1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Është shpëtuar Evropa vërtet nga propozimet e kancelares Merkel dhe presidentit Sarkozy?

18 Gusht 2011

Kancelarja Merkel dhe presidenti Sarkozy kanë propozuar shumë masa për dalje nga kriza e borxheve, por tema e bonove evropiane është hequr nga tavolina e bisedimeve. Propozimet janë përshëndetur nga shumë ekspertë.

https://p.dw.com/p/12IUp
Merkel dhe Sarkozy
Merkel dhe SarkozyFotografi: dapd

Michael Hüther, drejtor i Institutit Ekonomik Gjerman me seli në Këln thotë se tema e bonove evropiane është vetëm: "Një teatër veror, të cilin me dëshirë e shikojnë edhe tregjet, sepse kohë pas kohe gjenden ekonomistë dhe politikanë të cilët mbështesin ide të tilla."

Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel
Ndoshta do të na ndihmojë edhe...Fotografi: dapd

Kancelarja dhe presidenti kanë refuzuar mundësinë e futjes së bonove. Gjermanët e kanë mbështetur këtë, sepse letrat e përbashkëta evropiane me vlerë do të ngrisnin nivelin e interesit. Bonot e tilla mund të paramendohen ndoshta në fund të procesit të integrimit, por jo në mes të procesit, shpjegoi presidenti Sarkozy. I këtij mendimi është edhe Holger Bahr, drejtor ekonomik në Bankën Delta.

"Kur një ditë të krijohen shtetet e bashkuara të Evropës, atëherë mund të shtypen edhe bono evropiane, si një formë financimesh. Por vendimet e tilla nuk duhet të merren shpejt e shpejt. Ndryshimi i marrëveshjeve të BE-së nuk mund të bëhet brenda dy-tre javësh."

Krijimi i qeverisë ekonomike

Më shumë kohë do të kalojë edhe deri në krijimin e qeverisë ekonomike, të propozuar nga Merkel dhe Sarkozy. "Vendosja e bazave për një komunikim dhe harmonizim më të mirë si dhe zhvillimin e një politike më të mirë ekonomike meritojnë respekt të thellë. Por ideja për krijimin e një qeverie ekonomike mbetet në mjegull dhe nuk është sa duhet konkrete", thotë Bahr.

Deri tani konkretisht dihet vetëm se ky çift politikanësh ka propozuar që Herman von Rompuy të jetë udhëheqësi i parë i qeverisë ekonomike të 17 vendeve të zonës së euros. Hulumtuesi ekonomik Michael Hüther thotë se ajo do të ketë një problem legjitimiteti.

Herman Van Rompuy, Sarkozy dhe Merkel.
... Herman Van RompuyFotografi: picture alliance/dpa

Problemet e qeverisë ekonomike

"Ajo nuk legjitimohet prej parlamentit. Dhe ky është problemi që kanë institucionet evropiane të cilat nuk përgjigjen në asnjë formë para Parlamentit Evropian, siç është rasti në shoqëritë dhe shtetet demokratike", thotë ai.

Ekspertët kanë përshëndetur idenë e kancelares Merkel dhe presidentit Sarkozy për futjen në kushtetutë të obligimit për frenimin e borxheve deri në verën e vitit 2012.

"Në parim është ky një sinjal shumë konkret, sepse më nuk mund të ndjekim politikën e futjes në borxhe si në dy dekadat e kaluara. Këtë nuk e duan as tregjet. Me mbështetjen e politikës ky propozim do të jep sinjale shumë pozitive", pohon Holger Bahr, i cili dyshon se projekti mund të realizohet brenda një viti.

Ndërkohë që futja e tatimeve në transaksione është pritur negativisht nga bursa dhe ekonomistët. Mundësia e futjes së këtyre tatimeve dhe heqja dorë nga bonot ka bërë që në të gjitha tregjet botërore aksionet të shënojnë rënie.

Autor: Zhang Danhong/Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti