1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zoran Zaev nuk tërhiqet - Do të krijohet qeveria e re

Pas mësymjes së dhunshme të Parlamentit të Maqedonisë janë bërë disa arrestime, e një numër personash është shpallur në kërkim. Kreu i opozitës, Zoran Zaev ka theksuar se do të ecet përpara me krijimin e qeverisë së re.

Kryhen arrestimet e para në Maqedoni të dielën (30.04) pas uzurpimit të dhunshëm të Parlamentit të Maqedonisë para pak ditësh. Në Shkup janë arrestuar gjashtë persona, ndër ta edhe një funksionar i Shërbimit Informativ të Maqedonisë, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Ministria e Brendshme e Maqedonisë publikoi edhe listën e 15 personave të shpallur në kërkim, të cilët akuzohen si organizatorë dhe sulmues brenda parlamentit të vendit. Gjatë uzurpimit të Parlamentit të Maqedonisë u lënduan 109 persona, ndër ta edhe tre deputetë.

Zaev: Qeveria do të formohet

Me këtë mësymje, përkrahësit e kreut të deritanishëm të qeverisë, Nikola Gruevski kërkonin të pengonin krijmin e një qeverie me opozitarët social-demokratë në krye, në koalicion me partinë shqiptare. Ministria e Brendshme ka fajësuar policinë, se ka ndërhyrë shumë vonë, me porosi të partisë së Gruevskit, VMRO. Mes turmës që hyri në parlament ishin edhe disa huliganë të maskuar, e pjesërisht të armatosur, gjë që u pa si një shenjë e lidhjeve me shërbimin informativ.

Kreu i opozitës, Zoran Zaev ndërkohë ka bërë të ditur se do të ecet përpara me krijimin e qeverisë së re. Qeveria e re do të krijohet "së afërmi në përputhje me ligjin dhe kushtetutën", ka thënë për mediat të dielën, kreu socialdemokrat. Ai e cilësoi të ligjshme edhe zgjedhjen e Talat Xhaferit në krye të parlamentit.