1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë do të thotë rezoluta e re konkretisht për Kosovën?

10 Shtator 2010

Intervistë me Prof. Dr Ulrich Karpen nga Universiteti i Hamburgut, specialist për çështjet konstituitive dhe të drejtën ndërkombëtare mbi interpretimin nga specialistët të tekstit të rezolutës së fundit për Kosovën.

https://p.dw.com/p/P8xX
Prof. Dr Ulrich Karpen nga Universiteti i HamburgutFotografi: DW

Deutsche Welle:

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara aprovoi dje një rezolutë të re për Kosovën. Ju keni në dorë tekstin e kësaj rezolute. Si e interpretoni atë?      

Prof. Dr. Ulrich Karpen:

Siç pritej Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara njohu vendimin e marrë nga Gjykata Ndërkombëtare. Përveç kësaj Asambleja e Përgjithshme është pro propozimit të Serbisë dhe të pjesës më të madhe të vendeve të BE-së dhe më e rëndësishmja është që e gjitha nuk ka të bëjë me aktin ligjor të njohjes, por me fillimin e një dialogu midis Bashkimit Evropian, Serbisë dhe Kosovës për të sjellë paqen në këtë rajon të vështirë. Fillimi i bisedimeve për bashkëpunimin miqësor është ajo, çka i duhet në radhë të parë BE-së, Kosovës dhe Serbisë.

Deutsche Welle:

Por kjo është pjesa politike, nuk ka të bëjë me çështjen e kufijve dhe të statusit, apo jo?

Prof. Dr. Ulrich Karpen:

Ka të bëjë si jo, pjesa politike është si gjithnjë shumë e rëndësishme, tregon për të ardhmen dhe pengon lindjen e tensioneve dhe aksionet jomiqësore midis shqiptarëve dhe serbëve. Pjesa juridike është e rëndësishme, kjo është pika e parë. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare thotë që shpallja a pavarësisë nga Kosova nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me një shkëputje nga Serbia, një pjesë e territorit të shtetit serb u bë e pavarur dhe shpalli pavarësinë. Sipas të drejtës ndërkombëtare humbja e një territori ndodh, kur forca e re shtetërore që është krijuar, i shkon punës deri në fund. Pra faktikja, siç thatë dhe ju, politikja është vendimtare. Një forcë e re shtetërore futet në jetë (si në rastin e Kosovës), thotë Gjykata dhe e drejta ndërkombëtare, nëse shteti i parë ka hequr dorë nga sovraniteti territorial, këtë Serbia nuk e ka bërë, ose nëse kushtet e sjellin që ripushtimi e territoreve të humbura të mos ketë më mundësi të ndodhë. Për këtë çështje vazhdojnë diskutimet. Ministri serb thotë se Serbia nuk do të heqë dorë.

Deutsche Welle:

Do të thotë kjo se do përdoren dhe mjete të tjera? 

Prof. Dr. Ulrich Karpen:

Jo. Atë që vendosi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, unë e interpretoj në këtë mënyrë: Serbia në të ardhmen nuk do të kryejë më aksione luftarake për rimarrjen e Kosovës.  Dhe këto janë kushtet, e para se është bërë shpallja e pavarësisë dhe e dyta kushtet janë të tilla që shteti që e ka humbur territorin, në këtë rast Serbia nuk ndërmerr aksione luftarake për rimarrjen e territoreve. Shumë e rëndësishme për njohjen juridike të Kosovës është njohja nga shtetet e tjera, kjo ndërkohë ka ndodhur dhe unë jam i sigurt se vendimi Asamblesë së Përgjithshme do të çojë në një valë të re njohjesh. Për këtë është i rëndësishëm vendimi, që u muar dje nga bashkësia e shteteve, nga Asambleja. Ky vendim nuk është vendim për njohjen e Kosovës nga bashkësia e shteteve, kjo nuk mund të thuhet, sepse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është shprehur me shumë kujdes duke thënë se është dakord me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, që thotë se shpallja e pavarësisë nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare. Për më tepër vendimi përqëndrohet tek bashkëpunimi miqësor. Unë e vlerësoj vendimin si të mençur, shumë të kujdesshëm e megjithatë në pikat më të rëndësishme për njohjen juridike me pohime shumë të qarta. Tani janë hapur dyert për një kooperim miqësor dhe është pranuar ligji i të drejtës ndërkombëtare, i cili thotë se e drejta ndërkombëtare bazohet në faktiken, në atë që është realizuar ndërkohë, në këtë rast ndarja e Kosovës. E thënë shkurt, një shtet, që është kthyer në të pavarur, nuk mund ta rimarrësh me shpatë, thotë e drejta ndërkombëtare. Natyrisht që mund të fillohet një luftë, kjo është e vërtetë, por ky në fakt nuk do të ishte instrument juridik për rimarrjen e shtetit, që është ndarë, që ka zbatuar sesecionin.  

Autor: Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica