1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Özdemir në krye të Partisë ekologjiste

Bahri Cani15 Nëntor 2008

Për herë të parë në historinë politike gjermane, në krye të një partie politike u emrua një shtetas gjerman me prejardhje të huaj. Cem Özdemir u zgjodh bashkëkryetar i Partisë ekologjiste, së bashku me Claudia Roth.

https://p.dw.com/p/Fvaj
Özdemir dhe Claudia RothFotografi: AP

Cem Özdemir fitoi gati 80 përqind të votave të delegatëve në kongresin e zhvilluar në Erfurt dhe u bë kryetari i parë i ndonjë partie gjermane, me prejardhje të huaj. Në këtë mënyrë 42 - vjeçari ia tejkaloi paraardhësit të tij Reinhard Bütikofer, i cili para dy vitesh për të njëjtin post kishte fituar më pak vota. Bütikofer do të kalojë si deputet në Parlamentin Evropian.

Cem Özdemir që në fillim tha se e kanë gabim të gjitha ata të cilët presin që menjëherë të hënën ai të paraqes një program të ri partiak. "Askush nuk duhet të pres befasira të pakëndshme, përvec kundërshtarëve politikë", tha ai. Sa i përket origjinës së tij turke dhe qëllimeve politike, Özdemir foli me sharm dhe vetëironi. "Dua të angazhohem për një politikë ku të gjithë të kenë shansa të barabarta, pa marrë parasyshë përkatësinë e tyre kombëtare. Nuk është me rëndësi nëse ata vijnë nga Kazakistani apo Turqia dhe nëse dikur kanë luftuar kundër romakëve apo dikujt tjetër", tha Özdemir.

Claudia Roth me gati 83 përqind, fitoi më shumë vota se Cem Özdemir, por ky konsiderohet edhe një lloj shpërblimi për anazhimin e saj në Partinë ekologjiste. Roth dhe Özdemir theksuan se prioriteti i tyre kryesor do të jetë angazhimi për vlerat e Partisë ekologjiste dhe lufta për kthimin në pushtet, duke shtuar se nuk do të lejojnë që konservatorët t'i largojnë nga skena kryesore politike. Është tepër heret të thuhet nëse kryesia e re do të shënojë një fillim të ri në Partinë ekologjiste. Poashtu mbetet të shihet nëse Claudia Roth dhe Cem Özdemir do të jenë një duet i suksesshëm, por Jürgen Trittin dhe delegatët tjerë folën me fjalë të zgjedhura për kthimin e suksesshëm të Özdemirit në skenën politike. Tritin pret që të dielën të zgjidhet për nënkryetar të deputetëve ekologjistë në parlament, ku fjalën kryesore edhe më tej e ka ish-ministrja Renate Künast.