1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zogj të zinj mbi Sarajevë

Natën mes 25 dhe 26 gushtit 1992, ushtarë të serbëve të Bosnjës i vunë flakën Bibliotekës Kombëtare në Sarajevë. U shkatërruan rreth tre milionë libra dhe shumë dokumente origjinale qindravjeçarë.

"Unë nxitova për në bibliotekë dhe ndihmova në përpjekjet për shpëtimin e këtyre thesareve, por për fat të keq arritëm të shpëtonim vetëm një pjesë të vogël", tregon Dubravko Lovrenovic, historian dhe sot ministër i Kulturës në qarkun e Sarajevës. "Sot, 20 vjet më vonë, Bosnje-Hercegovina nuk është më si më parë. Me shkatërrimin e bibliotekës kombëtare vendi dhe qyteti kanë humbur një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre kulturor."

Terrori i luftës - pallat në flakë nga bombardimet e artilerisë serbe në Sarajevën e rrethuar, në qershor 1995.

Terrori i luftës - pallat në flakë nga bombardimet e artilerisë serbe në Sarajevën e rrethuar, në qershor 1995.

Ishte nata mes 25 dhe 26 gushtit 1992. Bosnje-Hercegovina ndodhej në luftë, kryeqyteti Sarajevë ishte rrethuar nga ushtria e serbëve të Bosnjës nën komandën e Radovan Karaxhiçit dhe gjeneralit Ratko Mlladiç. Ndërtesa madhështore e Bibliotekës Kombëtare në qendër të Sarajevës nuk kishte asnjë lloj rëndësie ushtarake. Megjithatë ajo u vu me qëllim në shënjestër të goditjeve të artilerisë serbe. Pjesërisht artileria e pozicionuar përreth qytetit qëlloi madje me granata zjarri. U qëllua edhe mbi punonjësit e zjarrfikësit që përpiqeshin të shuanin zjarrin.

Gazetarja Mirela Huković-Hodžić

Gazetarja Mirela Huković-Hodžić

Triumfi i barbarisë

Biblioteka Kombëtare u dogj plotësisht, 80 për qind e inventarit të saj ra pre e flakëve. U shkatërruan rreth tre milionë libra si dhe qindra dokumente origjinale nga koha e Perandorisë Osmane dhe monarkisë austro-hungareze. Ishin dëshmi të historisë qindravjeçare të Bosnjes dhe të identitetit të një shoqërie multikulturore. Shkatërrimi i Bibliotekës Kombëtare që në fillim të luftës së Bosnjes u bë simbol i një prej synimeve më të rëndësishëm të saj : shkatërrimit të identitetit kulturor të një populli. Madje u gjet edhe një fjalë e re për këtë: kulturocid.

Ndërtesa madhështore ishte ndërtuar në fund të shekullit të 19-të nga një arkitekt austriak, kur Bosnje-Hercegovina ishte pjesë e Austro-Hungarisë. Fillimisht ajo është përdorur si bashki dhe ende sot njerëzit në Bosnje e quajnë "vijecnica" - "bashkia". Pas Luftës së Dytë Botërore në të u vendos Biblioteka Kombëtare dhe Universitare.

Regjisori dhe kritiku i teatrit Gradimir Gojer

Regjisori dhe kritiku i teatrit Gradimir Gojer

Gazetarja Mirela Huković-Hodžić studionte filizofi dhe në bibliotekë lexonte veprat e Aristotelit, Hegelit dhe Kantit. Asaj i kujtohet fare mirë dita kur u dogj biblioteka: "Lufta kishte kohë që kishte filluar dhe ajo ishte e tmerrshme, po kur pashë të digjej Vijecnica, mbeta pa fjalë nga tmerri." Në atë moment ajo e kuptoi se kush ishte qëllimi i luftës: "Të këputeshin përgjithnjë fijet që na lidhin, të zhdukeshin njëherë e mirë të gjitha gjurmët e bashkëjetesës së popujve dhe kulturave të ndryshme."

Shkatërrimin e bibliotekës regjisori boshnjak i teatrit Gradimir Gojer, e sheh si triumf të barbarisë dhe të vdekjes ndaj një modeli të bashkëjetesës mes myslimanëve, ortodoksëve, katolikëve dhe hebrenjve, që ka karakterizuar për shekuj me radhë jetën në Bosnje-Hercegovinë.

Vijecnica - kantier ndërtimi edhe 17 vjet pas luftës

Vijecnica - kantier ndërtimi edhe 17 vjet pas luftës

"Kur shkatërrohet dëshmia e një bashkëjetese, bëhet përpjekje edhe për të zhdukur kodin qytetar të një shteti multietnik", thotë Gojer.

"Shkatërrimi i matricës së bashkëjetesës"

Biblioteka Kombëtare në Sarajevë u dogj dy ditë me radhë, ditë në të cilat mbi Sarajevë fluturonin "zogj të zinj", shkruante atëherë shkrimtari Valerijan Zujo: "Janë fletët e djegura nga libri i madh për ngritjen dhe rënien e Bosnjes dhe Sarajevës."

Por nga hiri i Bibliotekës Kombëtare lindi qysh gjatë luftës edhe ndërgjegjësimi se trashëgimia multikulturore është diçka që duhet mbrojtur. "U bënë përpjekje për të shkatërruar matricën e bashkëjetesës. Por kjo pati sukses vetëm për një farë kohe, pasi ndërgjegja për historinë tonë nuk ishte fiksuar vetëm në dokumente, por jeton edhe tek njerëzit që banojnë këtu", thotë Gradimir Gojer.

Kantieri i përjetshëm

Si vizitor në Sarajevën e ditëve tona habitesh që ky monument kombëtar nuk është rindërtuar ende, edhe 17 vjet pas luftës. Ndërkohë që në kryeqytetin e vendit pas luftës u ngritën, thuajse brenda natës shumë ndërtesa të reja dhe të mëdha, kryesisht me ndihmë financiare nga jashtë,"Vijecnica" vazhdon të jetë një kantier i përjetshëm.

Kur kërkon shpjegime për këtë, një palë i referohet problemeve shumë të komplikuara teknike të ndërtimit. Ndërsa pala tjetër fajëson administratën joefektive, e cila merret në radhë të parë me vetveten. Gradimir Gojer ankohet se rindërtimi i Bibliotekës Kombëtare bëhet temë e politikanëve vetëm në fjalime: "Asnjë nga qeveritë e pasluftës nuk ka qenë e ndërgjegjësuar për rëndësinë e bibliotekës në të ardhmen e vendit". Por ai shpreson që kjo të ndryshojë së shpejti dhe që të lindë një ndërtesë e cila "të jetë sërish dëshmi e kodit kulturor të Bosnje-Hercegovinës". Sipas planeve të administratës së qytetit rindërtimi i Bibliotekës Kombëtare duhet të përfundojë deri në prill 2014.