1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zhvillohen bisedimet e para për koalicionin qeverisës në Gjermani

6 Tetor 2009

Në Berlin filluan të hënën (5.10.) negociatat për koalicionin e parë të qendrës së djathtë mbas 11 vjetësh. Negociatat zhvillohen ndërmjet tri partive, Unionit Kristiandemokrat/Kristiansocial dhe Partisë FDP.

https://p.dw.com/p/Jywe
Merkel (CDU) mes Westerwell-es (FDP) dhe Seehofer-it (CSU)
Merkel (CDU) mes Westerwell-es (FDP)dhe Seehofer-it (CSU)Fotografi: AP

"Ne duam të përqëndrohemi tek zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, dhe mirëqënia e vendit tonë",

do të thoshte kancelarja Angela Merkel pak para fillimit të negociatave për mandatin e saj të dytë qeveritar. Dhe meqë partia e vogël bashkëqeverisëse është ideologjikisht në të njëjtën linjë me kancelaren, negociatat pritet të jenë më të lehta, se ato para katër vjetësh, me partinë socaldemokrate.

Liberalët synojnë sa më shumë

Por liberalët, të cilët fituan një të tretën e votave të pozitës, kanë hyrë në negociata me synimin për të nxjerrë sa më shumë prej tyre. Që debatet në ditët e ardhshme nuk do të jenë aq harmonike, këtë e tregoi zgjatja me tri orë më shumë se ç'ishte parashikuar e raundit të parë.

"U morëm vesh për disa çështje organizative, krijimin e grupeve të punës, strukturën e marrëveshjes së koalicionit dhe afatin kohor",

do të thoshte Ronald Pofalla, sekretari i përgjithshëm i Unionit Kristiandemokrat, në mbrëmje para gazetarëve.

Grupet më problemtatike do të jenë ai i financave, i punës, i shëndetësisë dhe ai për çësthje të brendshme. Sipas të dhënave nga Zyra e Kancelares, deri në vitin 2013, qeveria duhet të kursejë afro 40 miliardë Euro. Por ekspertët mendojnë se kjo shumë është vetëm gjysma e asaj që duhet kursyer në të vërtetë.

Kryetari i FDP-së Giudo Westerwelle
Kryetari i FDP-së Guido WesterwelleFotografi: AP

Qëllimi: Gjermania të dalë nga kriza

Pra buxheti i shtetit ka nevojë për të ardhura, dhe ky fakt është vështirë të kombinohet me kërkesën e liberalëve për uljen e tatimeve. Andreas Pickwart, nënkryetar i grupit parlamentar të liberalëve, e theksoi këtë kërkesë sërish mbas përfundimit të raundit të parë:

"Ne duam të ulim tatimet dhe të thjeshtësojmë sistemin e pagimit të tyre. Qëllimi ynë është që ta nxjerrim Gjermaninë nga kriza dhe mendojmë se ky proces mund të lehtësohet duke ulur tatimet mbi të ardhurat në nivel të mesëm dhe të ulët",

tha Pickwart në një intervistë dhënë gjatë natës për programin e parë televiziv, ARD.

Shtresa e mesme përbën elektoralin kryesor të liberalëve. Prandaj edhe një temë tjetër e rëndësishme për ta është liberalizimi i ligjit për mbrojtjen e punëmarrësit për sipërmarrjet e vogla.

Por unioni këtu nuk pritet të bëjë asnjë lëshim, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në landin më të madh për nga popullsia, Nordrhein Westfallen, ku bën pjesë zona industriale e Rinit dhe Ruhrit. Kryeministri aktual i këtij Landi, Juergen Ruetgers, i cili merr pjesë në negociata në krahun e CDU-së, është i vetëdijshëm, se çdo lëshim në favor të punëdhënësve, do t'i kushtonte votat atij.

Foto simbolike për deklarimin e tatimeve
Foto simbolike për deklarimin e tatimeveFotografi: picture-alliance/ dpa

"Unë do të përfaqësoj interesat e atyre që besojnë se kanë nevojë për një mesazh për të adhmen", tha Ruetgergs para fillimit të negociatave.

Mosmarrëveshje në politikën e shëndetësisë

Mosmarrëveshje ekzistojnë edhe në lidhje me politikën e shëndetësisë: Ndërsa liberalët kërkojnë që kush paguan më shumë sigurim të ketë të drejtë të trajtohet më mirë, Unionistët, duan të mbeten në sistemin tradicional të deritanishëm, që është ndërtuar sipas parimit të solidarizimit, e ku si ai që paguan pak, ashtu edhe ai që paguan më shumë në arkë të trajtohen njësoj.

Po ashtu, liberalët kërkojnë heqjen e survejimit në internet.

Sot fillojnë grupet nga puna, ndërsa të enjten do të vazhdojë raundi i dytë i negociatave në nivel shefash. Angela Merkel, e cila nijhet për aftësinë e saj për të arritur kompromis, do të përpiqet t'u ofrojë diçka si liberalëve ashtu edhe shokëve të saj nga Bavaria, kërkesat e të cilëve kanë të bëjnë kryesisht me ndarjen e posteve ministrore.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi