1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zogiani: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është reduktuar në një kuptim shumë të ngushtë

Në bisedë me Deutsche Wellen drejtori i Organizatës për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet – ÇOHU, Avni Zogiani komenton raportin e fundit të Freedom House

Në foto, Avni Zogiani

Në foto, Avni Zogiani

Organizata për mbrojtjen e shtypit, Freedom House, bëri publik raportin për lirinë e shtypit për vitin 2009. Në të statusi i lirisë së shtypit në Kosovë cilësohet si pjesërisht i lirë nga jo i lirë që ishte në raportin e mëparshëm. Zoti Zogiani organizata "Çohu" përcjell ndër të tjera me vëmendje edhe këtë fushë të të drejtave të njeriut në Kosovë. Ju a pajtoheni me vlerësimin e dhënë nga Freedom House?

Zogiani: "Po unë mendoj që raportet që bëhen nga organizatat e ngjashme si Freedom House në shumicën e rasteve janë një shprehje e realitetit, por në fakt derisa definimi është shumë i përgjithshëm si "pjesërisht të lira" ose "jo të lira" në përditshmëri ekzistojnë shumë dimensione në sektorin e medias, të cilat është vështirë të kapen me të tilla raporte. Unë mendoj që problemi kryesor për median kosovare deri tani ka ardhur nga dy drejtime: nga vetë qeveria por në masë të konsiderueshme edhe nga ana e medias. Ne kemi pasur raste të ashpra të thyerjes së kodit të etikës ku gazetarë të rëndësishëm të medias kosovare kanë hyrë në marrëdhënie ekonomike interesi me qeverinë e Kosovës. Megjithatë në përgjithësi unë mendoj se kjo është shprehje e gjendjes reale në Kosovë."

Logoja e Organizatës Freedom House

Logoja e Organizatës "Freedom House"

Korrupsioni përbën një problem serioz, edhe në bazë të standardeve rajonale, thekson raporti i Freedom House. Me dyshime të kësaj natyre të mërkurën dhe të enjten policia e EULEX-it ka zhvilluar bastisje në zyrat e Ministrisë së Transportit dhe në pronat private të ministrit, Fatmir Limaj. Zoti Zogiani sipas mendimit tuaj çfarë po ndodh në të vërtetë?

Zogiani: "E vërteta është se për një kohë të gjatë është folur për mundësinë që të bëhet një ndërmarrje e tillë. Siç duket EULEX-i ka qenë në dijeni ose ka disponuar evidenca të supozuara për korrupsion në ndërtimin e rrugëve në Kosovë. Ajo që ka ndodhur të mërkurën (28.04.) nuk ka qenë ndonjë befasi e madhe përveçse në formën si ka ndodhur. Të them të drejtën ka qenë një lloj spektakli, siç duket EULEX-i ka dashur të vërehet shumë në këtë aksion për ta bindur opinionin publik se nuk është ashtu si thotë shpesh shoqëria civile, gjegjësisht disa grupe, se EULEX-i nuk po bën mjaft në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë mendoj që forcat e rendit dhe mekanizmat e drejtësisë duhet të veprojnë më me kujdes dhe të shmangen nga shfaqjet e tilla spektakulare pasi ne nuk e dimë se si do të jetë fundi i këtij procesi. Ndërkohë ne kemi pasur një ekspozim tepër të madh të një aksioni policor. Por rezultatin e vërtetë e tregon përfundimi e jo fillimi i procesit të hetimeve."

Por misioni EULEX ka deklaruar se veprimi i policisë së saj në Prishtinë dhe jashtë saj ka treguar funksionimin e rendit dhe ligjit. Edhe pse e përmendët shkurtimisht, si e vlerësoni punën e misionit EULEX në Kosovë, a është në të vërtetë duke bërë mjaft për funksionimin e rendit dhe ligjit apo pritjet kanë qenë më të mëdha?

Zogiani: Problemi është që shumë shpesh lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është reduktuar në një kuptim shumë të ngushtë, vetëm në veprimet e forcave të rendit dhe drejtësisë. Unë mendoj se problemet e Kosovës në këtë fushë janë shumë më të gjëra, të thella dhe endemike do të thosha, duke qenë se Kosova në shumë sektorë ka probleme dhe nuk mjafton vetëm veprimi i mekanizmave të ruajtjes së ligjit. Këtu unë mendoj se Kosova ka nevojë për ndërhyrje në shumë sektorë. Për shembull Kosova nuk ka media të qëndrueshme të pavarura dhe Kosova nuk ka shoqëri civile tërësisht të pavarur, por ajo është shumë e varur nga donatorët e huaj, të cilët shumë shpesh përcjellin politikat e qeverive prej nga vijnë. Pra në këtë rast unë mendoj se edhe pritja e publikut por edhe medias është reduktuar në kuptimin më të ngushtë të mundshëm të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe natyrisht mekanizmat e implementimit apo imponimit të mbisundimit të ligjit janë të rëndësishme por nuk janë të vetmet."

Edhe pse vendi ka ndërmarrë hapa për përmirësimin e pozitës së pakicave në raportin e Freedom House theksohet se që prej shpalljes së pavarësisë nuk është përmirësuar shumë gjendja e pakicave etnike në Kosovë. Çfarë duhet të bëjnë më shumë institucionet e Kosovës e po ashtu edhe shoqëria civile që kjo gjendje të ndryshojë?

Logoja e Organizatës Çohu

Logoja e Organizatës "Çohu"

Zogiani: "Unë mendoj që për një kohë të gjatë qasja në raport me pakicat ka qenë e thjeshtuar. Thjesht ka qenë një lloj pritjeje se gjërat do të ndryshojnë. Ndërkohë është provuar që të ofrohet atraktivitet për integrimin e pakicave e posaçërisht për integrimin e pakicës serbe në institucionet e Kosovës. Unë mendoj se nuk është punuar shumë në terren për të parë se si mund të ndërrohet opinioni i serbëve në raport me institucionet e Kosovës. Sigurisht që kjo nuk mund të ndodh vetëm nëpërmjet atraksioneve financiare që shumë shpesh janë të rëndësishme, por në këtë rast për gjithë këto vite nuk kanë mjaftuar. E kemi parë edhe një strategji të qeverisë së Kosovës, e cila praktikisht tashmë është harruar duke qenë se qeveria e vërejti se kjo strategji nuk e ka përkrahjen e duhur nga Bashkimi Evropian. Pra përgjithësisht unë mendoj se qasja ndaj pakicave ka qenë sipërfaqësore dhe nuk ka pasur mjaft guxim në politikën kosovare në përgjithësi ndërsa në qeverinë kosovare në veçanti që të mirren substancialisht sidomos me problemin e minoritetit serb."

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 01.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NC5l
  • Data 01.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NC5l