1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çtensionim midis Libanit dhe Sirisë

Karsten Kyntop22 Korrik 2008

Jo të gjithë në Siri shoqërojnë me kureshtje vizitën e Barak Obamës në rajon. Kanali televiziv Al Xhazira, p.sh. i filloi lajmet e tij të hënën me vizitën e ministrit të jashtëm sirian, Valid al Mualem në Bejrut.

https://p.dw.com/p/EhPw
Demostratë në Bejrut kundës Sirisë, 2005
Demostratë në Bejrut kundës Sirisë, 2005Fotografi: AP

Marrëdhëniet midis Libisë dhe Sirisë janë në një fazë çtensionimi, tensionet po ulen. Vetëm pak javë më parë, Mualemit nuk do t'i kishte shkuar as në ëndër në mend që të shkonte në Beirut dhe t'i shtrëngonte dorën kryeministrit Fuad Siniora. Siniora i përket kampit politik në Liban, i cili në përgjithësi konsiderohet pro-perëndimor dhe antisirian. Të hënën, Mualemi tha në Beirut: "Kryeministri Siniora kryeson tani një qeveri të Unitetit Kombëtar. Kjo është një bazë, ku mund të mbështeten të dyja palët. Në periudhën që vjen, ne do të kemi vizita reciproke. Ministrat e të dyja qeverive duhet të tregohen aktivë, në mënyrë që të gjejnë të përbashkëta për marrëdhëniet e ardhshme. Marrëdhënie, të cilat të barazohen në raporte të barabarta midis të dyja vendeve."

Mualemi solli nga Damasku një ftesë të presidentit sirian, Bashar Al Asad për homologun e tij libanez, Mishel Sylejman. Sylejmani pritet që të udhëtojë brenda dhjetë ditëve të ardhshme për në Siri. Të dy presidentët e takuan njëri-tjetrin një javë më parë në Paris, në kuadër të takimit themelues të Bashkimit për Mesdheun. Sipas informacioneve ata ranë dakord që të vendosin marrëdhënie diplomatike- për herë të parë që prej pavarësimit të të dyja vendeve 60 vjet më parë.

Në Bejrut, ministri i jashtëm Mualem tha se nuk e di nëse e duan të gjithë libanezët një ndërrim të ambasadorëve- Siria e synon këtë patjetër.

Politikanë të shumicës antisiriane parlamentare kërkuan para vizitës së Mualemit, që të anullohen të gjitha marrëveshjet e mëparshme siriano-libaneze. Këto marrëveshje patën çimentuar atëherë sundimin sirian në Liban dhe i patën dhënë këtij sundimi mantelin e legalitetit. Vec kësaj, duhet të shënohet qartë vija kufitare midis të dyja vendeve.

I pyetur nga reporterët për këtë çështje, Mualemi tha në Bejrut se për shënimin e kufirit nuk ka kundërshtime. Por duhen mbajtur parasysh interesat e njerëzve, të cilët jetojnë në fshatrat drejtpëdrejt pranë kufirit.

Ministri i jashtëm sirian premtoi që një komision i përbashkët, i cili do të sqarojë fatin e libanezëve të zhdukur, do të mblidhet sërish së shpejti. Gjatë luftës civile libaneze u zhdukën pa gjurmë disa qindra libanezë. Të afërmit besojnë se ata ndodhen në burgjet siriane. Siria, e cila ishte për rreth 30 vjet, deri në vitin 2005 de fakto fuqi pushtuese në Liban, e ka hedhur poshtë këtë.