1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Zviceranët pro ndalimit të ndërtimit të minareve

Rezultati i referendumit shprehje e mosbesimit të shumicës së popullsisë zvicerane kundrejt pakicës të bashkëqytetarëve muslimanë që jetojnë në Zvicër.

Walter Wobmann, presidenti i nismës për ndalimin e minareve

Walter Wobmann, presidenti i nismës për ndalimin e minareve

Shumica e zviceranëve votuan në referendumin për ndalimin ose jo të ndërtimit të minareve, pro këtij ndalimi. Në këtë mënyrë nisma e një grupimi nacionalist të djathtë pati një sukses të papritur edhe për vetë nismëtarët. Shtypi i sotëm gjerman e trajton gjërësisht këtë temë.

Gazeta "Badische Zeitung" shkruan:

"Iniciatorët e referendumit e shndërruan minaren në simbol të Islamit. Rezultati është shprehje e mosbesimit të shumicës së popullsisë zvicerane kundrejt pakicës të bashkëqytetarëve muslimanë që jetojnë në Zvicër, qoftë edhe kundër atyre që nuk kanë të bëjnë fare me islamin politik. Qeveria, shumica e partive, shumica e shoqatave bënë thirrje të përbashkët për të votuar kundër kësaj iniciative. Ata nuk u dëgjuan, dhe për këtë ata duhet të reflektojnë. Ata duhet të kuptojnë se nuk arrijnë të mobilizojnë pjesë të mëdha të popullsisë. Një rol jo pak të rëndësishëm në këtë rezultat ka luajtur edhe frika masive. Ajo është e thellë dhe ishte me sa duket më e fortë se të gjitha argumentat. Kjo frikë nuk duhet nënvleftësuar dhe as injoruar."


Gazeta "Kieler Nachrichten" shkruan:

"Qeveria në Bernë, e cila u mobilizua kundër iniciativës së SVP vetëm në fund, me sa duket e kishte nënvleftësuar rrezikun. Tani dëmtohet e gjithë Zvicra jo vetëm për shkak të frikës ndaj hakmarrjes nga ana e shteteve arabe që kanë depozituar shumë para në shtetin në alpin të Evropës. SVP po e bën vendin paraprijës të "islamofobisë", një shembull negativ për të gjithë Evropën dhe një goditjë për të gjithë ata që shohin tolerancën dhe integrimin si rrugën e vetme për një bashkëjetesë paqësore.

Gazeta "Berliner Zeitung" shkruan:

"Problemi përpara të cilit ndodhet Zvicra ashtu si edhe Gjermania është integrimi i njerëzve me sfond tjetër kulturor. Padyshim që është mirë që ata të përshtaten. Nuk bëhet fjalë për asimilim, por për integrim, për bashkëjetesë të njerëzve me prejardhje të ndryshme duke respektuar reciprokisht identitetin kulturor dhe fetar. Dhe nuk duhet të gënjehemi, integrimi nuk është një rrugë me sens unik. Edhe vendasit duhet të angazhohen në realitetet e reja, të lëvizin."

Autor: Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 30.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Kkmo
  • Data 30.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Kkmo