1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zvicër- BE: kthim pas në fillim

Para një jave zviceranët vendosën në një referendum që ta kufizojnë imigrimin nga BE. Tani BE merr masat e para.

Shumë zviceranë ende shpresojnë që BE të mos e marrë kaq seriozisht punën e marrëveshjeve dhe se deklaratat më të fundit nga Brukseli janë vetëm teatër. Negociatat për bashkëpunimin në fushën e kërkimeve shkencore do të ngrijnë, tha një zëdhënës i BE në fundjavë, edhe programi i shkëmbimit të studentëve "Erasmus Plus" hë për hë do të vazhdojë pa Zvicrën.

"Druhem se populli ynë pjesërisht nuk e kupton mirë se çfarë do të thotë kjo", thotë deputetja e parlamentit zviceran, Kathy Riklin, "por do të ketë edhe pasoja të tjera të dhimbshme. " Kristjandemokratja, presidente e delegacionit BE-EFTA në parlamentin federal të Zvicrës ka në fokus marrëdhëniet e Zvicrës me BE. Që ndalimi i përkohshëm i programeve kërkimore dhe studentore e prek Zvicrën në një pikë të ndieshme, ankohet ajo.

Kthim pas në izolim

Schweiz Politik Kathy Riklin

Politikanja zviceriane Kathy Riklin

Që prej më shumë se dhjetë vjetësh Zvicra merr pjesë në programin kërkimor "Horizon" të Bashkimit Evropian. Programi mbështetet projektet e përbashkëta kërkimore të sipërmarrjeve dhe të universiteteve nga vende të ndryshme të BE. Kristjandemokratja druhet për një kthim pas në izolim të universiteteve. "Për Zvicrën, programi Horizon ishte një model suksesi. Po të mos vazhdojë më, kjo do të thotë zhgënjim gjigand dhe një humbje gjigande për Zvicrën si zonë ekonomike".

E njëjta gjë vlen edhe programin e shkëmbimit të studentëve, Erasmus, që u mundëson çdo vit 3000 studentëve dhe profesorëve zviceranë qëndrim në një universitet evropian. Të dyja programet tani janë të mbyllura për Zvicrën, BE nuk pranon më lutje të tjera nga Zvicra.

Zvicra, anëtar në heshtje i BE

Meqenëse zviceranët duan të përfitojnë sa të jetë e mundur më shumë nga BE, qeveria e Bernës ka lidhur që prej 50 vjetësh marrëveshje të reja e gjithnjë e më të ngushta me Brukselin.

Rreth 120 marrëveshje rregullojnë thuajse gjithçka, deri në çështjen që sa ingranazhe të një ore duhet të jenë prodhuar në Zvicër, në mënyrë që ajo të mund të shitet si orë zvicerane. Dhe kur BE nxjerr direktiva dhe dispozita të reja, Zvicrës i duhet që të gjitha këto t'i derdhë menjëherë në ligje zvicerane, sepse përndryshe produktet e saj nuk i përgjigjen më standardeve të BE dhe nuk mund të eksportohen më në BE. Në thelb, heshturazi Zvicra ka kohë që në heshtje është anëtar i BE. Me përjashtim të faktit se ajo nuk bashkëvendos për masat që duhet të zbatojë dhe se bashkëpunon vetëm pjesërisht në menaxhimin e kufijve.

Grenze Deutschland Schweiz Konstanz

Kufiri mes Gjermanisë dhe Zvicrës në Konstancë

Rritje ekonomike nga lëvizja e lirë

Ekonomikisht Zvicra ka përfituar qartësisht nga afrimi me BE, konfirmon deputetja Kathy Riklin. "Rritja ekonomike në Zvicër në fakt e mori hovin e plotë me lëizjen e lirë në Evropë". Por frika për dominimin nga të huajt ka qenë më e madhe.

Dy të tretat e eksporteve zvicerane shkojnë në BE. Zvicra zë vetëm shtatë përqind në statistikat e eksporteve të BE. Për eurodeputetin Andreas Schwab "nuk ka hapësirë negociimi". Sepse BE e ka bërë të qartë që në fillim se marrëveshjet me Zvicrën do të trajtohen vetëm si paketë: rrëzohet njëra marrëveshje, bien të gjitha.

Kathy Riklin thotë se nëse BE do ta ruajë qëndrimin e ashpër, atëherë qytetarët zviceranë duhet të lëshojnë pe. Në fund të fundit nuk është hera e parë, që një çështje kaq e rëndësishme të hidhet në votim për herë të dytë ose të tretë. Kjo ndodhi për të drejtën e femrave për të votuar. Sipas anketimeve të fundit, 74 përqind e zviceranëve duan t'i shpëtojnë patjetër marrëveshjet bilaterale me BE.