1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Zyrat statistikore në Gjermani kanë përvojë shumë të madhe me ruajtjen e të dhënave"

Klaus Poetzsch, nga Zyra Statistikore Federale e Gjermanisë në Wiesbaden mbi regjistrimin e popullsisë në Gjermani

default

„Delet numërohen, jo njerëzit!” Me këtë slogan aktivistët e të drejtave të njeriut mobilizuan në vitin 1981 aq shumë qytetarë në protestat kundër numërimit të popullsisë, saqë Gjykata Supreme Federale e Gjermanisë e ndaloi asokohe numërimin e popullsisë në formën e parashikuar. Numërimi u arrit të bëhej në vitin 1987 dhe u shoqërua nga protesta të shumta. Tani në Gjermani sërish po numërohet popullsia, por protestat në kohën e facebookut, ku njerëzit nuk e kanë problem ta ekspozojnë jetën e tyre private në internet, janë shumë më të vogla. Kjo ka të bëjë edhe me metodën e numërimit. Me të na njeh më hollësisht një intervistë e zhvilluar nga Anila Shuka me zëdhënësin e Zensus 2011, Klaus Poetzsch, nga Zyra Statistikore Federale e Gjermanisë në Wiesbaden.

DW: Zoti Poetzsch na ndajnë 23 vjet që nga numërimi i parafundit i popullsisë më1987. Pse ka pritur Gjermania kaq gjatë, kur OKB-ja sugjeron, që numërimi të bëhet çdo dhjetë vjet?

Poetsch: Kur u bë numërimi i fundit në Republikën Federale Gjermane në vitin 1987, pati protesta të shumta nga ana e popullsisë dhe qeveria hezitoi për një kohë të gjatë. Ajo kishte frikë nga reagimi i popullsisë, por edhe donte të krijonte një model numërimi, që e ngarkon më pak me pyetje popullsinë. Rezultati është ai, që kemi sot: Formulari për banesat i është dërguar çdo personi, që ka pronësi banimi, aty nuk ka pyetje personale. Formulari, që merr informacion për çështje personale, është dërguar vetëm te 10 për qind e njerëzve. Deri tani rezonanca ka qenë shumë e mirë. Data kyçe ishte 9 maji. Anketimet janë duke u përmbyllur dhe gatishmëria e popullsisë për t'u përgjigjur përllogaritet të jetë shumë e lartë, mbi 90 përqind.

DW: Nga do t'i merrni të dhënat e tjera, që ju duhen për numërimin?

Poetsch: Parimi bazë i këtij censusi është, që ne të përdorim të dhëna, të cilat ekzistojnë tashmë në administratën publike. Kjo do të thotë, të dhëna të regjistrit të popullsisë në zyrat e regjistrimit të banorëve. Ato kanë të dhënat më të rëndësishme demografike për secilin qytetar në Gjermani, pra, emri, mosha, gjendja familjare dhe adresa dhe këto të dhëna ne i mbledhim për të numëruar popullsinë.

DW: Ju po e bëni numërimin e popullsisë me kërkesë të Bashkimit Evropian. Ku qëndron ndryshimi mes pyetësorëve tuaj dhe atyre të BE-së?

Poetsch: BE-ja ka përcaktuar vetëm disa tipare. Ato mund të kenë veçori të ndryshme nga njëri vend në tjetrin. Për shembull në Gjermani ekziston një lloj gjendjeje familjare, që nuk ekziston në vende të tjera, kjo është bashkëjetesa me persona të së njëjtës gjini. Kjo është një pikë, që gjendet në formularët tanë, por që në shumë vende mungon.

DW: A ka ndonjë tipar, të cilin e keni shtuar?

Poetsch: Ne në Gjermani shtuam dy tipare: Besimin fetar dhe sfondin e migracionit, definicionin për të cilin e kemi zgjeruar në krahasim me atë evropian. Pra në rang Evrope ishte kërkuar që të jepej vetëm sfondi i migracionit të personave të pyetur, ndërsa ne në Gjermani pyesim se edhe për prindit, se a janë të ardhur, dhe në se po, nga cili vend.

DW: Përse i duhet shtetit gjerman ky informacion?

Poetsch: Ne kemi në Gjermani disa probleme me integrimin e disa grupeve imigrantësh. Vetëm para dy ditësh dolën të dhëna të reja të Zyrës Federale të Statistikës, ku thuhej se imigrantët, ose fëmijët e tyre janë më të rrezikuar nga varfëria se të tjerët. Ne na duhet jo vetëm numri i migrantëve, por edhe strukturat demografike dhe sociale të tyre, ndarja e tyre sipas moshës, arsimit dhe punësimit. Këto informacione i nevojiten shtetit për të hartuar politikat integruese.

DW: Në Gjermani ky dy pakica etnike, danezët dhe sorbët, përse nuk keni pyetur edhe për kombësinë?

Poetsch: Tipari i përkatësisë etnike nuk kërkohej nga BE-ja. Ne këtë nuk e konsideruam si të rëndësishëm, sepse nuk kemi ndonjë problem me këto pakica. Ato jetojnë prej disa qindra vjetësh në territorin gjerman, janë të integruara dhe kanë përfaqësitë e tyre nëpër parlamente.

DW: E vetmja pyetje fakultative në pyetësorin tuaj është ajo e besimit fetar. A nuk mendoni se kjo mund të japë një pamje jo shumë të saktë të situatës në vend?

Poetsch: Çështja e besimit fetar është një çështje shumë e ndjeshme. Ne, ose më saktë, ligjvënësi ka vendosur që përgjigjen e saj ta lërë fakultative, për të mos e vënë në rrezik pranueshmërinë e numërimit të popullsisë. Ne llogarisim megjithatë që kjo pyetje në të shumtën e rasteve do të përgjigjet. Nuk duam numrin e saktë, por një shifër të përafërt, prej së cilës do të mund të arrijmë në rezultate të logjikshme.”

DW: Shpresoni të evidentoni edhe ilegalët?

Evidentimi i ilegalëve nuk është i mundur. Sigurisht që ka një zonë gri në rezultatet tona. Por unë dua të them, se të dhënat, që mbledhim ne në fund, do të paraqiten vetëm në formë të anonimizuar, pra edhe në se një njeri është ilegal në Gjermani dhe bie në numërimin e popullsisë, sepse banon në banesën e zgjedhur nga ne, ai nuk ka pse të ketë frikë, që këto të dhëna do t'i dërgohen ndonjë organi tjetër zyrtar.

DW: Si e garantoni ju ruajtjen e të dhënave?

Poetsch: Zyrat statistikore në Gjermani kanë një përvojë shumë të madhe me ruajtjen e të dhënave. Ne punojmë që prej disa dekadash me të dhënat e qytetarëve, sipërmarrësve dhe ndërmarrjeve dhe jemi të detyruar me ligj të ruajmë fshehtësinë e tyre. Nuk ka pasur ndonjë rast të lidhur me statistikën në Gjermani, ku kjo të jetë lënduar. Shumica e të dhënave janë tek ne në sisteme të izoluara kompjuterike, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me internetin a diçka të ngjashme. Pra asgjë nuk del jashtë.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica