1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190610 g20 ausblick merkel

20 Qershor 2010

Javën e ardhshme, kancelarja gjermane, Angela Merkel do të udhëtojë në Toronto të Kanadasë për të marrë pjesë në samtiin e 20 shteteve më të industrializuara të botës. Çfarë kërkon Gjermania në këtë samit?

https://p.dw.com/p/NxKP
Angela Merkel dhe Barack Obama në Uashington
Angela Merkel dhe Barack Obama në UashingtonFotografi: AP

Në axhendën e ditës qëndron rregullimi i tregjeve financiare. Në mesazhin e saj javor për internetin të publikuar të shtunën, kancelarja Merkel, kumtoi se synimi i samitit është të bëjë përcaktimin e gjendjes aktuale të rregullimit të tregjeve financiare dhe të caktojë detyrat për të ardhmen. "Në të njëjtën kohë do të flasim se në çfarë mënyre tregjet financiare duhet të marrin pjesë në koston e krizës", tha Merkel.

Angela Merkel informon çfarë kërkon Gjermania në këtë samit dhe cilat janë pikat e kontestueshme.
Angela Merkel informon çfarë kërkon Gjermania në këtë samit dhe cilat janë pikat e kontestueshme.Fotografi: AP

Ne e kujtojmë se kriza lindi si pasojë e ekzagjerimeve skandaloze në këto tregje, të cilat ne duhet patjetër t'i reduktojmë përmes rregullimit të ri, ka thënë kancelarja Merkel në mesazhin e saj javor. Ka një sërë suksesesh: Në shumë struktura është përmirësuar kapitalizimi i bankave, janë vënë rregulla të reja për pagesat e shpërblimeve. Në shumë pika të tjera ka nevojë për përmirësim, si për shembull rregullimin i derivateve brenda Bashkimit Evropian.

Bankat duhet të paguajnë për krizën

Në të njëjtën kohë do të duhet të diskutojmë, ka thënë Merkel, se në çfarë mase bankat do të duhet të marrin pjesë në kostot që shkaktoi kriza. BE ia doli kësaj jave të marrë një vendim për krijimin e një sistemi të kontributit bankar apo tatimit të instituteve financiare. Në Gjermani kontributi bankar do të vlejë për krijimin e një fondi për mbrojtjen ndaj krizave të ardhshme. Sepse ne nuk duam që taksapaguesi të paguajë edhe njëherë për ekzagjerimet skandaloze të tregjeve.

Kryesuesit e G-20 në Heiligedam, 2007
Kryesuesit e G-20 në Heiligedam, 2007Fotografi: picture alliance / dpa

Sipas kancelares Merkel, BE do të duhet të angazhohet së bashku me shtetet anëtare të G20-s, për të futur një taksë të transaksioneve të tregjeve financiare në nivel gloal. Sigurisht këtu do të kemi përplasje dhe jo aq shpejt dakordim, ka thënë kancelarja Merkel.

Një nga pikat më interesante dhe më të kontestueshme në samit pritet të jetë çështja e strategjive për rritjen ekonomike. Gjermania mbështet tezën se nuk duhet të ketë rritje ekonomike me çdo çmim, por ajo duhet të jetë e qëndrueshme, ekologjike dhe me potencial për të ardhmen.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama