1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë vendosi qeveria gjermane pas një maratone debati?

29 Mars 2023

Pas 30 orësh debati koalicioni qeveritar gjerman mori disa vendime të rëndësishme në politikën e klimës, infrastrukturën etj. Ligji për mbrojtjen e klimës do të zgjerohet në disa pika kryesore.

https://p.dw.com/p/4PPyq
Krerë të partive të koalicionit - nga e majta Christian Lindner (FDP) Ricarda Lang (Të Gjelbrit) dhe Lars Klingbeil (SPD
Krerë të partive të koalicionit - nga e majta Christian Lindner (FDP) Ricarda Lang (Të Gjelbrit) dhe Lars Klingbeil (SPDFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Në vendimet e koalicionit qeveritar të bëra publike të mërkurën (29.03.)parashikohet që ligji për klimën të zgjerohet në disa pika. Në ligjin aktual çdo sektor si energjia, ndërtesat, transporti duhet të përmbushë kritere të caktuara për kufizimin e emetimit të dioksidit karbonik, CO2 për çdo vit. Ky ligj tani do të ashpërsohet: Respektimi i qëllimeve të mbrojtjes së klimës në të ardhmen duhet të verifikohet në një përllogaritje të përbashkët disa vjeçare", thuhet në vendimet e qeverisë. Po ashtu theksohet se Gjermania duhet të jetë me një ekonomi neutrale ndaj klimës deri në vitin 2045. Nga ana tjetër do të zgjerohen sipërfaqet për shtimin e energjisë nga parqet eolikë. Në autostradat e reja do të shtohet mundësia që në anë të tyre të përdoren sipërfaqet për vendosjen e paneleve diellorë.

Projekte infrastrukturore

Planifikimi për projekte të mëdha infrastrukturore do të bëhet më fleksibël dhe më i shpejtë. Kjo pikë ka qenë prej kohësh e kontestuar mes FDP-së dhe Të Gjelbërve. Rinovimi i urave do të bëhet me procedura të reja planifikimi- Po ashtu do të forcohet infrastruktura e shinave në Gjermani. Deutsche Bahn për të mbuluar nevojat e investimeve ka nevojë për 47 miliardë euro deri në vitin 2027. Këto fonde do të vijnë nga zgjerimi i tarifës që merret nga trasporti i mauneve nga viti 2024. Planet e qeverisë parashikojnë që të zgjerohen mundësitë për përdorimin e biçkletave dhe trafikun e këmbësorëve dhe autobusëve pa emetime karbonike.

Deutschland ICE-Strecke Frankfurt - Köln
Fotografi: Bernd von Jutrczenka/picture-alliance/dpa

Elektromobiliteti do të forcohet në Gjermani. Në të njëjtën kohë koalicioni qeveritar do të zhvillojë strategjinë për futjen e karburanteve neutrale ndaj klimës, të njohur si E-Fuels. Ligji për përdorimin e sistemeve të ngrohjes proklimatikë nuk do të jetë aq i ashpër. Ligji do të jetë pragmatik dhe do të respektojë aspektet sociale, thuhet. "Kemi arritur përshpejtim masiv të planifikimit", tha bashkëkryetarja e partisë Të Gjelbrit pas debatit të koaliconit qeveritar.

la/ag