1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Zimbabve në buzë të humnerës - Kryeministri britanik Braun kërkon veprim

Epidemia katastrofale e kolerës në Zimbabve sipas të dhënave të organizatave humanitare po përhapet shumë shpejt. Ndërkohë ajo ka përfshirë të gjitha provincat e vendit.

default

Gra dhe fëmijë në Zimbabve mbledhin ujë nga një burim nëntokësor

Stina e shirave ka filluar. Meqënëse në shumë vende furnizimi me ujë të pijshëm është shkatërruar, njerëzit marin ujë në përrenj dhe pellgje të ndotur. Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), deri tani 600 vetë kanë humbur jetën nga kolera, plot 13.000 të tjerë janë infektuar. Por numri i vërtetë është shumë më i lartë.


Oragnizatat humanitare si Kryqi i Kuq, Mjekë pa Kufinj apo Medico International, kanë bërë thirrje për mbledhjen e ndihmave kundër kolerës. Peter Hinn nga ndihma gjermane për urinë në botë, shpjegon se për luftën kundër epidemisë nevojitet thuajse çdo gjë: kimikate, tableta për dezinfektim, enë uji, para. Për organizatën e tij Hinn përjashton mundësinë e përfundimit të ndihmave në duar të gabuara:


"Ne këtu punojmë për popullsinë. Kemi një situatë emergjence. Çdo bidon me ujë që i jepet një familjeje dorëzohet nga kolegët tanë. Qeveria nuk ka punë fare këtu dhe ne mund të garantojmë që asnjë ndihmë nuk do të shkojë në kanale të gabuara apo për korrupsion."


Edhe në vendet fqinje, Afrikën e Jugut, Botsvanë dhe Mozambik, janë njoftuar tashmë raste të shumta kolere. Afrika e Jugut ka ngritur në kufi spitale të vërteta fushore për refugjatët nga Zimbabve për të parandaluar përhapjen e epidemisë në rajone të tjera. Organizatat civile e lëvdojnë këtë ndihmë jo burokratike por kërkojnë edhe një angazhim më të fortë politik. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit afrikano-jugor të Kishës, Eddie Makue, deklaroi: Situata në Zimbabve kërkon veprim të menjëhershëm dhe të vendosur. Këshilli i Kishës tërheq vëmendjen ndaj rrëmbimit të shumë aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe përkrahësve të opozitës.


Zimbabve ndodhet përpara rrënimit. Të shtunën (6.12.) Banka Qëndrore e vendit vendosi futjen e një kartmonedhe të re me vlerë 200 milionë. Inflacioni në vendin afrikan vlerësohet tashmë në 400 milionë për qind. 4,9 milionë njerëz mund të ushqehen tanimë vetëm me ndihmën nga jashtë.


Kryeministri i Kenias, Raila Odinga, ministrja e jashtme e SHBA-ve, Kondoliza Rajs, dhe ish arqipeshkvi afrikano-jugor dhe mbajtës i çmimit Nobel për paqen, Desmond Tutu, kanë kërkuar dorëheqjen e presidentit 84-vjeçar të Zimbabves, Robert Mugabe. Kryeminstri britanik Gordon Braun i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të veprojë. Puna ka mbërritur aty ku nuk mban më dhe Mugabes kjo duhet t'i bëhet e qartë. Braun kërkoi që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të merret me krizën në Zimbabve.

  • Data 06.12.2008
  • Autor Claus Stäcker
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GAnZ
  • Data 06.12.2008
  • Autor Claus Stäcker
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GAnZ