1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Zyra për mbrojtjen e kushtetutës: Gjermania edhe më tej në shënjestër të grupeve terroriste islamike

Sipas zyrës gjermane për mbrojtjen e kushtetutës, Gjermania edhe më tej është në shënjestër të grupimeve islamiko-terroriste. Por autoriteti shtetëror për sigurinë nuk ka aktualisht sinjale për atentate të planifikuara.

Raporti i zyrës për mbrojtjen e kushtetutës për vitin 2010.

Rreziku i atentateve terroriste edhe më tej i pranishëm!

Në këmbimin e viteteve 2010/2011 rreziku i një atentati terrorist në Gjermani dukej më i madh se kurrë. Zona e ndërtesave qeveritare, si rregull e hapur për publikun, u bllokua në një perimetër të gjerë. Ditë e natë policët mbronin objektet e mundshme të atentateve, si ndërtesën e Reichstag-ut, ku mblidhet parlamenti federal gjerman. Në stacione trenash patrullonin policë me armë automatike. Vetëm në pranverë situata u çtensionua ndjeshëm. Qysh atëherë turistët në Berlin mund të vizitojnë sërish kupolën e qelqtë mbresëlënëse të Reichstag-ut, por fillimisht duhet të regjistrohen.

Frika nga atentatet nuk është zhdukur

Frika nga një atentat pra nuk është zhdukur. Madje mund të thuhet se është shtuar pas vrasjes së ish shefit të El Kaidës, Osama bin Laden, në fillimit të majit nga një komando speciale amerikane.

Presidenti i zyrës gjermane për mbrojtjen e kushtetutës, Heinz Fromm

Presidenti i zyrës gjermane për mbrojtjen e kushtetutës, Heinz Fromm

Në internet kursonin reagime serioze ndaj vdekjes së bin Ladenit, thotë presidenti i zyrës gjermane për mbrojtjen e kushtetutës, Heinz Fromm:"Ka deklarata nga vetë Al Kaida, të cilat janë autentike. Dhe natyrisht në atentatet e ardhshme motivi i hakmarrjes do të luajë vërtet një rol ose do të merret si shkas."

Kërcënime konkrete kundër Gjermanisë apo interesave gjermane jashtë vendit, "nuk ka thuajse fare", thuhet në raportin aktual të zyrës për mbrojtjen e kushtetutës. Në vend të kësaj janë shtuar mesazhet, të cilat edhe në gjuhë gjermane bëjnë thirrje për "Xhihad" të dhunshëm në Afganistan dhe Pakistan.

Shtim i aktivitetit të spiunazhit nga shërbimet e huaja sekrete

Krahas kërcënimit terrorist nga jashtë mbrojtësit e kushtetutës regjistrojnë shtim të aktiviteteve të spiunazhit. Për shkak të pozitës së saj gjeopolitike si dhe rolit të rëndësishëm në BE dhe NATO, Gjermania është "shumë tërheqëse" për shërbimet e fshehta jashtë. Konkretisht përmenden në raport Rusia dhe Kina, në përgjithësi edhe vende të Lindjes së Afërme, Mesme dhe të Largët si dhe të Afrikës Veriore. Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich, përgjegjës për mbrojtjen e kushtetutës, i sheh me skepticizëm këto zhvillime:

gjerman Hans-Peter Friedrich prezanton në Berlin raportin e zyrës për mbrojtjen e kushtetutës, 2010.

Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich prezanton në Berlin raportin e zyrës për mbrojtjen e kushtetutës, 2010.

"Gjithnjë e më i rëndësishëm është fakti që Gjermania është një vend i teknologjisë së lartë dhe shumë inovative. Dhe sigurisht objektivi i aktivitetit të spiunazhit po ndryshon dukshëm, duke u përqendruar jo dhe aq në aspektet politiko-ushtarake se sa në fusha si ekonomia, shkenca dhe kërkimet. Kështu synohet të sigurohen avantazhe politike, ekonomike dhe strategjike."

Një tjetër pikërëndesë e punës së mbrojtësve të kushtetutës në Gjermani është kriminaliteti i brendshëm i motivuar politikisht. Zyra Federale e Kriminalistikës, përgjegjëse për regjistrimin e akteve penale nga skena e majtë dhe e djathtë, regjistroi në vitin 2010 një rënie të numrit të krimeve nga 34.000 në 27.000. Prej tyre thuajse gjysma ishin akte penale propagandistike. Këtu bëjnë pjesë për shembull mbajtja e simboleve antikushtetuese, si kryqi i thyer nazist.

Partia "E Majta" edhe më tej nën vëzhgim

Nën vëzhgimin e zyrës për mbrojtjen e kushtetutës mbetet edhe partia "E Majta", e cila pasoi ish-partinë shtetërore gjermano-lindore SED dhe të majtën në Gjermaninë Perëndimore. Ministri i Brendshëm gjerman Friedrich e argumentoi kështu vëzhgimin e kontestuar të partisë, e cila merr pjesë në parlamentin federal dhe në një numër parlamentesh në lande:

"Edhe pse politikanët drejtues të partisë e mohojnë, në këtë parti bëjnë pjesë forca të cilat kërkojnë një ndryshim të rendit të deritanishëm shoqëror dhe kushtetues, dhe e fshehin këtë me mjeshtëri prapa termit 'pluralizëm'.

Ministri i Brendshëm iu referua ndër të tjera "platformës komuniste" brenda së Majtës, e cila sipas partisë nuk ka ndikim cilësor dhe sasior. Në vendimin në instancë të fundit në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese gjermane e pati shpallur të ligjshëm vazhdimin e vëzhgimit të partisë "E Majta".

Autor: Marcel Fürstenau / E. Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi