gati pesë vjetësh në vend ka bërë gabimin, që e kanë bërë për dekada me radhë qeveritë në Ankara: Punët shkojnë shumë mirë, ekonomia zhvillohet më së miri, rreziku i inflacionit shmanget dhe rritet besimi në botën e jashtme, çka sjell investime në vend. Papritur karvani shtetëror sikur të drejtohet prej shpirtrave të këqinj zhytet në baltë, në vend që të vazhdonte udhëtimin përgjatë rrugës së asfaltuar duke i dhënë gaz drejt kohërave më të mira për vendin dhe popullin.

I pajisur me shumicën e dy të tretave në parlament, por që nuk pasqyron kuotën e një të tretës së votave të zgjedhësve, Erdogani ka vepruar me mendjemadhësi në dëm të vendit të vet. Ai nuk është përpjekur të gjejë një mbështetje të gjerë për planet e tij dhe të arrijë kompromise mbi bazën e emëruesit më të vogël të përbashkët. Në vend të kësaj Erdogani provoi të masë forcat me kundërshtarët politikë si dhe me ushtrinë, që e konsideron veten si mbrojtëse të ndarjes strikte të shtetit nga feja.

Ishte e parashikueshme që presidenti Shezer nuk do t´i miratonte ndryshimet kushtetuese dhe që do t´i kthente ato sërish në parlament. Nisur nga fakti që Erdogani po has në një rezistencë më të fortë nga sa kish pritur, pasoja për fat të keq është ashpërsimi i fronteve midis fetarëve të Erdoganit dhe laikëve. Këto tensione një kryeministër i mirë duhej t´i kish kuptuar në avancë dhe t´ia kursente vendit këtë krizë, ndonëse formalisht veprimet e tij janë demokratike. Demokracia është një mall i çmuar që nuk duhet të rezikohet me mendjelehtësi. Por kush vepron pakujdes si Erdogani dhe luan me të, duhet që të konfrontohet edhe me pyetjen, nëse ai vërtetë e ka përvetësuar demokracinë.

Partia fetare-konservatore e Erdoganit për drejtësi dhe zhvillim duhej të kish pritur votën e popullit më 22 korrik, përpara se të aplikohet një sistem presidencial që dobëson parlamentin dhe qeverinë. Në vend të kësaj polarizimi ka bërë, që ushtria sërish të mund të prezantohet si shpëtimtare në vështirësi. Ndërkaq me vendim të shtabit të përgjithshëm të gjitha kampet e çlodhjes dhe kampet e ushtrisë do të mbahen të mbyllura katër ditë para dhe pas zgjedhjeve dhe oficerëve e nënoficerëve do t´u kërkohet të shkojnë të votojnë në zonat e tyre elektorale. Me këtë laikëve u dërgohet sinjali, se ata duhet t´i planifikojnë pushimet e tyre në atë mënyrë që të garantohet edhe dhënia e votës. Nëse Erdogani sërish kthehet me shumicë solide pas vetes në plenium, atëherë ai s´do të kish asnjë pengesë për t´u ngjitur me mjete demokratike në zyrën presidenciale.

Sulmet e fundit me bombë në Ankara, kërcënimet me vrasje kundër të krishterëve si dhe intelektualëve dhe gjendja shpërthyese në kufirin turko-irakian me mundësinë e një operacioni ndërkufitar të forcave të armatosura kundër kampit të organizatës militante-separatiste të kurdëve, PKK, janë argumenta që shkojnë në favor të nacionalistëve në politikën e brendëshme.

Ajo për çfarë ka nevojë Turqia, do të ishte një bashkim i të gjitha forcave demokratike përtej kufijve partiakë. Por Erdogani e ka humbur shansin për krijimin e një fronti të arësyes. Më së voni qysh pas fitores së Sarkozisë në zgjedhjet presidenciale në Francë është ulur ndjeshëm edhe numri i vendeve të BE-së, që donin ta çonin Turqinë nën udhëheqjen e Erdoganit drejt BE-së, ndërkohë që janë gjithnjë e më të paktë edhe turqit që e vlerësojnë dhe që shpresojnë tek BE-ja.

  • Data 28.05.2007
  • Autor Baha Güngör
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqm8
  • Data 28.05.2007
  • Autor Baha Güngör
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqm8