1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zjarr përçarës në Kosovë - Nacionalistët nuk duan paqe

Trazirat e fundit në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë treguan, se paqja në rajon është ende larg. Nacionalistët nga të dyja palët nuk duan zgjidhje paqësore, thotë në komentin e saj Verica Spasovska

Verica Spasovska, drejtore e seksionit të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Deutsche Welle

Verica Spasovska, drejtore e seksionit të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Deutsche Welle

Shpërthimi i dhunës ndodh për presidentin serb Boris Tadiç në një moment krejt të papërshtatshëm. Vetëm para pak ditësh ai fitoi pikë të rëndësishme plus lidhur me bisedimet që janë në fokus për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian duke ia dalë që të dorëzojë në Tribunalin e Hagës të akuzuarin për krime lufte Goran Hadzic. Kjo bie tani nën hijen e shkallëzimit të dhunës në Kosovë. Sepse konfliktet për flamuj, vula dhe simbole sërish i kujtojnë opinionit evropian problemin e pazgjidhur të Kosovës. Ato tregojnë, se konflikti për shtetin e ri, që ndodhet prej dymbëdhjetë vjetësh nën mbikqyrjen e OKB-së dhe të BE-së, është ende larg një zgjidhjeje në marrëveshje. Një bashkëjetesë paqësore e fqinjëve në Ballkan është nga këndvështrimi i BE-së një kusht për anëtarësimin. Një Qipro të dytë nuk e do kush në Bruksel, ku gjithësesi ka mjaft shqetësime të tjera me krizën financiare.

Pamjet e postblllokut doganor duke u djegur vijnë në kulmin e përpjekjeve të Tadiçit për ta prezantuar Serbinë si një faktor të besueshëm stabiliteti në Ballkan. Të tilla lajme negative e dobësojnë atë përballë elektoratit të vet dhe bashkësisë ndërkombëtare. Për këtë arësye Tadiç nuk mund të ketë asnjë interes për shkallëzimin e dhunshëm në Kosovë.

Siç duket dhuna nxitet prej forcave serbe, të cilat përfitojnë nga ndarja de facto e Kosovës: Nacionalistë kokëshkretë, të cilët shfrytëzojnë vakuumin e pushtetit në veri të Kosovës, për të bërë kontrabandë dhe të tjera biznese kriminale. Por edhe ministri i Brendshëm serb Daçiç e ka nxitur konfliktin me deklaratat e tij, përmes të cilave ka kërkuar ndarjen e Kosovës. Sepse me sa duket është një qëllim strategjik i Beogradit për ta ruajtuar ndarjen de facto të Kosovës, në mënyrë që ta përdorë atë si një peng politik në bisedime.

Nga ana tjetër nuk janë pa bazë as hamendësimet, sipas të cilave kryeministri kosovar Hashim Thaçi nisur nga një kalkulim në politikën e brendëshme provokon demonstrim force. Ndryshe nga Beogradi, që për gatishmërinë e tij për bisedime me Kosovën shpërblehet me hapa të mëtejshëm në drejtim të BE-së, Thaçi nuk përfiton nga dialogu serbo-kosovar, që zhvillohet nën mbikqyrjen e BE-së, për të gjetur zgjidhje praktike për njerëzit në Kosovë. Ka shumë mundësi, që Thaçi donte të demonstronte forcën. Megjithatë veprime të tilla të njëanshme janë lojë me zjarrin. BE-ja pret nga anëtarët e ardhshëm të saj një politikë të besushme dhe jo aksione suprizuese.

Shkallëzimi i dhunës në Kosovë tregon, se sa e brishtë është paqja në rajon dhe që bashkësia ndërkombëtare duhet të tregojë prezencën e saj edhe për vite të tjera, për të garantuar sigurinë. Por edhe për të mbështetur krijimin e shtetit ligjor. Të dyja palët Beogradi si dhe Prishtina, do të bënin mirë të bëjnë gjithçka për të gjetur një zgjidhje paqësore. Çdo lojë e mëtejshme me zjarrin do të ishte prapaktheu në rrugën për në Bashkimin Evropian.

Autor: Verica Spasovska

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora