1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zyrtarizohet rezultati i zgjedhjeve në Kosovë - Paqartësia për krijimin e qeverisë mbetet

Ende mbetet e paqartë se kush mund ta formojë qeverinë e re në Kosovë, PDK e Hashim Thaçit, që doli e para në zgjedhje, apo blloku opozitar, LDK, AAK dhe Nisma.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të tetë qershorit, të cilat nuk dallojnë nga rezultatet paraprake që u publikuan menjëherë pas zgjedhjeve. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe koalicioni i disa partive të vogla rreth saj, ka fituar më së shumti vota 30.38%. Ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 25.24% e udhëhequr nga Isa Mustafa. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, renditet e treta me 13.59%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e udhëhequr nga Ramush Haradinaj e katërta me 9.54%, e pasuar nga Nisma për Kosovën me 5.15%. Lista Serpska ka fituar 5.22% të votave. Publikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të tetë qershorit i hap rrugën certifikimit të tyre, si dhe u hap rrugë veprimeve institucionale për formimin e qeverisë së re. Kandidatin për kryeministër të qeverisë së Kosovës duhet të nominojë presidentja Atifete Jahjaga. Por, kjo e fundit është në pritje të një përgjigjeje nga Gjykata Kushtetuese.

Një javë më parë, presidentja iu drejtua me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që të sqarojë një çështje kushtetuese që ndërlidhet me përgjegjësitë e saj. "Kërkesa për Gjykatën bëhet me qëllim të qartësimit të veprimit kushtetues të Presidentes së Republikës së Kosovës, që ndërlidhet me përputhshmërinë e nenit 84 pika 14 dhe nenit 95 të Kushtetutës së vendit. Vlerësimi i përputhshmërisë së neneve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës do t'i mundësojë Presidentes së vendit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme në pajtueshmëri me vendimin e Gjykatës", thuhet në njoftimin e presidencës. Përgjigjja që mund t'i vijë presidentes Jahjaga nga Gjykata Kushtetuese, qartëson rolin e saj në formimin e qeverisë së re të Kosovës.

E debatet akoma po vazhdojnë, se kush ka të drejtë dhe kush mund ta formojë qeverinë, Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) që doli fituese në zgjedhje, apo blloku opozitar i partive, që lidhën koalicion pas zgjedhjeve dhe që thonë se i kanë numrat për formimin e qeverisë.

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi, para kabinetit qeveritar tha të mërkurën (25.06), se "tash natyrisht presim certifikimit e rezultatit zgjedhor dhe përgjigjet e Gjykatës Kushtetuese në pyetjet e parashtruara nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe pastaj partia fituese dhe koalicioni do të fillojë konkretisht të punojë për formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës".

E nga ana tjetër, përfaqësuesit e bllokut opozitar i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, (LDK) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, thonë se ata do ta formojnë qeverinë e re, sepse e kanë numrin e mjaftueshëm të votave në kuvendin e ri, i cili pritet të konstituohet së shpejti.

Mirëpo, analistët politik parashohin krizë të thellë politike në Kosovë, duke përmendur dallimet e mëdha ndërmjet partive politike se kush duhet dhe mund ta formojë qeverinë e re të Kosovës, ata gjithashtu theksojnë faktin e konsultimit të Gjykatës Kushtetuese para çdo veprimi të rëndësishëm institucional.

Naim Rashiti, analist i pavarur i tha DW-së, se "në Kosovë është një krizë e re politike, sikurse edhe demokracia në Kosovë është e re dhe në këtë linjë, thelbësore është se sa partitë politike komunikojnë njëra me tjetrën dhe sa po e respektojnë ligjshmërinë dhe kushtetutën e Kosovës. Duket që në Kosovë po krijohet një praktikë e re e ngjashme me praktikat, shembull në shtetin e Belgjikës, ku para çdo vendimi të rëndësishëm ligjor, konsultohet Gjykata Kushtetuese. Ndoshta me formimin e institucioneve të reja dhe me një konsensus politik duhet të krijohet kjo formë e konsultimit paraprak të gjykatës dhe kjo të rregullohet edhe me ligj e me Kushtetutë", thotë Naim Rashiti.

Sipas tij, presidentja Jahjaga para se të kërkonte qartësim për detyrat e saj nga Gjykata kushtetuese, do të duhej të ishte konsultuar me partitë politike. "Interpretimi diametralisht i kundërt i provizioneve dhe proceduarave kushtetuese, natyrisht se kërcënon seriozisht vendin që të futet në krizë edhe më të thellë. U tha se presidentja reagoi me kohë për të marrë opinionin e Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar gjithë procedurën për formimin e qeverisë, por unë mendoj se presidentja u ngut, sepse do të ishte dashur që të kishte një raund konsultimesh me partitë politike dhe vetëm duke u konsultuar mund të ketë përafrim të qëndrimeve rreth procedurës për formimin e qeverisë, sepse pajtim nuk e besoj se do të ketë kurrë", thotë Rashiti.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve dhe certifikimit të tyre nga KQZ, partitë politike kanë afat pesë ditë për ndonjë ankesë eventuale. Pas përfundimit të këtyre afateteve, në konsultim me partitë politike, presidentja Atifete Jahjaga duhet të thërrasë seancën e parlamentit dhe të vazhdohet me procedurat e konstituimit të legjislativit të ri dhe më pas formimit të qeverisë nga vota e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.