1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Zi kombëtare pas atentatit të dyfishtë në Stamboll

Në atentatet e së shtunës në afërsi të një stadiumi sipas të dhënave të fundit janë vrarë 38 vetë dhe janë plagosur 150 të tjerë. Qeveria turke ka dyshim se kush qendron pas atentatit.

Pas atentatit të dyfishtë të përgjakshëm në Stamboll qeveria turke urdhëroi vendosjen e zisë kombëtare për një ditë. Kryeministri Binali Yildirim urdhëroi që flamurët këtë të diel të ulen në gjysmështizë. Deri tani përgjegjësinë për atentatet nuk e ka marrë askush, por dyshimi bie mbi Partinë Punëtore Kurde (PKK) të ndaluar dhe për grupin radikal të shkëputur prej saj Skifterët e Lirisë të Kurdistanit (TAK), të cilët ushtrojnë herë pas here atentate kundër forcave të sigurisë në Turqi. Kryeministri Yildirim tha se nuk ka gati asnjë dyshim se pas atentatit qëndron PKK.

Ndërsa zëvendëskryeministri Numan Kurtulums i tha CNN Türk se fakti që u përdor një automjet për shpërthimin flet për PKK. Sipas tij qenë përdorur midis 300 dhe 400 kilogram lëndë shpërthyese. Megjithatë hetimet vazhdojnë dhe nuk mund të thuhet në mënyrë përfundimtare se cilët janë autorët.

Shumica e viktimave janë policë

Sipas të dhënave më të fundit të ministrit të Brendshëm Süleyman Soylu, midis të vrarëve janë 30 policë dhe shtatë civilë. Një kufomë ende nuk është identifikuar. Lëndët shpërthyese shpërthyen pas një ndeshje futbolli. Bomba e parë, që ishte vendosur në një automjet, sipas Soylu shpërtheu pranë stadiumit të klubit futbollistik Besiktas, në lagjen me të njëjtin emër. Atentati qe i drejtuar me sa duket kundër policisë së misioneve të veçanta atje.

Vetëm 45 sekonda pas atentatit të parë, një atentator vetëvrasës e hodhi veten në erë në Macka Park pranë stadiumit, bëri të ditur ministri i Brendshëm. Edhe ky sulm qe drejtuar kundër policëve që kishin siguruar territorin për shkak të ndeshjes midis Besiktasit dhe Bursasporit.

 

Erdogan: ne luftojmë kundër terrorizmit

Presidenti Recep Tayyip Erdogan theksoi se vendi i tij do të veprojë edhe më tej me të gjithë fuqinë kundër terrorizmit. "Kurdoherë kur Turqia bën një hap pozitiv në drejtim të së ardhmes, përgjigjia është menjëherë gjak, brutalitet, kaos me duart e përgjakura të organizatave terroriste", thuhet në një deklaratë në faqen në internet të Presidentit.

Kancelarja Angela Merkel foli për një atentat terrorist çnjerëzor. Zëdhënësi i qeverisë së saj, Steffen Seibert shkroi në twitter: "Pas atentatit çnjerëzor terrorist, Kancelarja Merkel i shpreh Presidentit Erdogan dhe popullit turk ngushëllimet e saj".

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier u shpreh "i tronditur" për atentatin e dyfishtë. "Ne i dënojmë me ashpërsinë më të madhe këto akte terroriste dhe mbajmë zi së bashku me partnerët tanë turq", deklaroi ai në Berlin. Ministrja e Mbrojtjes ngushëlloi në një letër homologun e saj turk. "Mendimet e mia janë me ju dhe me të gjithë ata që vuajnë nën këtë terror çnjerëzor", u shpreh ajo.

Këshilli Kombëtar i Sigurisë i SHBA ritheksoi se Uashingtoni është në mbështetje të Ankarasë "aleatit tonë në NATO kundër të gjithë terroristëve, që kërcënojnë Turqinë, SHBA dhe paqen botërore dhe stabilitetin.""