1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çështja Hodorovski dhe perspektivat për shtetit ligjor

Alexander Warkentin3 Nëntor 2003

Askush nuk i do rusët e pasuruar vonë me sjelljen e tyre të keqe, vilat luksoze, avionët, pasurinë që e tregojnë për t'u dukur. Dhe në njëfarë mënyre tingëllon paradoskale dhe qesharake që pikërisht njëri prej tyre të përshkruhet si bastion i fundit i demokracisë në Rusi.

https://p.dw.com/p/Aqw9

Miliarderi rus Mihail Hodorovski gjendet në paraburgim. Në Perëndim dikush mund të pyes mos manjati i naftës nuk ka paguar taksat, mos prokuroria ruse është vërtet e pavarur. Ministria e Punëve të Jashtme të SHBA-ës pyet me kudjes, nëse në çështjen Hodorovski vërtet janë respektuar normat e shtetit ligjor dhe merr qortim me zemëratë. Por në Rusi askush nuk e vë në dyshim që Hodorovski u dërgua prapa hekurave për arsye politike. Aktorët politikë në Moskë as që e fshehin këtë fakt.

Nuk ka dyshim që rusët e sapopasuruar i kanë vënë pasuritë pjesërisht me mjete të paligjshme, por ata mundën të zhvatin vetëm atë që iu mundësuan nëpunësit e korruptuar të shtetit. Nëse tani pushteti shtetëror mendon se përfundimet e kësaj orgjie të egër privatizimesh duhen korrigjuar dhe fajtorët duhen ndëshkuar, atëherë ai duhet të fillojë nga këta nëpunës. Sipërmarrësit nuk bëjnë betim përpara shtetit, por nëpunësit janë shërbyes të shtetit, ata mbajnë përgjegjësi të veçantë.

Disa politikanë rusë argumentojnë si vijon: pasuritë e nëntokës i përkasin gjithë Rusisë, gjithë popullit. Përse të pasurohen individët me to? Ata duhet të mësojnë të ndajnë pasurinë. Por kur këta politikanë shqetësohen vërtet për popullin, përse nuk paraqesin në parlament një ligj për tatim të veçantë të nxjerrjes së pasurive nëntokësore? Atëherë pronarët e "Jukos-it", Lukoil-it" dhe si i kanë emrat koncernet mund të llogarisin nëse sipërmarrjet e tyre janë ende fitimprurëse.

Në vend të kësaj drejtësi përzgjedhëse, shantazh në tentativë ndaj një oligarku të vetëm, këshilla që ai le të shkojë në Florida ose ku të dojë. Përse duhej përdorur shërbimi sekret FSB për të arrestuar manjatin? Rrezik për arratisje nuk kishte. Faji kryesor i Hodorovskit është pikërisht se ai mendon që Rusia është edhe vendi i tij.

Jo, kur aparatçikët e shtetit thonë tani që oligarku duhet "të mësojë se si ndahet" ata nuk mendojnë për pensionisten në provincë, por për veten e tyre. Tani nuk e ka marrë pushtetin Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik por ish-KGB-ja. Princat e provincës u displinuan, mediet e pavarura u mbyllën, parlamenti u zbut. Modeli rus i "demokracisë së drejtuar" lejon që zgjedhjet të manipulohen përpara vajtjes në votim. Kandidatët e sikletshëm mënjanohen paraprakisht.

Hodorovski gabohet. Me kohë e kanë marrë aparatçikët drejtimin e vendit. Pikërisht këtë demonstrojnë ata me arrestimin e më të pavarurit mes pasanikëve të rinj rusë. Aparatçikët janë kundër tregtisë transparente, financave të përpikta, sepse atje mund të lexohej se sa rryshfet ka marrë cili shërbyes i shtetit.

Sado paradoskale të tingëllojë: miliarderi Hodorovski, i cili me arrestimin para syve parapëlqeu paraburgimin ndaj emigrimit duket të jetë bastioni i fundit i idesë liberale dhe i demokracisë në Rusi. Sikur ta nënshtronte aparati shtetëror, atëherë burokratët e kanë privatizuar gjithë vendin, pa ankande dhe licensa.