1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zhvillimet politike në Kosovë dhe ndikimi në dialogun Prishtinë-Beograd

Analistët pohojnë se edhe në radhët e komunitetit ndërkombëtar nuk ka vullnet që Kosova të fillojë dialogun me Serbinë para përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

default

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se fundi i marsit të vitit të ardhshëm Kosovën do ta gjejë me institucione të reja, të dala nga zgjedhjet e parakohshme. Ata thonë se deri në zgjedhjen e udhëheqësve të rinj institucionalë Kosova nuk do të fillojë dialogun e paralajmëruar me Serbinë. Analistët nga ana e tyre thonë se edhe në radhët e komunitetit ndërkombëtar nuk ka vullnet që Kosova të fillojë dialogun me Serbinë para përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Përfaqësuesit e partive politike thonë se tashmë është e qartë se Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme. Por ende nuk është e qartë se kur do të mbahen ato dhe cilat do të jenë ndikimet e këtij procesi në zhvillimet tjera politike në Kosovë.

Krasniqi: Fundi i marsit të vitit të ardhshëm Kosovën do ta gjejë me institucione të reja

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, premton:

“Për mua mandati përfundon me 28 mars të vitit të ardhshëm dhe unë jam i interesuar që me këtë datë më së fundi Kosova t'i ketë institucionet, që dalin nga zgjedhjet e lira”, thotë Jakup Krasniqi. Zyrtarë të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pranojnë se koha është e shkurtër për organizimin e zgjedhjeve, por ata janë të bindur se do t'ia dalin mbanë.

Ndërkohë Ismet Kryeziu nga rrjeti i organizatave joqeveritare, që monitoron vazhdimisht proceset zgjedhore në Kosovë, është i bindur se institucionet e Kosovës megjithë kohën e shkurtër do të arrijnë të organizojnë zgjedhje, ashtu siç duhet. Në të kundërtën sipas tij do të shënohet dështim institucional.

“Unë besoj dhe dua të besoj se institucionet e Kosovës duhet të jenë në gjendje të organizojnë zgjedhje, sepse kushtetuta e përcakton se edhe në raste të jashtazakonshme brenda 45 ditësh t'i organizojnë zgjedhjet. Nëse kjo nuk ndodh, do të ishte dështim institucional”, thotë Ismet Kryeziu.

Udhëheqësit kosovarë: Bisedimet me Serbinë vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve

Kosovos Präsident Sejdiu tritt zurück

Dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit çon Kosovën në zgjedhje të parakoshme

Dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit bëri që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakoshme. Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme po ndodh në kohën, kur ishte paralajmëruar fillimi i bisedimeve me Serbinë. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thanë se bisedimet me Serbinë mund të fillojnë vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë. Në këtë linjë shefi i zyrës civile ndërkombëtare, Peter Faith, u tha mediave në Kosovë se ritmi i dialogut Kosovë-Serbi mund të ndikohet nga situata e krijuar me dorëheqjen e Fatmir Sejdiut, por ai thotë se është shumë e rëndësishme që Prishtina të mos distancohet nga bisedimet me Serbinë, të cilat ai i quan bisedime teknike. Por analistët e pavarur mendojnë se bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk janë thjesht bisedime teknike. Agron Bajrami, analist thotë për programin tonë se po të ishin bisedime teknike, nuk do të flitej për shtyrjen tyre deri në zgjedhjen e institucioneve të reja të Kosovës.

“Dialogu Kosovë Serbi është një process politik dhe ai proces politik mund të udhëhiqet vetëm nga qeveritë e qëndrueshme të cilat nuk mund të jetë të shantazhuara nga zgjedhjet, apo rezulati zgjedhorë”, thotë Agron Bajrami.

Agron Bajrami

Agron Bajrami, analist

Agron Bajrami situatën politike të krijuar në Kosovë, e cila do të çojë në zgjedhje të parakohshme, nuk e ndërlidh më bisedimet e paralajmëruar Kosovë-Serbi, apo zërat, që janë dëgjuar, se kjo po ndodh qëllimisht, në mënyrë që të shtyhen bisedimet. Ai thotë se këto zgjedhje janë pasojë e brishtësisë se skenës politike kosovare, sepse, sipas tij, po të dëshironte bashkësia ndërkombëtare që të ketë një dialog të shpejtë Prishtinë-Beograd, zgjedhjet në Kosovë edhe mund të shtyheshin.

“ Po të ekzistonte një unitet brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe një presion i madh për të zhvilluar dialog me Serbinë në këtë moment, ndoshta zgjedhjet do të ishin shtyrë do të ishin mbajtur më vonë dhe shkeljet kushtetuese do të kishin mbetur edhe më tutje vetëm për hir të atij dialogu”, thotë Agron Bajrami.

Sidoqoftë, data e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë do të publikohet gjatë kësaj jave. Analistët thonë se qëllimisht deri tash nuk është publikuar data e zgjedhjeve, sepse sipas tyre udhëheqësit kryesorë politikë kanë dashur që ta përfundojë vizitën në Ballkan Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton dhe më pas të caktohet data e zgjedhjeve.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 12.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PcTz
  • Data 12.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PcTz