Çarmatim në vend të shkurtimeve sociale | Gjermania | DW | 08.04.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Çarmatim në vend të shkurtimeve sociale

Marshimet e Pashkëve të lëvizjes për paqe

Marshimet e Pashkëve në Gjermani

Marshimet e Pashkëve në Gjermani

"Çarmatim në vend të shkurtimeve sociale" - spektri i temave me të cilat do të dalë këtë vit në rrugë lëvizja për paqe në marshimet e saj tradicionale të Pashkëve është mjaft i gjerë. Në më shumë se 80 vende në të gjithë Gjermaninë janë planifikuar aktivitete të ndryshme. Kritikat drejtohen para së gjithash kundër politikës së ShBA që akuzohen nga lëvizja për paqe për pushtimin e padrejtë të Irakut. Por aktivistët e paqes këtë vit duan të tërheqin përsëri vëmendjen edhe për hendekun e thellë ndarës mes të varfërve dhe të pasurve. Eshtë traditë që në këto marshime të marrin pjesë edhe politikanë të lartë gjermanë. Këtë vit ndër të tjerë në to do të marrin pjesë kryeministri i landit të Brandenburgut Matias Platcek dhe ish-kryetari i partisë socialdemokrate Oskar Lafonten.

Në fillim në viteve '80 marshimet e përvitshme të Pashkëve ishin një veprimtari e rregullt e njerëzve në Gjermani që e konsideronin veten pjesë të lëvizjes për paqe. Me tone të larta ata demonstronin kundër garës së armatimeve bërthamore dhe paralajmëronin ndaj rrezikut të katastrofave atomike. Disa qindra mijëra demonstrues mobilizoheshin atëherë, por vitet e kaluara demonstrimet dhe veprimtaritë e ndryshme kanë humbur dukshëm përkrahjen.

Vetëm në vitin 1999 në prag të sulmeve ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë këto aktivete gjetën përsëri mbështetje. Megjithatë vetëm një vit më pas numri i pjesëmarrësve kishte rënë përsëri në disa pak mijëra vetë. Vitin e kaluar lëvizja për paqe fitoi përkrahje të re me demonstrimet kundër luftës së Irakut. Në shkurt të vitit të kaluar miliona njerëz protestuan kundër një sulmi ushtarak mbi Irakun. Organizatorët e marshimeve të Pashkëve nuk mundën megjithatë të mobilizonin të njëjtën masë njerëzish pasi ndërkohë ShBA i kishin dhënë zyrtarisht fund luftës. Lufta luajti megjithatë një rol të rëndësishëm në marshimet e pashkëve të 2003-shit dhe kështu pritet të ndodhë edhe sivjet, thotë Mafred Shtener, drejtues i rrjetit "Kooperativa e Paqes", një bashkim i shoqatave lokale: "Lufta ka çuar në shtimin e urrejtjs për perëndimin në botën arabe, në Afganistan dhe Irak. Pra terrorizmi ka gjetur kështu më shumë mbështetje dhe nuk është reduktuar. Kemi të bëjmë me një përdorim krejtësisht të gabuar të mjeteve që në fakt duhej të shfrytëzoheshin për eliminim e këtij rreziku të madh për botën. Për këtë arsye lëvizja për paqe merret sivjet me këtë temë. Ne themi që për të ndërhyrë në kriza dhe konflikte duhen përdorur mjete civile. Prandaj kritikojmë buxhetin për mbrojtjen pasi për mjetet civile të politikës së jashtme fondet thuajse nuk ekzistojnë. Ne mendojmë se do të ishte shumë mirë që nga 24 miliardët e buxhetit për mbrojtjen një pjesë e fondeve të ndryshonin destinacion drejt mjeteve civile."

Shtener pranon se as lëvizja për paqe nuk ka ndonjë zgjidhje të gatshme se si mund të reduktohet dhuna në përshkallëzim në Irak. Megjithatë marshimet e Pashkëve duhet të bëjnë të qartë se shumë njerëz kërkojnë nga politikanët ndjekjen e një politike paqësore dhe refuzojnë luftën si mjet për zgjidhjen e problemeve.

Ky mendim mund të ketë qenë dhe zanafilla e marshimeve të Pashkëve. Ato kanë filluar në Britaninë e Madhe ku në prag të Pashkëve të vitit 1958 nën regjinë e filozofit Bertrand Rasell, për herë të parë u demonstrua me një marshim 80 kilometra të gjatë nga Londra në një qendër për kërkime bërthamore kundër armatimit atomik. Modeli britanik u adoptua shpejt edhe nga vende të tjera. Në vitin 1960 filloi edhe në Republikën Federale Gjermane kjo formë proteste e cila në vitet që pasuan mblidhte në marshimet e Pashkëve kryesisht përkrahës të pacifizmit etiko-fetar.

Në fund të viteve '60 numri i pjesëmarrësve u shtua në rreth 150.000 vetë të cilët kishin një motivim më tepër përmes protestës kundër luftës së Vietnamit. Me kalimin e viteve lëvizja e marshimeve të Pashkëve u kthye në një vend-takimi të orientimeve të ndryshme politike. Këtu bënte pjesë dhe Partia Komuniste Gjermane që mbështetej nga RDGJ. Ndikimi i saj në rritje në marshimet e Pashkëve ndeshi megjithatë në gjithnjë e me shumë kritika. Pas shtypjes me dhunë të "pranverës së Pragës" më 1968 në Çekosllovaki nga trupat e Paktit të Varshavës kjo kritikë çoi madje në pezullimin e përkohshëm të marshimeve të Pashkëve në RFGJ.

Vetëm rreth 10 vjet më vonë ndodhi një ripërtëritje e marshimeve të Pashkëve. Vendimi i dyfishtë i NATO-s i vitit 1979 ngriti përsëri në këmbë pjesëmarrësit në këto marshime. Sipas këtij vendimi në RFGJ do të stacionoheshin raketa të tjera me rreze të mesme veprimi të ShBA. Ky konsiderohej si reagim ndaj stacionimit të raketave sovjetike të tipit SS-20 të pozicionuara drejt Evropës. Shumë njerëz në Evropë kishin frikë thotë Manfred Shtener: "Ekzistonte rreziku i një holokausti nuklear pasi me raketa bërthamore në një periudhë nga më të acaruarat të Luftës së Ftohtë një luftë bërthmamore mund të thuhet se ishte në prag të derës. Dhe ne të gjithë kishim frikë për jetën tonë dhe vazhdimësinë e njerëzimit. Sot gjendja duket se ka ndryshuar dhe njerëzit nuk janë më të prekur direkt. Prandaj motivimi për të dalë në rrugë është ndoshta i pranishëm vetëm tek një pjesë e njerëzve që thonë: ne nuk duam të lëmë vetëm në duart e politikanëve zgjidhjen e çështjeve më të rëndësishme por duam të themi edhe fjalën tonë."

Megjithatë që prej fillimit të viteve '90 lëvizja e marshimeve të Pashkëve ka humbur dhe vazhdon të humbasë përkrahës. Organizatorët nuk janë të sigurtë për numrin e pjesëmarrësve sivjet. Demonstrimet kundër luftës së Irakut dhe shkurtimet e planifikuara në sistemet sociale në Gjermani kanë nxjerrë vazhdimisht në rrugë njerëzit gjatë javëve të shkuara. Sipas Manfred Shtener mund të flitet për një maratonë të vërtetë demonstrimesh. Por,pranon aktivist dikur njerëzit edhe lodhen.

  • Data 08.04.2004
  • Autor Silke Ballweg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar6w
  • Data 08.04.2004
  • Autor Silke Ballweg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar6w