1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zipi Livni kadidatja më me shanse si pasuese e Olmertit

Sebastian Engelbrecht3 Gusht 2008

Pas deklaratës së kryeministrit izraelit Ehud Olmert se do të japë dorëheqjen në Izrael ka filluar gara për pasuesin e tij.

https://p.dw.com/p/EpsH
Ehud Olmert dhe Zipi Livni
Ehud Olmert dhe Zipi LivniFotografi: AP

Ditët e fundit në mediat botërore u shfaq një Zipi Livni që i shkëlqente fytyra. Deklarata e Olmertit se do të jepte dorëheqjen dukej se e ka bërë atë me krahë. Kur erdhi ky lajm Livni ishte në Uashington për të diskutuar delegacionin palestinenez për marrëveshjen e paqes.

Livni as nuk e diskuton fitoren

Zipi Livni shkëlqen, sepse e di se do të dalë fituese e zgjedhjeve të 17 shtatorit për kryetarin e partisë Kadima. Para pak ditësh ajo deklaroi në RTV izraelit: "Unë do të fitoj. Kjo vlen si për Kadimën edhe për shtetin. Të gjithë ata që votojnë për Kadimën e dinë këtë."

Livni as nuk e diskuton se do t'ia dalë të fitojë ndaj ministrit të Transportit Shaul Mofas. Livnin e duan jo vetëm anëtarët e partisë, por edhe populli. Në rast se ajo do të zgjidhet si kryetare e Kadimës atëhere partia ka shanse që në zgjedhjet e ardhëshme të fitojë shumicën e votave. Ky ishte përfundimi i një ankete të fundit të gazetës "Haaretz".

Politikane e pastër dhe e pakorruptueshme

Zipi Livni konsiderohet si e pakorruptueshme. Ndryshe nga Olmert ajo konsiderohet si "e pastër", modeste dhe e vendosur.

Gjatë shërbimit ushtarak ajo arriti gradën e leutnantit, punoi katër vjet për Shërbimin Informativ Izraelit Mossad, u bë avokate dhe ka lindur dy djem. Në vitin 2000 ajo u zgjodh deputete e partisë së djathtë Likud. Talentin e saj e zbuloi ish-kryeministri Ariel Sharon.

"Unë jam anëtare e qeverisë që prej vitit 2001 si ministre për Bashkëpunimin Rajonal, ministre për Emigrimin, ministre e Drejtësisë, e Ndërtimit dhe e Punëve të Jashtme. Më duket se kam harruar diçka, po kam qenë edhe ministre e Bujqësisë." - sqaron Livni.

Nga Likudi tek Kadima

Në kohën e saj si ministre ndodhi edhe një transformim në qëndrimin politik të Livnit. Sikurse edhe Ariel Sharon ajo hoqi dorë prej idesë së "Izraelit të madh", e konsideron zgjidhjen me dy shtete si mundësi për paqe me palestinezët dhe angazhohet për largimin e kolonëvë hebrenj dhe të ushtarëve nga Rripi i Gazës.

Në nëntor 2005 ajo ndjek pas Sharonin duke u larguar si edhe ai nga partia Likud për t'iu bashkuar partisë së re Kadima.

Që nga kjo kohë ajo është profilizuar si avokate e zgjidhjeve diplomatike, në ato raste kur të tjerët preferonin luftën. Zipi Livni e ka të qartë se vetëm lëshimet, sado të dhimbshme, mund të sjellin paqen. Ende nuk dihen detaje në lidhje me kompromisin për të cilin ajo ka rënë dakord me përfaqësuesin e palestinezëve Ahmed Kurei. Zipi Livni e di tamam se kur duhet të flasë dhe kur duhet të heshtë.