1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zonat me prioritet për investime - Maqedonia synon të tërheqë biznesin e huaj

Qeveria e Maqedonisë do të promovojë edhe këtë vit zonat e posaçme me prioritet për investime ekonomike. Në këto zona qeveria ofron lehtësira për kompanitë e huaja që të mund të investojnë kapitalin e tyre në Maqedoni.

Fillimi i punimeve për fabrikën e pajisjeve eolike në Tetovë

Fillimi i punimeve për fabrikën e pajisjeve eolike në Tetovë

Funksionimi i zonave me prioritet për investime ekonomike në Maqedoni do të jetë prioritet i qeverisë maqedonase për vitin 2012. Synimi është tërheqja e investitorëve nga jashtë. Por sa do të realizohen investimet e reja, kjo do të varet nga reflektimi i krizës ekonomike në eurozonë, thonë ekspertë të ekonomisë. Investimet e huaja janë zvogëluar gjithandej në Evropë, një situatë e tillë pritet edhe në Maqedoni, thotë Vladimir Gligorov nga Instituti Ekonomik i Vjenës. “Kriza financiare evropiane do të ketë reflektim edhe në ekonominë e Maqedonisë, së paku në 2-3 vitet e ardhshme. Pa përmiresim të situatës ekonomike në Evropë nuk mund të priten investitorë të huaj në Maqedoni”, thotë Gligorov.

Zona e Tetovës

Këtë vit do të fillojë të funksionojë edhe zona e përshtatshme për investime në Tetovë. Sipas ministrit të ekonomisë Valon Saraqini deri më tani gjashtë kompani të huaja janë paraqitur si investitorë për të ashtuquajturën "zonë e lirë ekonomike" të Tetovës. Mundësitë për të investuar në këtë zonë do të prezantohen edhe para ambasadorëve të vendeve të huaja me qëllim që të tërhiqen kompanitë, të cilat do të mund të aplikojnë për menaxhim në Tetovë.

Ministria e Ekonomisë

Ministria e Ekonomisë

“Është një prioritet i madh i yni, por edhe një sfidë e madhe e jona që të fillojmë ta menaxhojmë atë zonë, që të kemi sukses duke e patur parasysh faktin se planifikohen të hapen diku rreth 7 mijë deri në 10 mijë vende të reja të punës dhe është një investim që planifikohet të jetë prej 300 deri në 500 milion euro. Ky do të jetë investimi më i madh në Maqedoni deri më tani”, thotë Valon Saraqini ministër i Ekonomisë.

Vështirësi për ardhjen e investimeve nga jashtë

Nga Oda ekonomike veriperëndimore e Maqedonisë janë skeptik për fillimin e funksionimit të zonës ekonomike të Tetovë. Kasam Zendeli përfaqësues i kësaj ode thotë se në zonën me prioritet për investime në Tetovë ende nuk është siguruar menaxhuesi i saj, prandaj është vështirë të priten investime të huaja. Maqedonia realisht ka probleme të pazgjidhura politike dhe e gjithë kjo ndikon edhe në tërheqjen e investitorëve nga jashtë. “Duke i pasur parasysh problemet politike që i ka me shtetet që e rrethojnë, Maqedonia e humb atraktivitetin e kompanive të mëdha për të bërë investime. Ne shpresojmë të vijnë sa më shumë investitorë të huaj, mirëpo investitori i huaj nuk vjen të investojë në një vend nëse ai nuk sheh se do të ketë kthim të çmimit, nuk sheh siguri edhe nuk sheh se ka stabilitet politik”, thotë Kasam Zendeli.

Fabrikë në Bunardzik

Fabrikë në Bunardzik

Lehtësirat edhe për investimet e brendshme

Nga shoqata e odave ekonomike të Maqedonisë thonë se investitorët e jashtëm dhe vendorë në zonat prioritare për investime duhet të kenë trajtim të barabartë. “Ato privilegje që i marrin investitorët e huaj duhet t'u takojnë edhe investuesve të brendshëm. Vetëm në këtë mënyrë mund të gjallërohen zonat e lira ekonomike në Maqedoni”, vlerëson Mirçe Çekrexhi.

Në shtatë zonat prioritare për investime që ekzistojnë në Maqedoni, muajt e fundit ka filluar ndërtimi i disa fabrikave. Investimi i fundit është nga kompania gjermane “Kronberg dhe Shubert” e cila do të investojë në zonën industriale Zhabeni , ku do të prodhohen instalime kabllovike për industrinë automobilistike.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi