1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kundus Kanzleramt

30 Dhjetor 2009

Debati lidhur me sulmet e Bundeswehrit në Kundus po ashpërsohet gjithnjë e më shumë. Tani po diskutohet nëse kancelarja ka qenë e informuar që më 8 shtator për viktimat civile apo jo.

https://p.dw.com/p/LH4t
Kancelarja Angela Merkel në Kundus (06.04. 2009)
Kancelarja Angela Merkel në Kundus (06.04. 2009)Fotografi: AP

Informata jo të plota, hedhje faji nga njëri te tjetri, dorëheqje dhe largime nga puna - janë pasojat e sulmit ndaj dy autocisternave më 4 shtator. Kritikat për politikën e informimit të qeverisë janë zgjeruar tani edhe ndaj vetë kancelares Angela Merkel.

Valë dyshimesh pas një shënimi

Përkundër pohimeve të deritanishme, Zyra e Kancelares ka qenë e informuar me hollësitë e sulmeve të katër shtatorit. Zyra e Kancelares ka qenë e infomuar përmes një shënimi të sekretarit të shtetit për çështje të mbrojtjes, Peter Wichert, i cili ndërkohë është larguar nga puna.

Në shënimin e tij thuhet ndër tjerash se komandanti Klein është nisur nga fakti se në afërsi të autocisternave ndodheshin vetëm të ashtuquajtura "forca opozitare ushtarake", siç quhen në letrat zyrtare të NATO-s. Në këto raporte thuhet se atje ka pasur rreth 50 deri 60 të vrarë. Në shënim theksohet se gjatë sulmit është lënduar rëndë edhe një fëmijë dhjetëvjeçar, i cili është dërguar në spital dhe se NATO-ja, sipas vlerësimeve të para të komandës së ISAF-it, supozon se ndër të vrarët ka edhe viktima civile.

Merkel: ... në qoftë se ka pasur edhe viktima civile ...

Në bazë të këtyre informatave, kancelarja ka theksuar në kumtesën qeveritare para parlamentit, se qeveria federale shpreh keqardhje të thellë në qoftë se ka pasur edhe viktima civile. Kjo e bën të qartë se informatat kanë mbërritur në Zyrën e Kancelares në mbrëmje, ose më së vonti në mëngjesin e ditës së fjalimit të kancelares Merkel para deputetëve në Parlament.

Sekretari parlamentar i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Christian Schmidt, ka shpjeguar në Bundestag me 16 dhjetor se kancelarja është informuar me raportin e komandantit Klein dy ditë pas paraqitjes së kumtesës qeveritare. Në këtë raport flitet për asgjësimin e autocisternave dhe të kryengritësve. Schmidt la përshtypjen se Ministria e Mbrojtjes nuk i ka dhënë atëherë të gjitha informatat e duhura. Schmidt-i i cili në shtator ishte edhe vetë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, këto të dhëna i bëri të ditura në Bundestag.

Në afërsi të autocisternave ndodheshin jo vetëm forca ushtarake kundërshtare, por edhe civilë
Në afërsi të autocisternave ndodheshin jo vetëm forca ushtarake kundërshtare, por edhe civilë.Fotografi: AP

Deri tani është e sigurt se Zyra e Kancelares i ka pasur në dispozicion të dhënat që Ministria e Mbrojtjes ua ka dërguar përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Komisionin parlamentar të mbrojtjes, përpara paraqitjes së kumtesës qeveritare prej kancelares Angela Merkel. Edhe këtu ka pasur detaje të rëndësishme.

Qeveria federale i ka hedhur poshtë kritikat me shpjegimin se kancelarja ka qenë e informuar vetëm me të dhënat që u janë prezantuar edhe përfaqësuesve të partive me shtatë shtator. Një zëdhënës i qeverisë thotë se raporti i komandantit Klein ka mbërritur në zyrën e kancelares me të vërtetë dy ditë më vonë.

Autor: Rolf Clement/Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani