1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë presin izraelitët nga udhëheqja e re palestineze

Bettina Marx6 Janar 2005

Kandidati për president palestinez Mahmud Abaz është shprehur për negociata paqësore me Izraelin dhe atë menjëherë pas zgjedhjeve të 9 janarit. Nga ana tjetër kryeministri izraelit Ariel Sharon tha se Izrael mund t`i kthehet planit paqësor ndërkombëtar vetëm atëherë kur palestinezët ti kenë dhënë fund terrorit kundër Izraelit.

https://p.dw.com/p/ArR6
Fotografi: AP

Siguri - kjo është ajo çka pret qeveria izraelite nga udhëheqja e re palestineze. Nëse Mahmud Abaz do të zgjedhet president i Entit autonom palestinez, puna e parë që duhet të bëj është që të përkujdeset për kthimin e qetësisë, tha shefi i diplomacisë izraelite Silvan Shalom. Ai shprehu shqetësimin e tij rreth deklaratave të kandidatit presidencial palestinez i cili nuk do t`i luftoj grupet radikale në Rripin e Gazës por do t`i marrë ato në mbrojtje.

"Izraeli është shumë i shqetësuar reth deklaratave të fundit shumë militante të Mahumd Abazit. Unë besoj se kjo nuk mund të justifikohet me fushatën zgjedhore. Ne kërkojmë që menjëherë pas zgjedhjeve ai të ndaloj hedhjen e granatave dhe raketave nga Sderoti dhe lagjeja Gush Katif. Ai vet ka thënë se kjo dëmton vet palestinezët. Ne tani kërkojmë që ai fjalët t`i kthej në vepra", ka thënë Shalom.

Vetëm atëherë kur palestinezët do të ndalojnë terrorin dhe fushatën e urrejtjes kundër Izraelit, ne mund t`i kthehemi planit ndërkombëtar të paqës, tha edhe kryeministri Ariel Sharon. Ai kërkon nga udhëheqja e re palestineze që të përkujdeset për kthimin e qetësisë në rajonet e pushtuara:

"Besoj se pas zgjedhjeve do të jetë e mundur që ne përsëri të rifillojmë bisedimet me palestinezët. Por vetëm nëse sundon qetësia e plotë. Dhe unë nuk flas këtu për përpjekjet. Në këtë pjesë të botës deklaratat, fjalimet bile edhe marrëveshjet janë të parëndësishme. Këtu flasin veprat. Pra nëse ndërrmirren hapat e duhur atëherë mund të rikthehemi në kartën e rrugës së paqës", tha Sharon.

Krejt varet sa do të jetë në gjendje udhëheqja e re e palestineze të ndaloj terrorin kundër Izraelit. Vetëm kur të sundoj qetësia mund të mendohet për fillimin e bisedimeve. Por palestinezët nuk janë ende në gjendje për këtë, thekson politologu Shlomo Avineri nga Universiteti i Jeruzalemit. Ai është skeptik që udhëheqja e re palestineze do të jetë në gjendje për një fillim të ri në marrëdhëniet izraelito-palestineze.

Por negociatat nuk janë rruga e vetme për realizimin e qëllimeve politike, nënvizon Avineri. Edhe hapat e bëra nga vetëm njëra palë si përshembull tërheqja e planifikuar nga Rripi i Gazës mund të shpiej drejt stabilizimit të gjendjes.

"Nuk duhet të kemi iluzione. Negociatat mund të jenë edhe katastrofale. Në vitin 2000 në Kemp Dejvid filluan negociata shumë të mira por kur dështuan ato si pasojë u krijua një gjendje shumë më e vështirë se para negociatave. Negociatat nëse janë të mundura, mirë. Nëse jo ka edhe mjete tjera", sqaron Avineri.

Ai nuk është vetëm skeptik. Ai njëkohësisht është edhe optimist. Plani izraelit për tërheqje nga Rripi i Gazës dhe katër ngulime të Bregut perëndimor tregon për herë të parë pas një kohe kaq të gjatë se ekzistojnë rrugëdalje nga konflikti i vazhdueshëm.

"Me vdekjen e Arafatit është bërë e qartë se tek palestinezët është e mundur një epokë e re. Duhet të kihet kujdes dhe të kujdesemi për këtë lule shumë të njomë para se të kujdesemi për një pemë shumë të madhe", nënvizon Avineri.