1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zyra e BE në Tiranë i bën thirrje qeverisë të respektojë parimet kushtetuese dhe të mirëqeverisjes

Deklarata e Bashkimit Europian, vjen menjëherë pas publikimit nga kryeministri Berisha të kërkesës që qeveria e tij përgatitet t´u bëjë vendeve të BE për të dërguar në Shqipëri hetues për të zbardhur "çështjen Fazlliç"

default

Sali Berisha

Për çështjen "Fazlliç" nga Prokuroria e Tiranës kanë filluar hetimet për bizneset e boshnjakut Damir Fazlliç në Shqipëri, lidhjet me kryeministrin Berisha dhe anëtarë të qeverisë së tij. Opozita dhe media e pavarur e ka komentuar këtë kërkesë si cënim të pavarësisë së Prokurorisë dhe te pambështetur në Kushtetutë. Për BE duket se kërkesa shpreh rezervat e mëdha të Qeverisë ndaj Prokurorisë por njëherazi edhe ka nxitur reagimin e tij.

"Ambasadorët e BE të akredituar në Tirane, janë të shqetësuar nga zhvillimiet e fundit lidhur me sistemin e drejtesisë në Shqipëri. Këto zhvillime mund të sjellin ndërhyrje të tepërta dhe konflikte të mundshme mes institucioneve në vend. BE, përmes deklaratës së ambasadorëve të tij në Tiranë i bën një thirrje të fortë palëve, të përfshira në debat, kryesisht qeverisë për të respektuar dispozitat kushtetuese, parimet e mirëqeverisjes, pjesë të së cilës diplomatët europianë konsiderojnë llogaridhënien para ligjit” ka thënë ambasadori i delegacionit të KE në Tiranë.

Si do të reagojë qeveria pas thirrjes së BE?

Kjo mbetet për t´u parë. Konflikti ka ardhur duke u mbarsur me deklarata nga palët. Kryeministri Berisha e sulmoi ashpër Prokurorinë në fillim të kësaj jave kur tha se "ka shkelur rëndë të drejtat e biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç duke e ndaluar atë në aeroportin e Rinasit, para se te largohej nga Tirana me anë të urdhërave verbale, të dhëna me telefon, duke ngrirë të gjitha asetet e bizneseve të tij në Shqipëri." Pala tjetër, Prokurorja e Republikës, Ina Rama, reagon duke thëne se " organi i akuzës nuk do të tërhiqet nga hetimi që do t'i bëjë krimit të organizuar e financiar, në çdo strukturë që ai shfaqet."

Në një situatë të tillë për ambasadorin e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmuth Lohan, është e paparashikueshme nëse palët do të reagojnë ndaj thirrjes së BE apo edhe sesi mund të jetë një reagim i mundshëm. Lohan: "Po shprehim shqetësimin tonë, pikërisht tani, sepe besojme që është e rëndësishme të dërgojmë një mesazh dy palëve të përfshira në debatin e tanishëm por është në dorë të tyre, të aktorëve të degjojne ose jo zërin e Bashkësisë Ndërkombetare.

Reagimi- bazë e një note vlerësimi pozitive apo negative të BE për Tiranën

"KE i ka ndjekur nga afer zhvillimet dhe do te vazhdojë t´i ndjekë reagimet e mundshme. Në raportin e progresit vjetor të Shqipërisë, që do të publikohet pas tri javësh, do t´i kushtohet vëmendje edhe reagimeve që mund të vijnë nga Tirana ndaj thirrjes së BE" tha Ambasadori Lohan.

Regimi i BE për konfliktin Qeveri - Prokurori për "çështjen Fazlliç" vjen menjëherë pas atij të SHBA, që përmes një deklarate të ambasadës amerikanë në Tiranë denuan ato që i quajtën "sulme institucionale ndaj Prokurorisë ."

  • Data 15.10.2008
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FZx8
  • Data 15.10.2008
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FZx8