1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Zoti është i madh dhe Mursi president i Egjiptit"

Për herë të parë në historinë e Egjiptit, presidenti zgjidhet me votë të lirë. Tashmë Mohamed Mursi ka detyra të mëdha para vetes: ai duhet t'i bashkojë revolucionarët dhe t' i bindë kundërshtarët e tij politikë.

Mohamed Mursi - presidenti i ri

Mohamed Mursi - presidenti i ri

Hamada Ramadan Abdelaziz qëndron në Sheshin Tahrir dhe me duar të shtrira përpara i lutet Zotit. Dy shokë i kanë futur krahun, së bashku ata dëgjojnë në radion e telefonit celular kreun e Komisionit Qendror Zgjedhor, Farouk Sulltan. Ai në të vërtetë duhet vetëm të njoftojë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i vendit - Mursi apo Schafik, por Farouk Sulltan e zgjat shumë fjalimin e tij duke i mbajtur në tension egjiptasit. Fillimisht publikohen njoftimet e mashtrimeve në zgjedhje, për çdo zonë zgjedhore, për secilën kuti të votimit.

Për më shumë se një orë, Farouk Sulltan i lë të presin masat e përkrahësve të Mursi-ut në Sheshin Tahrir, i torturon me detaje, por ata presin në heshtje, por të tensionuar. Pastaj në fund lajmi: Vëllai mysliman Mursi është president i ri i Egjiptit. Abdelaziz hidhet në ajër dhe thërret: "Allahu Ekber" (Zoti është i madh) dhe përqafon miqtë e tij. "Unë jam njeri më i lumtur në botë", thotë Abdelaziz dhe sytë i mbushen me lotë. "Kjo është një fitore për mbarë Egjiptin".

Festime në Egjipt

Festime në Egjipt

Qendra e Kairos – vend feste për Mursi-un

Sheshi Tahrir dhe çdo rrugë në qendër të Kairos në orët e ardhshme duket si një vend feste për Mohamed Mursi. Kuq, bardhë, zi - flamuri egjiptian valon në çdo cep të Kairos, qielli mbulohet nga fishekzjarret, makinat konkurrojnë vazhdimisht se cila bori dëgjohet më shumë. Ndërkohë Mursi mund të blehet edhe si suvenir: i shtypur në bluza, në foto me korniza të arta apo i shtypur në çakmak të mbështjellur me flamurin egjiptian.

Fitorja e Mursi-ut është historike: Për herë të parë në historinë e Egjiptit, presidenti është zgjedhur me votë të lirë, për herë të parë në historinë e Egjiptit zgjedhjet i fiton një president civil, madje një vëlla mysliman. Para 18 muajsh diçka e tillë ka qenë e pabesueshme. Vëllazëria myslimane - atëherë nën regjimin e Mubarakut përndiqej dhe burgosej, - tani është forca më e madhe politike në vend.

E megjithatë, fitorja e Mursi-ut ishte e ngushtë: vetëm 52 për qind të elektoratit arriti t'i bëj për vete Mursi, pra rreth 890 mijë vetë më shumë se Ahmed Schafik, kryeministri i dikurshëm në kohën e Mubarakut. Ata që votuan për Mursi-un nuk ishin vetëm nga Vëllazëria Myslimane, por edhe revolucionarë, të tillë si Rana Gaber. "Unë jam më e lumtur që ka humbur Schafik-u se që ka fituar Mursi," thotë ajo. "Fitorja e Mursi-së do të thotë mbi të gjitha se revolucioni vazhdon."

Mohamed Mursi duhet ta bashkojë Egjiptin

Mohamed Mursi-un, 63 vjeç, i promovuar në inxhinieri dhe tani president i ri i Egjiptit e presin detyra të mëdha. Së pari ai duhet ta bashkojë kampin revolucionar. Shumë aktivistë ishin të zhgënjyer nga Vëllazëria Myslimane, e cila nga lakmia për pushtet shpesh i kishte braktisuar ata. Më në fund javën e kaluar Mursi u bëri atyre disa lëshime duke iu premtuar se do t'i përfshijë ata në qeverinë e ardhshme. Mursi po ashtu paralajmëroi se në postin e zëvendëspresidentit do të emëroj një grua ose një përfaqësues të koptëve.

Megjithatë Mursi nuk duhet të bashkojë vetëm revolucionarët dhe t'i kënaqë ata me veprime politike, por edhe kundërshtarët: Gati gjysma e elektoratit kanë votuar kundër tij. Në Nasr City, një lagje periferike në veri lindje të Kairos, të shtunën në mbrëmje u mblodhën dhjetëra mijëra përkrahës të Schafik-ut, të cilët nuk e shihnin me kënaqësi Mursi-un në postin e presidentit. Edhe pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve u regjistruan përleshje të vogla në mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të Mursi-ut. Shumë egjiptianë kanë frikë nga një shtet islamik, si për shembull Amira Salem. "Unë kam frikë se Egjipti do të bëhet një Iran apo Afganistan i dytë. Kjo nuk duhet të ndodhë."